Gjest i jashtëzakonshëm solidariteti i tenistit nr.1 në botë, pranë familjeve të viktimave në ngjarjen tragjike të grataçielës në Londër
Andy Murray do t’ia dhurojë të ardhurat që do të fitojë në Aegon Championships, turne i njohur zakonisht si Queen’s, i cili zhvillohet gjatë kësaj jave në Londër, familjeve të viktimave të Greenfell Tower. Grataçiela në Londër u përfshi nga zjarri tragjik më 14 qershor. Sipas të dhënave të policisë, në këtë ngjarje humbën jetën 79 persona, por bilanci mund të rëndohet.
Në rast se numri një i tenisit botëror, Andy Murray, fiton këtë kompeticion, do të dhurojë gjithë këto të ardhura, rreth 350 mijë euro.
Murray cilësohet si një tenist me zemër të artë. Edhe në të kaluarën, tenisti ka demonstruar gjeste solidariteti. Në vitin 2013, ai i dhuroi gjithë të ardhurat e fituara nga turneu ATP 500 Queen’s spitalit Royal Marsden për kërkime kundër kancerit, pasi mori lajmin se miku dhe kolegu i tij Ross Hutchins vuante nga një tumor. Në atë rast, shuma e dhuruar ishte më pak, bëhej fjalë për një turne ATP 250.
Në vitin 2014, britaniku u angazhua për organizimin e “Rally For Bally”, një event ku morën pjesë tenistë dhe personazhe të botës së spektaklit në kujtim të tenistes ukrainase Elena Baltacha, e cila humbi jetën për shkak të kancerit. Ndërsa një vit më parë, Andy i dhuroi 300 mijë euro UNICEF-it. Lajmin për këtë gjest solidariteti vjen nga organizatorët e turneut të Queen’s, ndërsa Murray nuk ka dhënë komente mbi këtë nismë.