Tenis, US Open / Përsëri nuk do të kemi përballjen Federer – Nadal në Nju Jork

07/09/2017 2:28 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Edhe një herë tjetër, kjo përballje ishte një hap larg, por mesa duket nuk është e thënë të ndodhë…

 

Mbrëmjen e së mërkurës në “Arthur Ashe Stadium”, Juan Martin del Potro mundi Roger Federer duke plotësuar kuadrin e gjysmëfinaleve në Grand Slem-in e fundit të vitit. Me këtë fitore argjentinasi prishi ëndrrën e amerikanëve për të shijuar përballjen e parë në US Open mes dy kampionëve, atij që mban rekordin me 19 Grand Slem të fituar, Roger Federer (fituesit të Australian Open dhe Wimbledon këtë vit) dhe numrit 1 të Botës, Rafael Nadal (fitues në Roland Garros për të 10 herë).

Në total, Nadal dhe Federer janë përballur 4 herë në Australian Open, 5 herë në French Open (Roland Garros), 3 herë në Wimbledon dhe 20 herë të tjera në turnetë Masters 1000. Por çuditërisht ata nuk janë ndeshur asnjëherë me njëri-tjetrin në US Open, edhe pse kanë qenë disa herë vetëm një ndeshje larg. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit …

Le t’i hedhim një sy, edicioneve të US Open në të cilat përballja Federer – Nadal ka qenë fare pranë, por fatkeqësisht nuk është parë ende në fushat e Flushing Meadows.

2008

US Open 2008 ishte i pari nga katër vite radhazi, ku të dy tenistët legjendarë arritën gjysmëfinalet në Flushing Meadows. Në vitin 2008, ishte britaniku Andy Murray që mposhti Rafael Nadal 3-1 me sete (6-2, 7-6, 4-6, 6-4) duke mos lejuar një finale mes numrit 1 dhe 2 të asaj kohe. Federer nga ana tjetër mundi Novak Djokovic në gjysmëfinale (6-3, 5-7, 7-5, 6-2) dhe më pas mposhti lehtësisht Murray-n në finale, 3-0 me sete (6-2, 7-5, 6-2), duke fituar titullin e 5-të radhazi në New York.

2009

US Open 2009 ishte viti i surprizës së madhe. 20-vjeçari argjentinas Juan Martin del Potro fitoi Grand Slem-in e parë dhe të vetëm deri më sot duke shkatërruar fillimisht Nadal në gjysmëfinale (6-2, 6-2, 6-2) dhe më pas Federer në finale, 3-2 me sete (3-6, 7-6, 4-6, 7-6, 6-2).

2010

US Open 2010 ishte viti ku Rafael Nadal ja doli të triumfonte në Grand Slem-in amerikan për herë të parë. Spanjolli mundi rusin Mikhail Youzhny në gjysmëfinale (6-2, 6-3, 6-4). Në krahun tjetër, këtë herë ishte Djokovic që fitoi ndaj Federer 3-2 me sete (5-7, 6-1, 5-7, 6-2, 7-5) duke anuluar dhe dy match points për zviceranin. Në finale, Nadal mposhti Djokovic 3-1 (6-4, 5-7, 6-4, 6-2).

2011

US Open 2011 ose ndryshe fotokopje e vitit paraardhës. Rafael Nadal finalist për të dytin vit me radhë, por këtë herë froni i takoi serbit Novak Djokovic. Nadal mundi Murray në gjysmëfinale (6-4, 6-2, 3-6, 6-2), ndërsa Djokovic përmbysi një ndeshje epike me 5 sete ndaj Federer, duke anuluar sërish dy match points.

2013

US Open 2013. Roger Federer e filloi turneun si numri 7, dhe mund të përballej që në çerekfinale me Nadal, i cili ishte numri 2. Të dy arritën lehtësisht deri në raundin e 4-t, ku Nadal mundi në 4 sete gjermanin Philipp Kohlschreiber, ndërsa Federer shkaktoi surprizën më të madhe duke u eliminuar ndaj spanjollit Tommy Robredo, 0-3 me sete (6-7, 3-6, 4-6). Robredo më pas fitoi vetëm 4 game ndaj Nadal (6-0, 6-2, 6-2), i cili fitoi US Open e dytë, duke mposhtur sërish Djokovic në finale (6-2, 3-6, 6-4, 6-1).

2017

US Open 2017. Nadal dhe Federer startuan Grand Slem-in e fundit sezonal si pretendentët kryesorë pas një viti të shkëlqyer për të dy. Roli i tyre si protagonistë të vetëm erdhi edhe si pasojë e mungesës së Murray, Djokovic, Wawrinka (kampioni ne fuqi) dhe Nishikori, të gjithë të dëmtuar.
Nadal arriti i pari gjysmëfinalen falë fitores mjaft të thjeshtë mbrëmë ndaj adoleshentit rus, Andrey Rublev (6-1, 6-2, 6-2). Më pas të gjithë po prisnin me padurim çerekfinalen e fundit, Del Potro-Federer.

Ishim vetëm një ndeshje larg përballjes së parë Federer – Nadal (ose FEDAL siç pëlqejnë ta quajnë tifozët) në US Open. Por sërish kjo nuk do të ndodhë. Zvicerani kishte një ndeshje të vështirë ndaj argjentinasit, i cili e kishte mundur në finale 8 vite më parë.

Performanca e argjentinasit në “Arthur Ashe” ishte e shkëlqyer duke e mundur 19 herë fituesin e titujve Slem, me rezultatin 3-1 me sete (7-5, 3-6, 7-6, 6-4). Kjo ishte humbja e parë për Federer në turnetë Grand Slem këtë vit. Ashtu si 8 vite më parë Nadal – Del Potro do të luajnë për një vend në finale. Çifti tjetër gjysmëfinalist është Carreno Busta – Anderson.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz