Shumica miraton heqjen e kushtit për shtetësinë e kandidatit për guvernator, teksa presidenti ka deklaruar se këtë javë do të gjejë zgjidhjen përfundimtare…
Kur kanë kaluar rreth 3 muaj nga shkarkimi i ish-guvernatorit Ardian, Fullani Banka e Shqipërisë dhe sistemi bankar kanë drejtuar gjithë vemendjen te presidenti Nishani dhe krerët e mazhorancës Rama dhe Meta. Më shumë se 5 herë është takuar Presidenti me kryeministrin dhe në të kundërt të deklaratave publike për dakortësi për kriteret dhe emrin e Guvernatorin, asgjë për tu shënuar sa i përket procedurës formale.
Sigurisht që s’është arritur asnjë marrëveshje mes tyre dhe “Monitor” e kishte parashikuar një situatë “PAT” ku asnjëri nuk lëshon pe nga qëndrimi personal ndërkohë që sistemi bankar dhe veçanërisht Banka e Shqipërisë vuan vakuumin e Guvernatorit, zv.guvernatorit të dytë, 2 antarëve part time dhe inspektores së përgjithshme.
Edhe deklarata publike tregojnë se vetëm për marrëveshje nuk bëhet fjalë për zgjedhjen e Guvernatorit, teksa presidenti Nishani deklaroi javën e kaluar se shumë shpejt do të paraqesë një emër, ndërsa kryeministri deklaroi te Ora News se është ‘thellësisht i bindur” se Shqipëria s’ka kandidatë për antar të Këshillit e jo më Guvernator(!) duke nënkuptuar se ai do patjetër një guvernator të huaj. Por kjo dëshirë e tij bie ndesh me ligjin dhe vullnetin e presidentit për ta respektuar ligjin dhe zgjedhjen e një shtetasi shqiptar si Guvernatori i ardhshëm.
Në intervistën e fundit për TCH Presidenti u shpreh se “nga 42 aplikime konkludova në një listë me 7 emra që plotësojnë kriteret ligjore, 4 punojnë në bankat e SHBA dhe Gjermanisë. Por nuk kam një emër por do gjej zgjidhjen përfundimtare ndoshta javën e ardhshme”.
Presidenti e argumenton me të drejtë shqetësuese vakancën e Guvernatorit kur shprehet se “kam mjaft shqetësime nga bankat tregtare për mungesën de jure të guvernatrorit ka ngërç në komunkim dhe ne s’mund të bëhemi më pengesë për ta tjerur”. Pikërisht ka ndodhur e kundërta.
Me ose pa dashje të gjithë po bëhen tjerrës të rrjetës për emrin e Guvernatorin pasi në të njëjtën ditë, po të enjten e kaluar, deputetët e mazhorancës kanë kërkuar ndryshimin e ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” për t’i hapur rrugë zgjedhjes së antarëve ndoshta dhe të Guvernatorit me shtetësi të huaj. Komisioni i Ekonomisë sapo e ka miratuar propozimin për amendimin e ligjit duke i hapur rrugë kandidatëve me shtetësi të huaj për t’u zgjedhur si antarë të Këshillit e ndoshta edhe Guvernator nëse ‘dorëzohet” Presidenti dhe pranon të propozojë një të huaj për Guvernator.
Situata është kthyer pas tre muaj, në shtator kur ishte dhe takimi i parë mes krerëve të shtetit kur Kryeministri kërkonte një guvernator të huaj por Presidenti nuk toleron në këtë pikë, do zbatohet ligji dhe do të jetë shqiptar.
Në këtë mënyrë palët janë përfshirë në “teorinë e lojës” ku palët po presin lëvizjen e kundërshtarit për të kryer ‘goditjen e rradhës” ndërsa sistemi financiar po pret dhe guvernatorin që s’po vjen….
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.