Gjatë muajit tetor, 31 ankesa nga bizneset ju drejtuan qeverisë, konkretisht Ministrisë së Sipërmarrjes, i cila me strukturën e qeverisë “Rama 2” azhurnon të gjithë bashkëpunimin dhe problematikat e qeverisë me sipërmarrjen.
Bizneset i paraqesin ankesat e tyre tek Ministria e Sipërmarrjes e cila më pas i ndjek për zgjidhje në dikasteret e tjera përgjegjëses.
Burimet zyrtare pohuan se gjatë muajit tetor janë ankuar 31 biznese nga të cilat, shumica i takojnë tatimeve. Disa biznese janë ankuar se kanë marrë gjoba nga administrata tatimore pa marrë paralajmërime.
Një pjesa e madhe e ankesave janë edhe për procedurat e ndjekura nga doganat që kanë krijuar vlerësime të padrejta sipas bizneseve. Gjithashtu ankesat janë drejtuar edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Ndërmarrjes së Ujësjellësit Tiranë, Hipotekave, Agjencisë së Prokurimeve etj.
Ankesat e bizneseve qe gjetën zgjidhje në paketën fiskale 2019
Disa nga ankesat e biznesit kanë gjetur zgjidhje në paketën fiskale bënë me dije burimet zyrtare. “Në kuadër të paketës së re fiskale dëshiroj gjithashtu të ndaj me ju arritjet tona sa i takon përfaqësimit të zërit tuaj, pasi paketa fiskale e vitit 2019 është fryt i një bashkëpunimi mes nesh dhe e propozimeve të sjella nga sipërmarrja në tryezat sektoriale te organizuara nga MSHMS” pohuan burimet zyrtare të Ministrisë së Sipërmarrjes. Ja tre prej tyre si:
- Ulja e normës se tatimit mbi dividendin nga 15 % në 8 %.
- Përjashtimi nga TVSH i furnizimit te nënkontraktorëve për kontraktorët ne industrinë fason, kërkesë sistematike e kësaj industrie në çdo takim të zhvilluar.
- Ndryshimi i skemës së taksës për ambalazhit plastik. Në paketë propozohet një nivel i ri i taksës që do të aplikohet mbi produktet e plastikës nga 100 lekë në 35 lekë/kg, pra sa 1/3 e nivelit ekzistues. Ju lutem vijoni ta konsideroni këtë dokument-raport si vullnet për komunikim intensiv, e sidomos si shteg përmes të cilit të drejtoni çdo shqetësim tuajin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.