Të ardhurat buxhetore për 9-mujorin arritën në 298.1 miliardë lekë, duke qenë 4.5 miliardë lekë më të ulëta në raport me planin e rishikuar në shtator. Nga 4.5 miliardë lekë që mungojnë, rreth 2.1 miliardë lekë janë nga të ardhurat tatimore e doganore, rreth 1.4 miliardë lekë nga ndihmat dhe rreth 1 miliard lekë nga të ardhurat jotatimore.
Në raport me planin fillestar, të ardhurat janë 7.2 miliardë lekë më pak, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave.
Në raport me 9-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat në buxhet janë rritur me 6.7%.
Të hyrat nga tatimet e doganat u zgjeruan me 7.4%, duke arritur në 204 miliardë lekë, rreth 2.1 miliardë lekë më pak se plani.
Të ardhurat nga TVSH u rritën me 6% në 96 miliardë lekë. Performancë të mirë vijoi të ketë dhe tatim fitimi, që u zgjerua me 19% në 21.7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale u rritën përkatësisht me 5% dhe 9.7%.
Mosrealizimin më të madh në raport me planin e shënoi TVSH me minus 3.9 miliardë lekë (një tregues direkt ky i qarkullimit në ekonomi), që është amortizuar disi nga tejkalimi i planit për tatim fitimin (+3.6 miliardë lekë).
Të ardhurat nga taksat nacionale u rritën me 5.6%, por ishin 1.5 miliardë lekë më pak se plani, për shkak të koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Të ardhurat nga pushteti vendor u zgjeruan me 23%, në 11.2 miliardë lekë në linjë me planin e rishikuar.
Të ardhurat nga sigurimet dhe kontributet shoqërore u rritën përkatësisht me 11.8% dhe 14.1%, duke qenë afër planit.
Të ardhurat jo tatimore ranë me 16.4%, teksa vitin e kaluar ky zë u ndihmua nga të hyrat prej 4.5 miliardë lekësh, si rrjedhojë e pagesës së tarifave të licencave celulare. Ky zë ka një mosrealizim me planin e rishikuar me rreth 1 miliard lekë.
Qeveria rrudh dorën për shpenzimet
Teksa krahu i të ardhurave buxhetore është përmirësuar disi këtë vit në krahasim me një vit më parë nuk është reflektuar e njëjta situatë edhe në krahun e shpenzimeve.
Buxheti i shtetit gjatë periudhës 9-mujore ka injektuar në ekonomi 77 milionë më pak se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet buxhetore ishin 10.5 miliardë lekë më të ulëta se fakti i vitit 2015 ose 3.6% më pak. Shpenzimet panë mosrealizim edhe me planin e këtij viti me rreth 10.3 miliardë lekë më pak ose 3.5% më të ulëta.
Uljen më të madhe në krahasim me planin e patën shpenzimet korrente, të cilat rezultuan 7.6% më të ulëta.
Nga ana tjetër shihet përmirësim i ecurisë së shpenzimeve kapitale në raport me planin dhe faktin, pavarësisht se ato u rishikuan me ulje me të paktën 3 miliardë lekë për periudhën 9-mujore. Sipas buxhetit fillestar ishin projektuar të shpenzoheshin për investime 37 miliardë lekë në janar-shtator.
Nga 34.4 miliardë lekë të programuara sipas planit të rishikuar për periudhën u realizuan 34.6 miliardë lekë me tejkalim 0.6%. Fondet nuk janë shpenzuar sipas programit edhe për pushtetin lokal. Shpenzimet dedikuar bashkive të reja ishin 3.3 miliardë lekë më pak, ose rreth 11% më të ulëta se plani i periudhës.
Arka e shtetit shihet të ketë përfituar edhe nga interesat e ulëta të borxhit. Shpenzimet për interesa ishin 1.4 miliardë lekë më pak ose 5.2% më të ulëta.
Shpenzimet e operative dhe të mirëmbajtjes ishin gjithashtu 419 milionë lekë më të ulëta se programi i rishikuar i 9-mujorit.
Gjithashtu me ulje në raport me planin e rishikuar ishin edhe shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe ato për papunësinë përkatësisht me -4.1% dhe -9.8%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.