Themelohet Komuniteti i Transportit, Gjiknuri në Bruksel: Prioritet, korridoret rrugore dhe hekurudhore

07/12/2017 10:18 AM 0 komente

Korridoret e transportit rrugor dhe hekurudhor do të jenë prioritet i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë angazhim e ka marrë përsipër edhe Shqipëria në takimin që u mbajt në Bruksel pranë Komisionit Europian mes ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës të këtyre vendeve.

Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, e vuri theksin tek disa nga projektet që janë në objektivat e qeverisë duke sjellë në vëmendje lidhjen me Malin e Zi apo korridorin Adriatiko-Jonian, për të cilët janë hedhur tashmë hapa konkretë.

“Projektet prioritare që ka Ballkani Perëndimor do të zënë vend. Edhe këtu u konfirmua nga Komisioni Europian, nga Komisionerja për Transportin dhe përfaqësues të Komisionerit për Zgjerimin, që projektet prioritare do të jenë në qendër të financimit. Qoftë kjo për sa i përket pjesës së fizibilitetit apo më vonë edhe fazës së zhvillimit.

Do të theksoja këtu korridoret kryesore siç janë korridoret e transportit, ku është dhe ai Jonian-Adriatik; projektet e rëndësishme hekurudhore siç janë ato mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe zgjerimi i hekurudhës drejt Maqedonisë dhe Greqisë. Pra, këto korridore do të shikohen me prioritet për sa i takon financimeve të mëtejshme të Bashkimit Europian dhe ky mekanizëm tashmë i krijuar do të koordinojë më mirë mes institucioneve financiare, por edhe për të promovuar projektet prioritare që meritojnë financim nga institucionet ndërkombëtare”, nënvizoi Gjiknuri.

Nga ana tjetër, ministri e vuri theksin tek rëndësia që do të ketë struktura më e re e ngritur pranë Komisionit Europian siç është Komuniteti i Transportit. Ky i fundit do të ketë të njëjtat funksione sikurse Komuniteti i Energjisë veçse të aplikuara në sektorin e Transportit.

Kjo organizatë do të përdoret si një urë bashkëpunimi, si një institucion i rëndësishëm për harmonizimin e projekteve, promovimin e vlerave të njëjta, harmonizimin e politikave të transportit mes shteteve dhe synimi final është padyshim integrimi i krejt rajonit në Bashkimin Europian edhe sa i takon infrastrukturës e transportit”, u shpreh ministri Gjiknuri

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Gjiknuri zhvilloi takime me Komisioneren për Transportin Violeta Bulc dhe ministrat e Transportit të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz