-Zgjerohet sërish rrethi i të dyshuarve për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit. Prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e shtatë punonjësve të Bankës së Shqipërisë, të cilët gjatë inventarizimit të arkave me kartëmonedha në godinën “X” në Linzë nuk kanë arritur të zbulojnë vjedhjen.
Për firmosjen e këtyre shtatë urdhër ndalimeve, prokuroria ka shqyrtuar vetëm dokumentacionin e inventarizimit për kartëmonedhat 5 mijë lekëshe, pasi i dyshuari kryesor për vjedhjen shumëmilionëshe, Ardian Bitraj, ish-përgje-gjës i Arkës Stok, u ka shpjeguar hetuesve se merrte nga arkat vetëm prerje të mëdha. Zyrtarisht, prokuroria bën me dije se është duke shqyrtuar dokumentet e inventarizimit, për prerjet e tjera të kartëmonedhave, pasi dyshimet për vjedhje dhe në arka të tjera janë shtuar. Nëse konstatohet se janë vjedhur dhe kartëmonedha të prerjeve të tjera, jo vetëm që pozita e punonjësve të Bankës Qendrore rëndohet më shumë, por ka shumë mundësi që të firmosen të tjera fletëndalime, për persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në megaskandalin që shpërtheu në Thesarin e Shtetit, prej nga ku janë zhvatur 713 milionë lekë.
“Në dokumentacionin e inventarizimit që ka shqyrtuar Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë, ndër të tjera, fokusi është vendosur te sasia e një prerjeje monedhe, në vlerën 5.000 lekë të reja. Edhe në urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës, lëshuar për 7 anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Bankës së Shqipërisë, janë përmendur detaje mbi sasinë e inventarizuar të kësaj prerjeje (pra, 5000 lekë). Theksimi i sasisë së kësaj prerjeje është rrjedhojë e faktit se i dyshuari kryesor për vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë, shtetasi A. Bitraj, ka deklaruar se nga Arka Stok dhe Arka në Veprim ka marrë vetëm nga këto prerje (pra, prerjen me vlerë më të madhe në qarkullim në Shqipëri). Gjithsesi, Proku-roria e Tiranës ka në shqyr-tim materialin për të gjitha prerjet e tjera”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Pavarësisht deklarimeve të të dyshuarit kryesor Bitraj, prokuroria është duke vijuar me shqyrtimin e dokumentacionit të inventarizuesve, shtatë prej të cilëve janë tashmë prapa hekurave.
Në fakt, sipas raportit përfundimtar të Komisionit të Inventarizimit për vitin 2013, ka rezultuar se gjendja faktike e kësaj monedhe (5000 lekë) në kolitë me para përputhej me pasqyrat e kontabilitetit që kishin në dispozicion paraprakisht anëtarët e Komisionit të Inventarizimit. Po njëlloj, sipas raportit përfundimtar të Komisionit të Inventarizimit për vitin 2012, ka rezultuar se gjendja faktike e kësaj monedhe (5000 lekë) në kolitë me para përputhej me pasqyrat e kontabilitetit që kishin në dispozicion paraprakisht anëtarët e Komisionit të Inventarizimit. Por, nga hetimet ka rezultuar se anëtarët e Komisionit të Inventarizimit akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes së inventarizimit nuk kanë verifikuar një më një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht, 8 arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin.
Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak së 5 % e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha kolitë. “Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në kohë me të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen”, theksohet në dosje. Skandali i vjedhjes së Thesarit u zbulua pas vetëdenoncimit të Ardian Bitraj, i cili takoi eprorët e tij dhe u rrëfeu vjedhjen. Deri më tani për supervjedhjen e ndodhur në Departamentin e Emisionit në Linzë, janë dërguar në qeli 17 persona, mes tyre dhe Dorian Çollaku, ish-drejtor i Thesarit, ish-vartës të tij si dhe nipi i Ardian Bitrajt. Ish-përgjegjësi i Arkës Stok këmbëngul se të gjitha paratë e vjedhura në Thesar i ka humbur në kazino e loto sporti. /Balkan Web
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.