Natyra është treguar bujare me Shqipërinë, duke ofruar alternativa pa fund për të kaluar një fundjavë ndryshe. Kanionet e Langaricës në Bënjë të Përmetit, Ujëvara e Sotirës në Gramsh, kanioni i Holtës në verilindje të Gramshit, lumi i Shalës e Parku i Blinit janë disa nga destinacionet që po kthehen në trend, pasi janë të aksesueshme dhe brenda ditës.
Djemtë e “My Albania Natyre Explorers”, që i ka bashkuar jo vetëm pasioni për natyrën, por edhe dëshira për të bërë diçka të pavarur, janë gjithnjë në kërkim të destinacioneve të reja, në Shqipërinë që nuk i mungon asnjë. Taulant Hoxha, një nga themeluesit e agjencisë, thotë se udhëtimi më i ri është ai për në grykëderdhjen e Shalës, afër Komanit, në Parkun e Blinit. Një banor i zonës, që kishte hapur një bujtinë të vogël, ua rekomandoi dhe prej dy muajsh, ky është një itinerar njëditor i preferuar.
Taulanti e quan këtë zonë një parajsë të fshehur. Lumi i Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë dhe shkëmbinjtë e thepisur duket sikur prekin qiellin. Udhëtimi drejt Blinit paraqet surpriza të pafundme pasi ka atraksione të shumta turistike, përveç atyre që paraqet liqeni si lumi me troftën pikaloshe, shpend dhe kafshë të ndryshme, nga çdo anë mund të shikosh dhitë e egra, nëse atje kalohet pa zhurmë. Komlemi, Bira e Topit, Guri i Lekës, Shpella e Lekës, Ballkoni i Dhive të Egra, Ujëvara e Mullinit janë disa nga atraksionet përreth.
Kanioni i Holtës në verilindje të Gramshit pranë fshatit Kabash e Bardhaj. Ai është formuar nga erozioni i lumit Holtë dhe dukuritë karstike. Është 3 kilometra i gjatë, 350 metra i lartë dhe në dalje gryka ngushtohet deri në 10 metra. Në shpatet e kanionit ndodhen shumë shpella karstike të paeksploruara, të përshtatshme për eksplorues aventurierë. Pranë Kanionit ndodhen shpella e Kabashit, e krijuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë me dukuri të shumta karstike, stalaktite e stalagmite, me bukuri të rrallë.
Natyra përreth Kanionit të Langaricës në Përmet është e jashtëzakonshme, tipike shqiptare, që nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Peizazhi natyror i këtij lumi deri tani të harruar është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Lumi njihet për banjat e shumta termale, me efekte kurative për lëkurën, stomakun, veshkat reumatizmin.
Ujëvara e Sotirës është 100 metra dhe buron nga mali i Tomorit. Ajo ndodhet rreth 22 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth 1 orë në këmbë nga fshati Sotirë, nga ku ka marrë edhe emrin ujëvara. Në verilindje të Tomorit, ndodhet burimi i madh që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur. Lartësia e rënies së ujit varion nga 5 metra, deri 20 metra lartësi. Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit, është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.