Qeveria është tërhequr nga një prej partneriteteve publike private më të debatuara, ajo për aksin Thumanë-Kashar. Ministrja e re Belinda Balluku në daljen e saj të parë para mediave në detyrën e re njoftoi pikërisht ndërprerjen e procedurës duke theksuar se kjo hapësire fiskale do t’i dedikohet angazhimit tjetër të qeverisë për “Paktin me Universitetin”. Gjithsesi Balluku tha se nga projekti i rrugës nuk do të hiqet dorë pasi është një aks i rëndësishëm kombëtar por ky i fundit do të shihet i integruar edhe me zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës.
“Ky është komunikimi ynë i parë zyrtar për shkak të volumit të punës ne do të takohemi më shpesh. Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike.
Natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, ku në fazën e parë parashikohet ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa dhe në fazën e dytë ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë. Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar-Rrogozhinë t’i shtohet edhe Aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë nga njëra anë, nga Veriu dhe qoftë aksesin më të shpejtë nga Veriu drejt Jugut gjatë sezonit turistik” tha Balluku.
Rruga Thumanë-Kashar ishte pjesë e projektit “one billion” dhe iu nënshtrua procedurave të prokurimit pas një oferte të pakërkuar të bërë nga Gener 2 e cila në fund rezultoi edhe si kompania fituese. Në korrik të vitit të shkuar Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë njoftoi se Gener 2 kishte fituar procedurën me një ofertë 225.8 milionë euro. Në procedurë morën pjesë katër kompani.
Sipas projektit gjurma e rrugës fillon nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës. Gjurma e rrugës vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë -Durrës).
Dhënia me koncesion /PPP “Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”, do të bëhet përmes parimit të “Projektit me Çelësa në dorë”. Kushtet thelbësore të kësaj procedure përfshijnë:
Objekti i kontratës së koncesionit/PPP: “Ndërtimi dhe Mirëmbajtja e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar” Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit/PPP: 13 vjet
Aktivitetet për t’u kryer nga koncesionari: “Ndërtimi dhe Mirëmbajtja e Aksit Rrugor Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar” sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues. Burimet e të ardhurave të Koncesionarit: një pagesë disponueshmërie vjetore e pagueshme nga Autoriteti Kontraktues për Koncesionarin, niveli i së cilës do të përcaktohet në ofertën e paraqitur nga konkurrentët. Pagesa e parë e këstit do të kryhet nga Autoriteti Kontraktues, kur Koncesionari të ketë kryer jo më pak se 25% të punimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.