Rënia e fortë e euros ka ngjallur debate të shumta vitin dhe sidomos muajt e fundit. Monedha e përbashkët, pas një periudhe stabilizimi, ku kishte arritur ekuilibrin në rreth 140 lekë në periudhën 2010-2015, filloi rënien në gjysmën e dytë të 2016-s. Nënçmimi ka qenë gradual përgjatë 2016-s dhe 2017-s, për t’u përshpejtuar në muajt e parë të këtij viti. Aktualisht, monedha e përbashkët ka zbritur në kuotën e 127 lekëve, duke u nënçmuar me gati 10% në krahasim me dy vjet më parë.
Implikimet për një ekonomi, që është e lidhur ngushtë me euron, si për emigracionin, kursimet, ashtu dhe për kanalet tregtare, janë të mëdha. Më të goditur janë eksportuesit, të cilët vlerësohen se do të humbin 120-130 milionë euro nga zhvlerësimi i euros dhe i dollarit.
Eksportuesit dhe prodhuesit po dërgojnë të shqetësuar letra zyrtare në Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave, ku kërkojnë që të merren masa, pasi ata po pësojnë humbje të konsiderueshme, që do të reflektohen në rënien e fitimeve, investimeve dhe më pak vende pune të hapura. Sektori eksportues, për vetë natyrën e tij, që shfrytëzon kahun e lirë të fuqisë punëtore,si avantazh kryesor konkurrues, është një punëdhënës i rëndësishëm në vend, ku vetëm në sektorin e tekstile e këpucëve ka rreth 50 mijë të punësuar.
Me 53% të depozitave në banka që janë në valutë, humbja në vlerën kontabël të tyre i kalon 100 milionë eurot, sipas të dhënave të përpunuara nga statistikat e Bankës së Shqipërisë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre depozitave janë të emigrantëve, që çdo vit në gusht dhe në dhjetor kanë sjellë tradicionalisht një pjesë të kursimeve të tyre për t’i vendosur në bankat shqiptare, të joshur nga normat pozitive të interesit.
Lidhjet e shqiptarëve me euron nuk janë vetëm tregtare, ato janë edhe psikologjike. Që pas vitit 2003, euro është bërë monedha që ka besimin e tyre, (që historikisht ka munguar te leku) e reflektuar kjo në kryerjen e transaksioneve të mallrave të qëndrueshme si shtëpi apo makina, por edhe në tendencën për të kursyer.
Lidhjet me euron janë aq të forta, dhe përdorimi i saj aq i lartë, saqë e detyruan Bankën e Shqipërisë që të niste një plan për de-euroizimin e ekonomisë, teksa ky fenomen po bëhej pengesë për transmetimin e politikës monetare të institucionit qendror. Bankierët, teksa e kanë vlerësuar këtë plan, kanë pohuar se problemi, në fakt, qëndron te qëndrimi i shqiptarëve, të cilët janë të prirë për të mbajtur kursimet në euro, apo për të bërë blerje të mëdha në monedhën e përbashkët, që i ka rrënjët te mosbesimi ndaj lekut.
Atëherë, pse duhet ta shohim euron si një “armik”, pse të mos përpiqemi që t’ia marrim kalanë nga brenda. Një shembull për këtë janë Mali i Zi dhe më pas, Kosova, të cilët e kanë përshtatur euron në mënyrë të njëanshme (pa qenë anëtare të bashkimit monetar europian). Europa mbylli njërin sy për këtë veprim, sepse të dyja ishin shtete, që e nisën nga e para dhembi të gjitha, ishin të vogla dhe transaksionet e tyre nuk ndikonin në tregjet europiane. Shqipëria nuk ka shumë ndryshim prej tyre, pasi dhe ajo është një treg i vogël.
Në këtë mënyrë, me një gur vriten dy zogj. Së pari, eliminohet rreziku nga kursi i këmbimit, i cili ka ngjallur shqetësime të shumta muajt e fundit dhe së dyti, shtrohet rruga drejt së ardhmes, sepse pas një dekade apo më shumë, pasi Shqipëria të jetë bërë pjesë e Bashkimit Europian, hyrja në euro do të jetë e pashmangshme.
Kjo mbetet një ide, që synon hapjen e një debati mes ekonomistëve e ekspertëve, për avantazhet e disavantazhet që mund të sjellë dhe nëse është praktikisht e zbatueshme apo jo…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Do te uroja qe keto rreshta te ketij editoriali ti lexojne dhe ti kuptojne politikanet qe kemi ne krye te shtetit si dhe drejtuesit e BANKES te Shqiperise. Lufta qe po behet kunder euros i sjelle vetem deme dhe humbje shtetit shqiptar por i sjelle shume fitime ndonje spekulluesi ne tregun e derivateve te kembimit te monedhave.