Buxheti i Bashkisë së kryeqytetit, sa do të paguajnë qytetarët për parkimin, hapësirën, pastrimin, ndërtesat; Ja projektet kryesore
Bashkia e Tiranës ka hartuar programin buxhetor afatmesëm për periudhën 2019-2021. Sipas relacionit, që pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, të ardhurat që do të mbledhë vetë Bashkia, pritet të arrijnë në 13.4 miliardë lekë (ose rreth 105 milionë euro). Me një rritje prej 3% në raport me pritshmërinë e 2018-s.
Së bashku me fondet e pakushtëzuara që merr nga qeveria qendrore, buxheti në dispozicion i bashkisë pritet të arrijë në 18.3 miliardë lekë, ose 145 milionë euro, duke arritur në një nivel historik rekord.
Edhe për periudhën 2020-2021, të ardhurat e vetë Bashkisë pritet të qëndrojnë në të njëjtat nivele (rreth 13.4 miliardë lekë), ndërsa fondet nga qeveria priten në rënie, çka bën që buxheti total në 2020-n të zbresë në 16.4 miliardë lekë, ose 10% më pak sesa në 2019-n.
Tre taksat e tarifat që pritet të sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë janë taksa e ndikimit në infrastrukturë (30%), e ndërtesës (17%) dhe tarifat e pastrimit (15%).
Taksa e re e ndërtesës, familjet do të paguajnë katër herë më shumë deri në 2021
Për kategorinë e ndërtesave, që shfrytëzohen për banim, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, aplikimi i taksës sipas sistemit mbi bazë vlere, do të fillojë në janar 2019.
Sipas relacionit, për Bashkinë e Tiranës do të vijojë të jetë Drejtoria e Taksave Vendore, struktura që do të arkëtojë detyrimin e kësaj takse nga subjektet që realizojnë aktivitet ekonomik në territorin e Bashkisë së Tiranës, ndërsa për detyrimet e kategorisë familjare do të përzgjidhet Agjenti Tatimor brenda muajit dhjetor 2018, nëpërmjet vendimit të posaçëm për këtë qëllim.
Në vitin 2019, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, nga 1.78 miliardë lekë që është pritshmëria për 2018-n, me një rritje prej 34%. Pas taksës së infrastrukturës, ky është zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 18% të totalit.
Rritja më e ndjeshme parashikohet për familjarët, nga 220 milionë lekë, që pritet të mblidhen në 2018-n, në 510 milionë lekë në 2019-n. Edhe në vitet e ardhshme, fatura do të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë, pasi të ardhurat nga kjo taksë nga familjarët pritet të arrijnë në 900 milionë lekë në vitin 2021, me një rritje më shumë se 4 herë, në raport me atë që pritet të paguajnë deri në fund të këtij viti.
Në fakt, Bashkia parashikonte të mblidhte 510 milionë lekë nga familjarët që në 2018-n, teksa formula e re e llogaritjes së taksës mbi bazë të vlerës hyri në fuqi që në mars, por që nuk u arrit të zbatohej, për shkak të problemeve teknike (agjentin që do t’i mblidhte dhe përcaktimin e vlerës së ndërtesave në mungesë të një kadastre fiskale).
Sipas relacionit, me ndryshimet e fundit ligjore, të datës 1 prill 2018, taksa e ndërtesës ka marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur te vlera e banesave. Niveli i taksës, i shprehur në përqindje, si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05% edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike në masën 0.2%, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës (çmimi i shumëzuar me sipërfaqe).
Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, në bashkëpunim me institucione të tjera qendrore si OSHEE, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ZVRPP, etj., është në proces për finalizimin e ngritjes së bazës së të dhënave, krijimin e Kadastrës Fiskale, si informacioni bazë i domosdoshëm për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave nga taksa e ndërtesës.
NJQV do të jenë të ngarkuar me përditësimin e të dhënave të pasqyruara në programin e kadastrës fiskale, si dhe me ngarkimin e të dhënave të reja mbi bazën e vetëdeklarimit të qytetarëve, apo me verifikimin dhe saktësimin e informacioneve në terren dhe pasqyrimin e saktë në programin e kadastrës fiskale.
Nga ana e tyre, NJQV kanë filluar të organizohen, për mënyrën e administrimit të taksës së ndërtesës, në kushtet që nuk është vendosur përzgjedhja e OSHEE-së, si agjent tatimor për të gjitha Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, proces i cili duhet të finalizohet brenda vitit 2018, me qëllim që duke nisur nga janari 2019 të mundësohet aplikimi dhe mbledhja e taksës së ndërtesës konform ndryshimeve ligjore.
Ndërtimet do të vijojnë me ritme të larta
Vrulli i ndërtimeve pritet të vijojë edhe në 2019-n. Bashkia e Tiranës parashikon që të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga lejet e ndërtimit rreth 4 miliardë lekë, me një rritje prej 8%, në raport me atë që pritet të mblidhet në 2018-n. Kjo taksë, e cila u rrit me një vendim të vitit 2015, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes për apartamentet e banimit, i siguron Bashkisë rreth 30% të të ardhurave të veta.
Bashkia thekson në relacion se në bazë vjetore, volumi i ndërtimit nuk ka ndryshime të theksuara nga viti 2017. Madje është i krahasueshëm me arkëtimin faktik të kësaj takse në vitin 2014. Pra këto të ardhura janë gjeneruar nga ndryshimi i bazës së taksueshme. Po sipas relacionit, kjo taksë nuk ka ndikuar as në shtrenjtimin e apartamenteve. Bashkia thotë se do të ketë ndërtime të reja në zonë e Bulevardit të Ri.
“Suksesi i mbledhjes së kësaj takse, edhe në vitin 2018, duke pasur parasysh se çmimet në qytetin e Tiranës nuk janë rritur por kanë mbijetuar krahasueshmërisht të njëjta, tregon se kjo taksë nuk ka pasur asnjë impakt te qytetari, por ka ulur deri diku fitimin e zhvilluesve, por jo aq sa të ulë interesin e tyre për zhvillim.
Pra është arritur një balancë midis “vullnetit për të paguar” të biznesit të ndërtimit dhe volumit të ndërtimit që krijon hapësirë rezidenciale për rreth dhjetëra mijë rezidentët e rinj që i shtohen çdo vit Tiranës. Kjo taksë do të vazhdojë të ruajë këtë nivel arkëtimi në vitet e ardhshme, aq më tepër duke parashikuar zhvillimet e reja që pritet t’i shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku këtë vit u miratua edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – plan ky që i hap rrugë zhvillimit, thuhet në relacion.
Taksat e tjera kryesore:
-Nga taksa e tabelës pritet të arkëtohen 400 milionë lekë në 2019-n, me rritje 15% me bazë vjetore;
-Taksa e arsimit do t’i sjellë bashkisë 860 milionë lekë në 2019-n, 36% e së cilës do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga biznesi.
-Nga Taksa mbi kalimin së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme pritet të arkëtohen rreth 300 milionë lekë, pa ndryshime nga një vit më parë.
-Nga Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave pritet të mblidhen rreth 2.1 miliardë lekë, duke qenë zëri i tretë më i rëndësishëm pas taksës së infrastrukturës, që i siguron më shumë të ardhura Bashkisë. Në raport me 2018-n, bizneset dhe familjarët do të paguajnë 7% më shumë.
-Si tarifa për zënien e hapësirave publike, bizneset do të paguajnë 420 milionë lekë, 19% më shumë se ky vit që po mbyllet.
3.5 milionë euro për të parkuar
Teksa parkimi në kryeqytet bëhet gjithnjë e më shumë një mision i vështirë, ai është dhe më i shtrenjtë. Në 2018-n, përdoruesit e automjeteve kanë paguar 440 milionë lekë (3.5 milionë euro) për të parkuar. Krahasuar me vitet e kaluara, arkëtimi i tarifës së parkimit për vitin 2018 ka një rritje të ndjeshme kryesisht nga pagesat e parkimit (të ardhurat) me SMS, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por dhe në sheshet e miratuara për parkim, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-n, Bashkia pret të arkëtojë 420 milionë lekë nga parkimi, me një rënie të lehtë të raport me pritshmërinë e këtij viti.
Projektet kryesore
Në kahun tjetër, atë të shpenzimeve, Bashkia synon një sërë projektesh.
Ndër projektet kryesore janë ndërtimi i 17 shkollave me partneritet publik-privat, të ndarë në 4 lote, sipas zonave gjeografike. Sipas relacionit, aktualisht ka përfunduar procesi i përzgjedhjes dhe është lidhur kontrata për fillimin e punimeve për Lotin 1, i cili parashikon ndërtimin e pesë shkollave të reja, tre 9-vjeçare dhe dy të mesme, në Njësitë Administrative Nr.9 dhe Nr.11. Gjithashtu kanë filluar procedurat e konkurrimit për tre lotet e tjera, për të cilat pritet fillimi i punimeve brenda vitit 2019.
Tjetër projekt është pylli orbital, që planifikon mbjelljen e 2 milionë pemëve në këtë brez të ri të gjelbër të qytetit.
Rrjeti Minimal i Biçikletave krijon një skelet me korsi të dedikuara dhe të veçuara nga trafiku për qytetarët që përdorin biçikletën si mjetin kryesor të lëvizjes së përditshme.
Terminali perëndimor parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga qytetet jugore, veriore dhe verilindore. Për këtë terminal, pas përfundimit të procesit të negocimit, është miratuar tashmë në parim nga Këshilli Bashkiak kontrata koncesionare dhe është në fazën e nënshkrimit.
Plani i ri i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, te Bulevardi i Ri, si dhe në Shkozë.
Ndërtimi i Bulevardit Verior të Tiranës dhe Punimet Civile Përkatëse, Rehabilitimi i Lumit të Tiranës, Kopshti Zoologjik, transformimi i Piramidës në një qendër që ndërthur artin, kulturën, teknologjinë e informacionit dhe edukimin, janë disa nga projektet e tjera.
Ndërtimi i Bulevardit Verior të Tiranës dhe Punimet Civile Përkatëse
Sipas relacionit, momentalisht ka përfunduar ndërtimi i Parkimit Nëntokësor, si dhe ndërtimi i segmentit të parë nga km 0+000 deri në km 0+400, të cilat janë duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Tiranës. Ndërtimi i Parkimit Nëntokësor i ka shtuar qytetit të Tiranës rreth 305 vendparkime të reja, të cilat po menaxhohen nga Bashkia e Tiranës.
Gjithashtu është punuar në segmentin e dytë nga km 0+400 deri km 0+800, ku me përfundimin e shtresave asfaltike do të bëhet dhe hapja së shpejti e këtij segmenti për qytetarët e Tiranës. Po vazhdojnë punimet në segmentin e tretë nga km 0+800 deri në km 1+250, ku ka përfunduar rreth 80% e punimeve të ndërtimit. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Fondin e Abu Dhabit, ka rishikuar projektin e Bulevardit, duke prezantuar dhe projektin e ri për Parkun Qendror të Tiranës, i cili nuk ishte i parashikuar në projektin e vjetër.
Njëkohësisht këtë vit përfundoi edhe hartimi i Planit të Detajuar Vendor të të gjithë Bulevardit të Ri, me qëllim nxitjen e zhvillimit në këtë zonë të Tiranës dhe rikuperimin e fondeve të investuara nëpërmjet taksës së ndikimit në infrastrukturë.
Konkurset për planin e Tiranës shtyhen në fillim të 2019-s
Plani i ri i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i Ri, si dhe në Shkozë. Në këto qendra do të merren masa për nxitjen e investimeve private, si dhe investime publike të Bashkisë në infrastrukturë sekondare dhe shkolla të reja qendra komunitare, me qëllim përqendrimin e një mase kritike kapitali në një hapësirë qendrore urbane.
Kjo qasje do të rrisë cilësinë dhe sasinë e shërbimeve të ofruara në këto zona të ndërlidhura mirë me njëra-tjetrën me transport publik, si dhe me rrjetin minimal të biçikletave. Bashkërendimi i këtyre do të rrisë aksesin e qytetarëve në shërbime pranë vendbanimeve të tyre, si dhe do të krijojë disa qendra të reja me karakteristika të ndryshme nga njëra-tjetra: qendra universitare, artizanale, artistike, mediatike etj., thuhet në relacion.
Me qëllim hartimin e masterplaneve për Tiranën Policentrike Bashkia e Tiranës, do të shpallte gjatë vitit 2018, tre konkurse për tre poliqendrat kryesore të qytetit: Laprakën, Kombinatin dhe Kinostudion. Konkurset do të zhvillohen në rang ndërkombëtar dhe do të finalizohen me një fitues që më pas do të detajojë Planin e Detajuar Vendor të poliqendrës në fjalë.
PDV e këtyre zonave do të detajojnë përdorimin e tokës dhe do të incentivojnë investimin privat, por njëkohësisht do të vendosin edhe projektet kryesore të punëve publike për t’u zbatuar në këto zona, me qëllim përqendrimin e një mase kritike investimi publik dhe privat dhe aktivizimin e tyre, si qendra të reja të qytetit. Si pasojë e punës komplekse të nevojshme për hartimin e detyrave të projektimit për zhvillimin e një gare të qartë dhe të mirinformuar nga konteksti, me kontributin e çmuar të partnerëve ndërkombëtarë si Harvard University, konkurset janë shtyrë për në fillim të vitit 2019, me qëllim përfundimin e tyre deri në fund të vitit të ardhshëm, sqaron relacioni.
Shkollat e reja
Në Bashkinë e Tiranës gjenden gjithsej 191 shkolla publike. Sipas studimit të fizibilitetit të realizuar nga Bashkia e Tiranës, me qëllim maksimizimin e eficencës së kapacitetit të shkollave publike, në momentin e realizimit të studimit, rezultonin 61 shkolla me më shumë nxënës se sa kapaciteti i tyre maksimal dhe 57 shkolla që zhvillonin mësimin me dy turne, thuhet në relacion.
Për t’u dhënë një zgjidhje përfundimtare këtyre tre problemeve, studimi konkludoi se është e nevojshme të ndërtohen 17 shkolla të reja, nga të cilat 10 shkolla të ciklit 9-vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë. Në NJA2 do të ndërtohen 3 shkolla të reja, dy 9-vjeçare dhe një e mesme.
Në NJA5 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare. Në NJA7 do të ndërtohet një shkollë e mesme. Në NJA8 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme. Në NJA9 do të ndërtohet një shkollë 9-vjeçare dhe një e mesme. Në NJA11 do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme. Në NJA Dajt do të ndërtohet një shkollë e mesme. Në NJA Farkë do ndërtohet një shkollë 9-vjeçare. Në NJA Kashar do ndërtohen dy shkolla 9-vjeçare dhe një shkollë e mesme.
Të gjitha shkollat 9-vjeçare do të kenë edhe kopsht të integruar. Bashkia e Tiranës do të ndërtojë 17 shkolla të reja nëpërmjet skemës së Partneritetit Publik-Privat, me modelin “Projektim, Financim, Ndërtim, Mirëmbajtje dhe Transferim” (“PFNM”), të ndarë në katër Lote, në përputhje me shpërndarjen gjeografike të shkollave që do të ndërtohen.
Aktualisht, ka përfunduar procesi i përzgjedhjes dhe është lidhur kontrata për fillimin e punimeve për Lotin 1, i cili parashikon ndërtimin e pesë shkollave të reja, tre 9-vjeçare dhe dy të mesme, në Njësitë Administrative Nr.9 dhe Nr.11. Gjithashtu kanë nisur procedurat e konkurrimit për tre lotet e tjera, për të cilat pritet fillimi i punimeve brenda vitit 2019.
Piramida
Ndërkohë që Tirana është gati katërfishuar në popullsi pas viteve ’90, dhe njohu bum në ndërtim dhe zhvillim urban, paradoksalisht hapësirat publike kushtuar artit dhe kulturës apo shtëpitë e rinisë, dikur ekzistuese, pothuajse u zhdukën, thuhet në relacion. Piramida ka qenë objekti i fundit që arriti të luajë një rol publik sa i përket jetës artistike, kulturore dhe intelektuale. Në fakt, Piramida jo vetëm që ishte objekti i fundit, por ishte dhe një pikë nevralgjike e jetës intelektuale të qytetit, pasi me hapësirat e shumta që ofronte kishte mundësi që të mbulonte nevojat e thuajse të gjitha disiplinave por dhe grupmoshave.
Është sot i pamohueshëm vakumi që mbyllja e këtij objekti ka krijuar për jetën intelektuale të qytetit, si dhe kultivimit të brezave të rinj, me dëshirën për artin dhe kulturën.
Puna për transformimin e Piramidës në një qendër që përzien artin, kulturën, teknologjinë e informacionit dhe edukimin është finalizuar në bashkëpunim me Fondin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, qendrën TUMO Armeni dhe arkitektët e mirënjohur të MVRDV.
Në vitin e ardhshëm, parashikohet përfundimi i projekt-zbatimit nga MVRDV financuar nga AADF dhe fillimi i punimeve për transformimin e kësaj godine në një nga ambientet më inovative të qytetit të Tiranës, nëpërmjet financimit të përbashkët të Qeverisë Shqiptare, Bashkisë së Tiranës dhe AADF.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.