Si 9 mujor janë dhënë vetëm 74 leje ndërtimi në të gjithë Shqipërinë; po ndërtohet vetëm në Vlorë…
Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa gjatë tremujorit të tretë 2012 është 37 nga të cilat 27 leje janë miratuar për ndërtesa banimi dhe 10 për ndërtesa të tjera si hotele, ndërtesa tregtare, etj.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2012 ky tregues është rritur 105.5 përqind ndërsa krahasuar me njëjtën periudhë të vitit të kaluar është ulur 87 përqind, bëhet e ditur në statistikat e INSTAT.
Në total, për 9 mujorin për ndërtesa të reja janë dhënë gjithsej 74 leje ndërtimi në të gjithë Shqipërisë, në një kohë që vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2011 ishin dhënë në të gjithë vendin 670 lekë dhe në tremujorin e tretë të po atij viti u dhanë 285 leje.
Bizneset e ndërtimit në Tiranë vazhdojnë të jenë në krizë. Për to janë dhënë vetëm 6 leje ndërtimi për 9 mujorin, nga 226 lejë që ishin dhënë vetëm në tremujorin e katërt 2011.
Vlora rezulton qyteti i vetëm ku vijon të ndërtohet, e 43 lejë ndërtimi të dhëna për 9 mujorin, apo 62% e lejeve gjithsej.
Vetëm pak ditë më parë Shoqata e Ndërtuesve deklaroi se sektori ëhstë në krizë, teksa shteti u ka mbi 100 milionë euro detyrime për punë të palikuiduara, dhe rreth 12 mijë apartamente, kryesisht në bregdet, janë të pashitura. Shoqata shprehu pakënaqësitë dhe për planin e ri rregullues të Tiranës.
Burimi: INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.