Tiranë-Elbasan, rruga “e pangopur”; Duhen mbi 14 milionë euro për ta përfunduar

20/04/2018 8:30 AM 0 komente

Kush mendoi që 14 milionë euro të deklaruara nga Ministri i Infrastrukturës, një ditë më parë, do të jenë fondi i fundit shtesë për rrugën Elbasan-Tiranë është i gabuar.

Ky fond do të përdoret për vazhdimin e punimeve nga Iba e deri tek tuneli, por fonde të tjera shtese duket se do të kërkojë ndërhyrja për rrëshqitjet masive të tokës në fshatin Mamel.

Prej gati 5 muajsh, pjesa e shembur vazhdon të jetë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve ndërkohë që nuk kanë munguar as aksidentet.

Askush nuk ka një përgjjigje të saktë se kur do të nisë ndërhyrja në këtë zonë ku shembja ka qenë masive.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dërguar pranë Bankës Botërore, e cila ka mirëmbajtjen e kësaj rruge, projektin për ndërhyrjen, e cila do të përfshijë largimin e masivit shkëmbor dhe disiplinimin e ujerave nëntokësore, të cilat sipas studimit gjeologjik ishin shkak për shembjen.

Por Banka Botërore është skeptike për këtë financim dhe edhe pse kanë kaluar disa muaj ende nuk ka vendosur të marrë përsipër një ndërhyrje të tillë.

Top Channel komunikoi me Autoritetin Rrugor Shqiptar sipas të cilit në rast se BB nuk e merr përsipër ndërhyrjen në Mamel, do të kërkohet fond nga buxheti i shtetit.

Pra rruga Elbasan-Tiranë duket se ka ende surpriza buxhetore për taksa paguesit shqiptarë.

Top Channel

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz