Tivoli është më shumë sesa një park lojërash. Është një thesar për historinë dhe një prej vendeve më të bukur në qendër të Kopenhagës. Por më e rëndësishmja, është në përputhje me të gjitha rregullat për mbrojtjen e mjedisit.
Parku i lojërave që prej vitit 1843
Tivoli argëton një numër të madh njerëzish që prej vitit 1843. Ai është parku me numrin më të lartë të regjistruar të vizitorëve në botë. Me një ndërthurje perfekte të lojërave për fëmijë, performancave të ndryshme të akrobatëve dhe prestigjatorëve, ai është vendi ideal për argëtim si për fëmijët edhe për të rriturit. Tivoli është një oaz argëtimi edhe gjatë festave të fundvitit, si për Krishtlindje ashtu edhe për Vitin e Ri. Menjëherë sapo futesh brenda në këtë park, përpara teje hapet bota e përrallave. Breza të tërë kanë qenë pjesë e argëtimeve të këtij parku, përfshirë edhe vetë Hans Christian Andersen*. Për ata që janë më të guximshëm, ky park ofron argëtime të ndryshme, duke filluar nga ato më pak të frikshmet e deri te malet ruse.
Tivoli, një prej vendeve më romantike për dasma
Gjatë orëve të vona, Tivoli merr një pamje krejtësisht ndryshe dhe kthehet në një prej vendeve më romantikë në botë, ku mund të shijoni edhe shumë orë të tjera pas perëndimit të diellit. Shpeshherë ky park shndërrohet edhe në vendin ideal për organizim dasmash.
Tivoli dhe fëmijët
Më të vegjlit e adhurojnë Tivolin. Parku është i tejmbushur me aktivitete nga më të ndryshmet dhe ku mërzitja është një koncept i panjohur. Një prej vendeve më të famshme për fëmijët është edhe “Tivoli Boys’ Guard”. Koncertet dhe performancat e ndryshme nuk mungojnë gjatë gjithë sezonit që ky park qëndron i hapur dhe gjatë fundjavave, të gjithë mund të shijojnë kënaqësinë e një spektakli të vërtetë fishekzjarresh.
Festa e Halloween-it dhe Viti i Ri në Tivoli
Kur Tivoli hapet për sezonin e Halloween-it dhe festës më të madhe të fundvitit, Vitit të Ri, atmosfera që do të gjeni gjatë këtyre periudhave do t’ju mbetet gjatë në kujtesë.
*Hans Christian Andersen (1805 – 1875) është një prej shkrimtarëve më të njohur danezë të përrallave. Statuja e tij prej bronzi qëndron përpara Parkut të Tivolit.