Japonia është gati të befasojë. Komiteti Organizator nuk po ia lë asgjë rastësisë për organizimin e Lojërave Olimpike në vitin 2020. Objektivi është të zhvillojë eventin më teknologjik të të gjithë kohërave – duke filluar me robotët që do të mirëpresin turistët dhe sportistët në Fshatin Olimpik.
Për këtë do të nisin një fushatë për të mbledhur smartphone-t e vjetër dhe për të ricikluar metalin që gjendet në to, për të prodhuar më shumë se 5000 medalje që do t’u jepen sportistëve.
Objektivi është që të mbledhin mjaftueshëm smartphone për të prodhuar pjesën më të madhe të medaljeve olimpike. Nga këto pajisje mund të rikuperohen metale të çmuara si ar, argjend, platin dhe nikel – të gjithë elemente të medaljeve të çmuara që atletët do të mbajnë në qafë.
Qeveria e Japonisë dhe Komiteti Organizator i Tokio 2020 u kanë kërkuar qytetarëve në Japoni t’i bashkohen kësaj nisme, për të dhënë telefonat e vjetër që nuk i përdorin më. Komiteti Olimpik synon të mbledhë rreth tetë tonë metal, nga ku mund të riciklohen rreth 2 tonë metal që do të përdoren për të prodhuar medaljet.
Ky projekt synon të nxisë qëndrueshmëri, unitet dhe të menduarit gjelbër. “Një projekt që u jep mundësinë njerëzve në Japoni të marrin pjesë në procesin e krijimit të medaljeve – është diçka vërtet e mirë”, – thotë drejtori i sporteve, Koji Murofushi.
Kjo nismë është pritur mjaft mirë nga shumë atletë, përfshirë edhe ish-atletin amerikan dhe dy herë fitues i “Medaljes së Artë” në Olimpiada, Ashton Eaton.
Fushata e riciklimit për Lojërat Olimpike është një lëvizje e zgjuar nga ana e autoriteteve japoneze dhe Komitetit Olimpik që po bashkëpunojnë rreth mungesës së burimeve minerale në vend dhe po synojnë të promovojnë idenë e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit.