Real Madrid parakalohet dhe tashmë vendi i dytë zihet nga kampionët e Gjermanisë, Bajern Mynih, që para pak ditësh rinovuan akordin me sponsorin teknik Adidas edhe për 15 vite të tjerë, deri në vitin 2030 për një shifër të madhe (66 milionë Euro në vit), inferiore krahasuar vetëm me anglezët e Mançester Junajtid, të cilët qershorin e kaluar u bindën të hiqnin dorë nga Nike dhe të firmosnin një kontratë faraonike me gjigandin gjerman të veshjeve sportive Adidas për një shifër të cmendur 941 milionë Euro deri në 2025-ën, që do të thotë afërsisht 94 milionë Euro në vit. Bajern Mynih dhe Adidas bashkëpunojnë prej dekadash dhe madje realisht kjo marrëveshje shkon përtej fanellave sepse Adidas është aksioner i klubit bavarez që nga viti 2002, kur bleu aksionet me vlerë 111 milionë $ që përkojnë me 9.4%.
Falë këtij akordi me Bajern-in, Adidas shndërrohet në sponsorin më dorëlëshuar në Europë. 4 ekipet që këtë sezon do të fitojnë më tepër nga sponsorët teknik, të gjitha të sponsorizuara nga Adidas. Pas Junajtid dhe Bajern Mynih, vijnë Real Madrid dhe kampionët e Anglisë, Çelsi, të cilet nëse nuk rinovojnë kontratat aktuale sezonin e ardhshëm do të fitojnë gati 20 milionë Euro më pak se kampionët Gjermanë, dhe pothuajse 1/3-ën e klubit të drejtuar nga van Gaal. Dy klubet e tjera angleze, Arsenal dhe Liverpul edhe pse sezonin që lamë pas nuk shkëlqyen në Evropë, kanë arritur të marrin maksimumin nga sponsorët e tyre, përkatësisht: 37,6 milionë Euro në vit përfitojnë Topçinjtë londinezë nga sponsori gjerman Puma dhe 35 milionë në vit rivalët e Liverpul-it nga debutuesit amerikanë të New Balance. Kampionët e Evropës, Barcelona dhe ata të Francës Paris SG, nuk kanë arritur të marrin kontrata tepër të majme nga gjigandi amerikan Nike. Parizienët fitojnë 35 milionë në vit, ndërsa Katalanasit dy më pak, pra vetëm 33 mln. Me shumë mundësi duke parë marrëveshjet stratosferike të Adidas, të dyja klubet do të trokasin në derën e presidentit të Nike, Mark Parker për ti treguar se konkurrenca po rritet. Më të pakënaqur duhet të jenë sheikët e Mançester Siti-t, duke parë fitimin e ulët, 15 mln në sezon prej kontratës me Nike (shifra të ulëta për një top klub).
Po me skuadrat italiane çfarë ndodh? Për momentin marrëveshja më e mirë i takon kampionëve të Juventus-it, të cilët do të përfitojnë 30 milionë Euro në vit për 6 sezone (deri në 2021) nga kontrata e re me Adidas. Nga ana tjetër milanezet, AC Milan & Inter që këtë sezon nuk do të marrin pjesë në kompeticionet evropiane, fitojnë përkatësisht 20 milion + 10 (taksa nga shitjet) kuqezinjtë nga Adidas, dhe 18 milionë zikaltërit nga marrëveshja e rinovuar nëntorin e shkuar me Nike. Nënkampionët e Romës prej kontratës me Nike përfitojnë vetëm 4/5 milionë (pa bonuse) në sezon deri në 2018/2019, dhe me një llogaritje të thjeshtë as brenda 5 viteve nuk arrijnë dot fitimet e bardhezinjve në një sezon të vetëm. Ndërkohë që klubet më të mëdhaja të Evropës do të kenë rinovuar me shifra akoma më astronomike.