Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve, Zak Topuzi, thotë se turizmi tek ne vuan mungesën e kapaciteteve akomoduese, resortet me shërbime cilësore si dhe një sezon të shkurtër 45-60 ditë në pjesën më të madhe të territorit.
Zoti Topuzi, disa hotele kanë konfirmuar se oferta turistike për të kaluar pushimet e verës 2017 në Shqipëri është rritur për shkak të pasigurisë në Turqi. A keni konstatuar edhe ju një tendencë të tillë?
Situata e favorshme rajonale dhe pasiguria në Turqi, ndikoi ndjeshëm në rritjen e fluksit turistik në Ballkan, kryesisht në Greqi, Malin e Zi, Kroaci por dhe Shqipëri. Në sezonin që kaluam, Shqipëria, si rrugë kalimi e detyrueshme për turet ballkanike, tërhoqi një numër më të madh turistësh, një klientelë të re nga vendet e Lindjes, por kryesisht për turizmin kulturor, eksplorues dhe atë spontan që, të nxitur nga shtypi apo vlerësimet e mediave të huaja, kaluan për të shijuar nga afër këtë vend interesant. Sigurisht ka pasur një numër më të madh lëvizjesh, por që nuk u përkthyen me të njëjtën shifër me rritje të të ardhurave. Për industrinë, janë përkthyer në më shumë vizitorë (jo turistë) të cilët lënë gjithmonë e me pak të ardhura në vend, si rezultat i përsosjes së paketave rajonale dhe përmirësimit të rrugëve të kalimit në Shqipëri. Kjo bën që territori shqiptar të kalohet më shpejt dhe të përdoret tranzit. Por përsëri, ndonëse në numër të reduktuar, destinacioni kryesor për çiftet me fëmijë të vegjël vazhdoi të ishte Turqia, me ofertat e parezistueshme dhe paketën e plotë të shërbimeve.
Kemi pasur një rritje të ndjeshme të turizmit të aventurës, kryesisht lëvizjet drejt kanionëve të Osumit e Vjosës, Theth, Valbonë (ku rivendosja e tragetit i dha një dimension të ri këtij produkti).
Gjithashtu po ndihet krijimi i një poli me qendër Korçën, që me sharmin e ri po bëhet atraksioni kryesor i fundjavave, duke e plotësuar produktin e saj me festa të ndryshme që kanë në themel mikpritjen, kulturën, traditën, kulinarinë dhe sigurisht klimën e parezistueshme. Pogradeci, Voskopoja, Dardha u kthyen qershia mbi tortë, duke bërë të mundur krijimin e paketave të plota disaditore. Rajoni i Korçës arriti në një cikël të turizmit 365 ditë duke dhënë një shembull pozitiv.
Cilat janë tendencat vendase për ofrimin e shërbimeve dhe ofrimin e standardeve?
Ka një qasje pozitive në disa zona pilot që kanë arritur zgjatjen e sezonit nga 80 deri në 110 ditë kryesisht në zonën e Golemit-Shkëmbit të Kavajës, duke krijuar një zinxhir hotelesh me paketa të plota shërbimi. Turistët vijnë kryesisht nga Lindja, duke dominuar Polonia dhe Ukraina. Për vitin 2017 ka kontrata dhe me Bjellorusinë. Bullgaria po paraqet interes gjithnjë e në rritje. Në momentin që flasim ka mbyllur kontratat për sezonin 2017. Ballkani është kthyer në BRAND, treg i rëndësishëm turistik, por ne nuk jemi të gatshëm ta shfrytëzojmë plotësisht këtë situatë.
Nëse Shqipëria do të përballet me këtë fluks, a ka mundësi ta përballojë me kapacitetin akomodues që ka aktualisht?
Numri i shtretërve në Shqipëri është i njëjtë me Maqedoninë që ka sigurisht disa herë më pak resurse turistike. Turizmi te ne vuan mungesën e kapaciteteve akomoduese, resortet me shërbime cilësore, si dhe një sezon të shkurtër 45-60 ditë në pjesën më të madhe të territorit. Kjo situatë në një periudhe afatmesme do të vazhdojë të na penalizojnë. Nuk është e rëndësishme të tërheqësh turistët që pranojnë aventurën, por ata që paguajnë për të pushuar me familjen apo shoqërinë, të cilët kërkojnë shërbime e standard.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.