Torf House (shtëpitë torfë) janë shtëpi tipike nordike të mbuluara me bar. Nëse mendonit se çatitë e mbuluara me bar ishin fryt i përtacisë së të zotëve të tyre, gaboheni. Kjo është një traditë që daton që nga epoka vikinge madje, shumë më parë, në atë romake.
Gjatë shekullit IX, kur vikingët arritën në Islandë, vendosën të ndërtonin ndërtesa që të izolonin të ftohtin brenda. Kjo teknikë është përdorur më parë nga romakët. Dëshmitë më antike gjenden në vende si Skocia, Irlanda, Norvegjia, Grenlanda, Ishujt Faroe dhe Vendet e Ulëta.
Në Islandë, shtëpitë torfë janë unike, pasi për t’i realizuar janë përdorur të paktat burime që gjenden në ishull. Ndërsa në vende të tjera nordike, druri ishte i pranishëm në sasi të mëdha, këtu konsiderohej një e mirë me rëndësi të madhe dhe shpesh importohej nga kontinenti. Ajo që nuk mungonte dhe që shërbeu si lëndë për ndërtimin e shtëpive, ishte guri i lavës, i cili kur bashkohej me tullat torfë (të pranishme në sasi të mëdha) dhe me gurë, rezultonte mjaft termoizolues.
Të vetmet pjesë të ndërtuara prej druri ishin fasada dhe struktura mbështetëse e çatisë, që pasi mbulohej me torfë, ndihmonte në rrjedhjen e ujit dhe në shkrirjen e borës.
Natyrisht jeta në këto shtëpi nuk ishte e lehtë dhe nuk kishin jetëgjatësi; mirëmbajtja ishte detyrim në varësi të cikleve të acarit. Edhe pozicioni i ndërtimit të tyre ishte strategjik. Zakonisht këto shtëpi ndërtoheshin në anët e kodrave, në mënyrë që torfa të përzihej me lehtësi natyrore. Komuniteti i ndërtonte këto shtëpi në grupe, ku jeta sociale ishte e përbashkët – hambarët, stallat, dhomat e shërbimeve ishin të gjitha të lidhura mes tyre (në mënyrë që nxehtësia të mos shpërndahej) dhe kuzhina ishte vendi i vetëm në shtëpi ku kishte oxhak.
Përse UNESCO i mbron Torf House islandeze?
Ndryshe nga vendet e tjera, ku kjo praktikë përdorej për të ndërtuar shtëpi për të varfrit, shtëpitë me qilim të gjelbër në Islandë janë ndryshe. Sipas Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, teknika e qilimit të gjelbër është unike pasi përdorej për të gjitha shtresat ekonomike dhe për gjithë llojet e ndërtesave (shtëpi, kisha, stalla…).
Edhe pse shtëpitë me qilim të gjelbër sot nuk janë të banuara të gjitha, mbeten në çdo rast dëshmia e drejtpërdrejtë e historisë së gjatë të një vendi me një lidhje të fortë me të kaluarën.
Përdorimi i vazhdueshëm në të gjithë vendin thekson rolin e tyre brenda peizazhit agrar në zhvillim të vazhdueshëm të fshatrave islandezë.