KOMPAKTJA C-HR
Harrojeni modelin Urban Cruiser: ky është sllogani i projektit të ri, i cili gjatë vitit do të realizojë prodhimin e konceptit C-HR, i parë në dy faza të njëpasnjëshme zhvillimi, fillimisht në Sallonin e Parisit në vitin 2014 dhe më pas në Frankfurt në 2015-ën. Për ata që e kanë harruar tashmë, duke qenë se modeli në fakt nuk ka qenë ndër më të paharrueshmit, Urban Cruiser përbën përpjekjen e parë (2008-2014) nga Toyota për të hyrë në sektorin e modeleve SUV kompakte, mes segmenteve B dhe C, treg i kryesuar nga Nissan Juke, Mini Countryman dhe së fundi edhe nga Fiat 500X dhe Jeep Renegade. Një segment tregu që shkëlqen, i vlerësuar nga konsumatorët dhe fitimprurës për prodhuesit, si për shkak të vëllimeve të shitjeve, ashtu edhe për marzhet e larta të fitimit. Fatkeqsisht Urban Cruiser gjeti miratim të vakët nga tregu, për një numër arsyesh: çmimi i lartë (për shkak se prodhohej vetëm në Japoni), në krahasim me atë që ofronte dhe dizajn disi i zakonshëm. Nga ana tjetër, C-HR nuk rrezikon një gjë të tillë: dinamik, i guximshëm dhe sportiv, duket se i ka të gjithë përbërësit për të përmbushur shijet bashkëkohore. Crossoveri i ri i Toyotas do të ndërtohet mbi platformën modulare NGA, shkurtim i New Global Architecture, e cila sipas prodhuesit ofron një qendër të ulët rëndese dhe ngurtësi strukturore. C-HR do të jetë modeli i dytë që përdor këtë platformë pas Prius, që u prezantua në mars. Versioni i prodhuar në seri do të jetë i gjatë rreth 4 metra e 35 centimetra, njësoj si modeli konceptual, por më e lartë (diçka më pak se 1 metër e 60, kundrejt 1 e 50 të konceptit). Nën kofano do të ketë motorët e Auris. Pra, një katër cilindra 1.2 litra turbo benzinë me 116 kf dhe një diesel 1.6 turbo me 112 kf. I sigurtë versioni hibrid, i cili do të përdorë të njëjtën skemë të veturës kompakte, me kontributin termik që i besohet motorit 1.8 benzinë me 136 kf. C-HR parashikohet të debutojë në Sallonin e Gjenevës dhe dalja në treg është fiksuar gjatë tremujorit të katërt. Prodhimi në Turqi lë të kuptohen çmime konkurruese.
NJË CROSSOVER I VOGËL ME DIZAJN ORIGJINAL, PËR TË KONKURRUAR ME NISSAN JUKE & CO.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.