Rritja e taksës së sigurimeve nga 3% në 10% që ka hyrë në fuqi në fillim të muajit janar ka dhënë ndikimin e saj në performancën e shoqërive të sigurimit. Muaji i parë i vitit duket se kanë shërbyer si “test” pasi rritja nuk është reflektuar në çmimet e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta TPL. Sipas të dhënave të AMF-së për muajin janar, tarifa mesatare e TPL-së u llogarit në rreth 16,900 lekë, afërisht sa në muajin shtator apo nëntor të vitit të kaluar ( shih grafik). Drejtuesit e shoqërive të sigurimit janë mbledhur për të vendosur mbi “fatin” e tarifave për konsumatorët, e që ka të ngjarë që të shkojnë në rritje.
Ata thonë se në vazhdim do të vendet nëse në tarifat finale do të reflektohet shifra me të cilën u rrit taksa e sigurimeve. “ Shteti na hoqi TVSH-në, por ne punojmë me serviset që punojnë me fatura dhe si rrjedhoj nuk subvencionohemi për këtë pjesë. Nga ana tjetër taksa e sigurimeve u rrit në 10%. Këto kanë ndikuar në xhirot tona dhe ne po studjojmë mundësinë që të rishikojmë tarifat e TPL-së”, thonë drejtuesit e disa prej shoqërive të sigurimeve.
Sipas të dhënave tëAMF-së vlera e primeve të shkruara bruto për sigurimet motorike në janar të këtij viti u llogarit në rreth 486 milionë lekë ose rreth 10% më pak se e njëjta periudhëe vitit të kaluar.
Ndërsa në një intervistë të dhënë për “Monitor” në fillim të këtij viti, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e AMF-së Enkeleda Shehi sqaronte se reflektimi i rritjes së taksës në 10% do të varej tërësisht nga politika që ndjek secila shoqëri sigurimi nëse taksa e re pasqyrohet në çmimin e sigurimit. “Përgjithësisht, në ekonominë shqiptare, ndryshimet në rritje të ngarkesës fiskale kanë tentuar të përfshihen të plota në çmimet e produkteve dhe të shërbimeve, pra ti ngarkohen konsumatorit. Përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm veprimi nuk bëjnë as produktet financiare, dhe konkretisht të sigurimeve. Gjitashtu, duke patur në vëmendje që sigurimi motorik ofrohet për një element të zakonshëm në shpenzimet e familjeve shqiptare, nuk pritet që kërkesa për këtë produkt të bjerë. Por mund të pritet që kërkesa për produktet vullnetare të jetë më e frenuar. Pra, në tërësi rritja e nivelit të ngarkesës fiskale nuk favorizon zgjerimin e tregut të sigurimeve”, sqaronte znj.Shehi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.