Neymar rrezikon deri në 6 vjet burg për shkak të parregullsive të gjetura në transferimin e tij nga klubi brazilian FC Santos te Barcelona në vitin 2013.
Këtë e bëri të ditur gjyqtari që po merret me çështjen Josè Maria Vazquez Honrubia. Futbollisti brazilian është akuzuar për “korrupsion” dhe “mashtrim”. Përveç sulmuesit të Paris Saint-Germain në Ligue 1, nën akuzë është edhe i ati i lojtarit, presidenti aktual i Barças, Josep Maria Bartomeu, dhe paraardhësi i tij, Sandro Rosell.
Neymar u transferua te gjigantët e spanjollë të La Liga-s në maj të vitit 2013, për një shumë prej 57.1 milionë eurosh. Edhe pse nuk u bë e ditur asnjë detaj financiar nga marrëveshja mes Barcelonës dhe klubit brazilian FC Santos, thuhet se prindërit e Neymar kanë përfituar 40 milionë euro, kurse klubi FC Santos, 17,1 euro. Sipas drejtësisë spanjolle, në fakt, shifra e transferimit është të paktën 83.3 milionë euro.
Në janar të vitit 2014, prokurorët në Madrid filluan hetimin për transferimin e lojtarit, pasi dokumentet e kërkuara nga autoritetet përmbanin informacione kontradiktore. Hetimi ndjek një denoncim të bërë nga DIS, një grup brazilian i cili zotëronte 40% të të drejtave të Neymar, rreth akuzave të “korrupsionit” dhe “mashtrimit” në transferimin e lojtarit te Barcelona.
Gjyqtari Vazques Honrubia theksoi që në teori, dënimi për këtë lloj krimi shkon nga katër në gjashtë vjet burgim. Për këtë arsye do të jenë tre gjyqtarë që do të vendosin për këtë rast, rrethanë që rrezikon ta zgjasë në kohë procesin.
Mbetet për t’u parë nëse Neymar do të përballet me një dënim të tillë. Në maj 2017, autoritetet spanjolle thanë që lojtari duhet të gjykohej, por deri më tani nuk është caktuar asnjë datë.