Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është lënë pas nga ai i Prishtinës dhe i Shkupit, sa i përket ritmit të rritjes së numrit të pasagjerëve që udhëtuan në 2016-n krahasuar me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të EX-Yu Aviation, numri i udhëtarëve që preferuan të fluturonin nga Aeroporti i Rinasit, në Tiranë, u rrit me rreth 11% në 2016-n krahasuar me vitin 2015. Në total, numri i pasagjerëve gjatë vitit të kaluar arriti në rreth 2.1 milionë.
Për po të njëjtën periudhë, nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” udhëtuan rreth 12.5% më shumë, nga ai i Podgoricës në Mal të Zi rreth 16.6%, ndërsa nga i Shkupit rreth 13.5% më shumë.
Edhe pse Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës realizon një përpunim më të madh në numër pasagjerësh se aeroportet e mësipërme, ritmi i rritjes nuk ka qenë i njëjtë. Shkak është mungesa e linjave ajrore me kosto të ulët, që në vendin tonë mungojnë. Pritet që në datë 4 prill të këtij viti, Wizz Air të nisë fluturimet e para direkte me Budapestin, në Hungari.
Ndërkohë aeroportet e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor prej kohësh iu gëzohen flukseve të larta që realizohen përmes këtyre shoqërive që ofrojnë çmime biletash të leverdishme.
Sipas të dhënave EX-Yu Aviation, të gjithë aeroportet e Ballkanit Perëndimor shënuan rritje të pasagjerëve në vitin 2016, përjashtim bën Aeroporti i Lubjanës, i cili pati një rënie prej 2.33%.
Aeroporti i Dubrovnikut ka shënuar rritjen më të madhe mes aeroporteve më të mëdha me rreth 17.7%.
Për herë të parë, më shumë se tre aeroporte shënuan rritje të numrit të pasagjerëve në më shumë se 2 milionë.
Aeroporti i Beogradit ‘Nikola Tesla’ ishte ndër më të zënët gjatë vitit 2016.
Në anën tjetër, aeroporti i Podgoricës tejkaloi konkurrentin tradicional që është Sarajeva, duke rimarrë vendin e 9 pas tre vitesh.
Aeroporti i Shkupit “Aleksandri i Madh” regjistroi gjithashtu një numër rekord pasagjerësh gjatë vitit 2016, me 1.649.376.
Numri i pasagjerëve sipas aeroporteve kryesore në Ballkanin Perëndimor | |||
Aeroporti | 2016 | 2015 | Ndryshimi (%) |
Beograd | 4.924.992 | 4.776.110 | ▲ 3.1 |
Zagreb | 2.766.087 | 2.587.798 | ▲ 6.9 |
Split | 2.289.987 | 1.995.400 | ▲ 17.1 |
Dubrovnik | 1.993.243 | 1.693.934 | ▲ 17.7 |
Prishtina | 1.743.208 | 1.549.198 | ▲ 12.5 |
Shkup | 1.649.374 | 1.452.375 | ▲ 13.6 |
Ljubljan | 1.404.831 | 1.438.304 | ▼ 2.3 |
Tivat | 982.558 | 895.006 | ▲ 9.8 |
Podgorica | 873.278 | 748.899 | ▲ 16.6 |
Sarajeva | 838.966 | 772.851 | ▲ 8.5 |
Tirana | 2,195,100 | 1,977,044 | ▲1 1.03 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.