Flet Alban Zusi, Kryetar i Shoqatës së Eksportuesve
Bizneset prodhuese duhet të ishin diferencuar tek taksa e re e ndërtesës për të paktën tre arsye, sipas kreut të Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi. Në një intervistë për “Monitor”, ai thekson se këto biznese nuk kanë qarkullim dhe norma fitimi si disa biznese të tjera, ushtrojnë aktivitetin në sipërfaqe që shkojnë me mijëra metra, çka nuk është njëlloj si një dyqan apo zyrë avokatie dhe, së treti, bëhen më pak konkurrues, duke ua vështirësuar rrugën drejt rritjes së eksporteve.
Z. Zusi ka një shqetësim nga bizneset, kryesisht prodhuese, lidhur me taksën e re të ndërtesës, ju si e shihni këtë?
Si nivel, taksa është e barabartë me objektet e tjera tregtare që kanë norma më të larta fitimi dhe qarkullim më të lartë. Ky është shqetësimi i parë që kemi. Së dyti, duhet të kemi parasysh që veprimtaritë prodhuese bujqësore dhe fermat kanë sipërfaqe shumë të mëdha. Ky nivel që aplikohet mund të jetë ndoshta normal, për një zyrë avokatie apo për një dyqan, pasi flasim për pak metra/katror, ndërsa për stallat dhe fermat, flasim për mijëra metra/katror. I treti problem lidhet me atë që ne deklarojmë shpesh, që duhet të kthehemi nga një ekonomi shërbimesh, në një ekonomi prodhuese, me qëllim që të zëvendësojmë importet.
Nuk mund të trajtohet njëlloj, si një veprimtari që do jetë aty, se konsumatorët kanë nevojë për të dhe sektori prodhues, i cili për të arritur këto objektiva, pra për të dalë në eksport, për të konkurruar importin dhe për ta zëvendësuar atë, ka nevojë për mbështetje dhe diferencim. Pra, s’mund të diferencojmë me politika fiskale, ndoshta sepse krijohen komplikime në skemë, por edhe kontestime në nivel ndërkombëtar, por ama asnjëra nga ndërkombëtaret s’mund të të thotë pse se takon si pronë biznesin prodhues. Një masë e tillë diferencuese do të ulte koston dhe do të lehtësonte barrën e prodhuesve për të arritur ato qëllime për të cilat flasim gjithmonë.
Ju keni ndonjë të dhënë sesa mund të shkojë detyrimi për këtë grup nga taksa e re e ndërtesës?
Kjo varet se për cilën kategori flasim, por nëse flasim për një fermë për shembull kjo taksë mund t’ju shkojnë 3-4 mijë euro. Duhet të kishte pasur një farë konsultimi për këtë pjesë, pasi ashtu sikurse ka grupe tek individët që janë trajtuar në mënyrë të diferencuar, duhet të shihej edhe te bizneset si opsion.
Ka dhe një paradoks tjetër që kemi konstatuar. Të gjithë objektet që kanë veprimtari prodhuese dhe janë aktivë duhet ta paguajnë këtë taksë kurse një biznes ngjitur me të, që e ka blerë ndërtesën përmes privatizimit dhe nuk e ka në funksion, nuk e paguan taksën. S’paguan asnjë taksë për pronën.
Si pritet të ndikojë ky nivel taksimi tek bizneset prodhuese?
Gjithmonë në uljen e fuqisë investuese, ose në ulje konkurrueshmërie të produkteve, sepse në të dyja këto hapësira do të alokohet. Në bizneset që janë relativisht të dobëta, do ta fusin si pjesë të çmimit dhe në këtë mënyrë, bëhen më pak konkurruese, ndërsa në bizneset që nuk janë në nivelet e konkurrencës së çmimit, por që janë biznese ku ne kemi sytë për investime dhe vende të reja pune, do të reflektohet në ulje të investimeve dhe vendeve të punës.
Pra do të ketë më pak nga të dyja. Efektet e taksave të tilla duken si të pandjeshme por ti duhet ta llogarisësh si efekt në një sektor të tërë, pra po t’i mbledhësh një nga një janë goxha vende pune që do t’i mungojnë ekonomisë. Efekti vlerësohet në afatgjatë, pas disa vitesh kur ekonomistët të pohojnë se ekonomia nuk është konkurruese dhe kjo në sajë të shumë, gjërave të vogla që duken sikur nuk kanë ndikim, por kur bëhen bashkë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.