Dy bankat më të mëdha të Sllovenisë, Nova Kreditna Banka Maribor dhe Nova Ljubljanska Banka, ishin në mesin e 25 bankave evropiane me mungesa të kapitalit, sipas një vlerësimi të publikuar nga Banka Qendrore Evropiane në 26 tetor. Të dy bankat sllovene janë gati për privatizim, pasi u shpëtuan nga qeveria në fund të 2013.
Banka e Sllovenisë tha në një deklaratë të publikuar më vonë më 26 tetor se gjendja në Nova Kreditna Banka Maribor (NKBM) dhe Nova Ljubljanska Banka (NLB) ishte përmirësuar që nga viti 2013. Një bankë e tretë sllovene, SID banka, është përfshirë në një seri paralele të testeve të stresit, publikuar gjithashtu më 26 tetor nga Autoriteti Bankar Europian (EBA).
Banka e Sllovenisë ka thënë se asnjë nga bankat sllovene të vlerësuara nuk do të shfaqë mungesë të kapitalit deri në fund të vitit 2016 nën skenarin e testeve të stresit. Ajo theksoio gjithashtu se NKBM dhe NLB kishin marrë masat e duhura për të adresuar mungesat e tyre të capitalit.
Bankat e zbuluara nga BQE-ja me mungesa të kapitalit duhet të përgatisin plane për ta adresuar situatën brenda dy javëve të ardhshme. Ato më pas do të kenë nëntë muaj në dispozicion për të zbatuar planet e tyre.