Tregu i drithërave pritet të jetë i vështirë për këtë vit, në mbarë botën.
FAO parashikon ulje të prodhimit, ndërsa konsumi vazhdon të mbetet në nivele të larta, duke prekur rezervat
Prodhimi i drithërave gjatë këtij viti pritet të bjerë me gati 3%, sipas parashikimeve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Sasia e prodhuar pritet të jetë 2.28 miliardë tonë nga 2.35 që ishte një vit më parë. Kjo si rezultat i vlerësimeve të fermerëve, por mbi të gjitha i kushteve të motit, të cilat nuk kanë qenë të favorshme në sezonin e mbjelljeve.
Sipas ekspertëve të FAO-s, ulja e prodhimit rrezikon të sjellë presione në tregje dhe të rrisë çmimin e shitjes.
Nga parashikimet e bëra për këtë vit, pritet që përdorimi total i drithërave të bjerë me 1.4% gjatë 2012-‘13, krahasuar me sezonin e kaluar, por që gjithsesi të mbetet mbi nivelet e prodhimit.
Rritje të shpejtë pritet të shënojë konsumi nga kafshët ndërsa konsumi human pritet të jetë në nivele të qëndrueshme sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Risia e këtij viti, sipas parashikimeve të FAO-s, është se nuk do të ketë ndonjë rritje të dukshme për përdorim industrial të drithërave. Prodhimi i biokarburanteve nga misri pritet të mbetet i qëndrueshëm pas disa vitesh rritje. Bazuar në parashikimet e hershme, të bëra muajt e fundit të vitit 2012 për prodhimin dhe përdorimin në nivel global të drithërave, niveli i rezervave të drithërave në fund të sezonit 2013 rrezikon të bjerë me 5%, duke zbritur në 497 milionë tonë.
Gjithsesi kjo nuk do të ndikojë në ndryshimin e nivelit të rezervave ndaj peshës së përdorimit, e cila vlerësohet të mbetet në rreth 22% të totalit të prodhimit.
Sipas vlerësimeve paraprake të FAO-s, tashmë edhe tregtia ndërkombëtare e drithërave po vazhdon të tkurret. Sasia që kalon kufijtë e vendeve ku prodhohet do të bjerë me rreth 7% sipas parashikimeve. Faktori kryesor që ka tkurrur tregtinë ndërkombëtare është çmimi i lartë i naftës. Kjo ka nxitur edhe vendet më pak prodhuese të rrisin sipërfaqet e mbjella me drithëra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.