Tregu i sigurimeve gjatë vitit 2016, bazuar në të dhënat zyrtare të 10/mujorit të ofruara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ka pasur një rritje prej 8.1%. Volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me rreth 899 milionë lekë duke arritur shifrën në rreth 12 miliardë lekë. Tregu i sigurimit Jo-jetë rezultoi më rritje të primeve të shkruara bruto në masën 8.75%.
Volumi i primeve të shkruara bruto u rrit me rreth 903 milionë lekë duke arritur në rreth 11.2 miliardë lekë. Sigurimi Jo-jetë vazhdon të dominojë tregun dhe zuri edhe peshën specifike më të madhe në tregun e sigurimeve në total më 93.02%.
Tregu i Sigurimit të Jetës u tkurr disi gjatë 2016-ës. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kapi shifrën e rreth 736 milionë lekëve duke shënuar një ulje në masën 3.45% krahasuar më një vit më parë, dhe zuri vetëm 6.13% të volumit të primeve të shkruara bruto në total, nga 6.87% që ishte një vit më parë).
Sipas AMF-së risitë e këtij viti në tregun e sigurimeve, lidhen me:
– Privatizimin e të vetmes shoqëri sigurimi më kapital tërësisht shtetëror miks jetë dhe
jojetë, INSIG, nga ku shoqëria e jetës dhe jo-jetës do të ndahen dhe do fillojnë aktivitetin e tyre veças, në Janar 2017.
– Hartimin e p/ligjit të sigurimit të detyrueshëm, i cili do të sjellë një manaxhim më të
mirë të BSHS (Byrosë së Sigurimeve), Fondit të Kompensimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorëve. Po ashtu do të gjejë zbatim edhe sistemi Bonus/Malus në mbështetje të përcaktimit adekuat të primit të sigurimit më qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.
– Ndryshimet në ligjin “Për Veprimtarinë e Sigurimit”, ndryshime të cilat synojnë përmirësime cilësore të treguesve të performancës, sidomos të aftësisë paguese.
Për tregun e sigurimeve, gjatë këtij viti mbetet sfidë realizimi i mbikëqyrjes me fokus rrezikun dhe ndërtimi i profilit të rrezikut për gjithë shoqëritë e sigurimit. Përfundimi i projektit “First Insurance – Shqipëria Reforma e Tregut të Sigurimeve” në bashkëpunim më BB, në Mars 2017, do të konturojë punën në kuadër të reformave rregullative për tregun e sigurimeve në mbështetje të rezultateve të projektit. Përveç sa më sipër AMF konsideron si sfidë të projektit edhe rritjen e peshës specifike të sigurimit vullnetar, përmirësimin e treguesve të performancës, përmirësimin e cilësisë së aktiviteteve siguruese, orientimin për një qeverisje më të mirë të shoqërive duke rritur standartet dhe cilësinë e burimeve njerëzore etj.
Sa i takon tregut të Fondit të Pensioneve gjatë vitit të kaluar u miratua manuali i mbikëqyrjes më bazë rreziku, si dhe strategjia për zgjerimin e mbulimit në tregun e pensioneve private, e cila përmban objektivat dhe planet afatmesme të veprimit për rritjen e pjesëmarrjes në skemat private
të pensionit.
Tregu i pensioneve vazhdon të ketë ritme të larta të rritjes, megjithëse shfaqet modest në krahasim më dy tregjet e tjera që mbikëqyren nga AMF. Totali i aseteve neto arriti në 8.70 milionë euro në fund të 10 mujorit. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve ishte rreth 16,000 duke shënuar rritje prej 27% krahasuar më fundin e vitit 2015.
Risi gjatë këtij viti është zgjerimi i këtij tregu edhe më një shoqëri administruese dhe një fond investimi të ri.
AMF gjatë vitit 2016 finalizoi edhe ndryshimet ligjore në ligjin aktual “Për Fondet e Pensionit Vullnetar”.
Ajo ka propozuar që të reflektohen këto ndryshime:
– rritja e masës së përjashtuar nga tatimi, të kontributit të çdo anëtari në një fond pensioni, nga 200,000 lekë në 240,000 lekë; dhe
– përjashtimi nga tatimi i të ardhurave nga pensioni, që do të përfitojnë anëtarët nga pjesëmarrja e tyrë në skemën private të pensionit vullnetar, nga i cili do të tatohet vetëm kthimi nga investimi.
Këto ndryshime janë kundërshtuar nga Ministria e Financave.
Sipas AMF-së sfidë në fushën e fondeve të pensioneve private vullnetare, do të jetë: nxitja e zgjerimit të kolonës së tretë; reforma e kolonës së dytë; zbatimi i mbikëqyrjes më bazë rrezikun; edukimi i publikut etj.
Ndërsa tregu i Fondeve të Investimit në Shqipëri, i cili filloi aktivitetin në vitin 2012, është zgjeruar në masë të konsiderueshme krahasuar dhe më vendet e rajonit, duke u renditur si tregu i dytë më i madh pas tregut bankar në vend, më 69.76 miliardë lekë ose rreth 500 mln Euro asete. Po ashtu edhe në krahasim më disa nga vendet e rajonit, pesha që zë ky treg apo edhe volumi i aseteve nën administrim janë konsiderueshëm më të larta. (Kështu gjatë 2015 asetet neto / PBB ishin, Sllovakia 7.24%; Sllovenia 5.89%; Rumania 6.61 %; Kroacia 5.23%; Shqiperia 4.90%; Greqia 4.02%; Bullgaria 0.90%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.