Në 2018-n nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar prandaj parashikohet që tregu i qendrave tregtare të jete i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele. Operatorët janë optimistë se do të ketë rritje të shitjeve në tregtinë me pakicë. Si pritet tregu i qiradhënies
Nga Deada Hyka
E kemi pohuar edhe më herët: Nëse ka një segment të tregut të pasurive të paluajtshme ku të gjithë bien dakord se oferta ka kaluar çdo limit të mundshëm në raport me kërkesën është pikërisht ai i qendrave tregtare. Aktualisht, Tirana ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, sipërfaqe kjo ndër më të lartat në Europë, në një vend që ka konsumin më të ulët në Europë, që është vetëm 37% e mesatares europiane, sipas Eurostat.
Toptani Shopping Center iu shtua tregut të shitjeve me pakicë në 2017-n, duke marketuar afërsinë në kryeqytet dhe duke e çuar një total sipërfaqen e Qendrave tregtare në 202,000 m2. Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës perëndimore të qytetit.
Gjatë vitit 2018, të gjithë do të jenë janë në garë për klientë. Prania e të gjithë këtyre qendrave në zonën e kryeqytetit e kanë ashpërsuar luftën mes tyre, të cilat në “kërkim “ të blerësve, zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurrues. Nga ana tjetër, dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar skonto të herë pas hershme.
“Në 2018-n, përveç ndryshimit të stokut të QTU, që do të shtojë sipërfaqen, nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar prandaj parashikojmë që tregu të jete i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele”, thotë Stela Dhami, Menaxhere e Collier Albania.
Të tjera qendra pritet t’i shtohen gradualisht Tiranës, por që do të jenë efektive pas vitit 2018. Kulla te stadiumi dhe kulla të tjera që pritet të ndërtohen kanë në plan të kenë hapësira tregtare. Ekspertët thonë se tregu i qendrave është tashmë i konsoliduar dhe me qendrat e tjera rrezikohet të krijohet mbiofertë në afatin e mesëm.
“Sektori i shitjeve me pakicë dinamik në 2018”
Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në 2017?
Viti 2017 shënoi një rritje të hapësirave të shitjes me pakicë në qendrat tregtare. Me saktësisht, Toptani Shopping Center rritin stokun me 24,000 m2 të hapësirave moderne, tregtare. Kjo qendër ka mundësuar sjelljen me afër konsumatorit të markave ndërkombëtare në qendër të Tiranës. Për vitin 2018 është parashikuar që qendra e parë në Shqipëri, Qendra Tregtare Univers të dyfishoje kapacitetin qiradhënës duke krijuar mundësinë për shumë marka të jenë prezente në këtë qendër edhe për qytetaret të pozicionuar ne pjesën Veri-Perëndimore të Tiranës. Tregu i retail është i konsoliduar dhe stoku i hapësirave tregtare ka arritur në 202,000 m2.
Përveç ndryshimit të stokut të QTU nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar prandaj parashikojmë që tregu të jete i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele. Kërkesa nga ana e qiramarrësve mbetet gjithmonë për qendrat që janë të drejtuara mirë, që ofrojnë marka tërheqëse për konsumatorin si edhe programe të ndryshme incentivuese për të tërhequr blerësit drejt tyre. Kërkesa për ambiente tregtare mbetet e madhe sidomos për hapësira në rrugët kryesore tregtare të Tiranës, si Myslym Shyri, Rr. Ibrahim Rugova, Rr. Brigada e VIII, Rruga Abdyl Frashëri në zonën e ish-Bllokut. Marka të reja tregtare pritet që të hyjnë ne treg sidomos ato të fashës së ulët-mesme të blerjes.
Kërkesa
Kërkesa për ambiente tregtare mbetet e madhe sidomos për hapësira në rrugët kryesore tregtare të Tiranës, si Myslym Shyri, Rr. Ibrahim Rugova, Rr. Brigada e VIII, Rruga Abdyl Frashëri në zonën e ish-Bllokut. Marka të reja tregtare pritet që të hyjnë ne treg sidomos ato të fashës së ulët-mesme të blerjes.
Po tregu i qirasë si është? A ka kërkesa dhe si pritet të vijojë?
Sektori mbetet dinamik, dhe kërkesat kryesisht vijnë nga qiramarrës të huaj që janë prezent ne treg ose ata që duan të zhvendosen drejt hapësirave më të mira. Qiramarrës të mëdhenj mbeten sektori bankar, si edhe operatorët telefonike qe eksportojnë shërbime jashtë vendit. Stoku i zyrave pritet të ketë ndryshime në stok, në afat të mesëm dhe të gjatë. Shumë prej projekteve të mëdha të aprovuara tashmë pritet që të fillojnë ndërtimin dhe të tërheqin drejt tyre edhe investitorë potenciale, të cilët serish e shikojnë investimin në pasuritë e paluajtshme një prej mënyrave me të mira të investimit në Shqipëri, sidomos duke konsideruar edhe normat e ulëta të interesit të ofruara nga sektori bankar.
Është për t’u theksuar se projektet të cilat do të kenë mundësinë për të tërhequr shumicën e blerësve janë ato të ndërtuara nga zhvillues serioz të cilët garantojnë cilësi superiore ndërtimi si edhe standarde ndërkombëtare. Pritet qe të kemi edhe interes nga zhvilluesit e mëdhenj lokal për të certifikuar godinat e tyre si godina të gjelbërta sipas sistemit amerikan LEED (Leadership in Energy and Environmental Design). Kjo do të ishte një risi për tregun shqiptar dhe do të garantonte cilësinë më të mirë të ndërtimit për këto godina. Stoku aktualisht është ne vlerën e 107,000 m2 dhe pritet qe të ndryshojë në afat të mesëm dhe të gjatë. Ky ndryshim pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë mbi nivelin e çmimeve të qirave të cilat sot për sot mbeten më të lartat ne rajon sidomos për sa i përket Klasit A të zyrave.
Po hoteleria çfarë zhvillimi mendohet të ketë në vitin 2018?
Sektori i hotelerisë, është ai nga i cili presim edhe më shumë zhvillime pozitive sidomos pas ndryshimeve të fundit në ligjin e turizmit i cili favorizon investitorët e hoteleve me 4 dhe 5 yje. Projektet kanë filluar të konkretizohen si në Tiranë, Bregdetin Adriatik edhe në atë Jonian. Pritet qe hotelet që do të ndërtohen të rrisin kapacitetin e shtretërve si edhe cilësinë e shërbimit duke sjellë edhe marka të reja të fushës së hotelerisë në tregun shqiptar. Këto projekte patjetër që do të favorizoheshin edhe me ndërhyrje të mëtejshme në infrastrukturë dhe me ndërtimin e aeroporteve rajonale që do të tërhiqnin edhe me shume turistë dhe do t’i bënin këto projekte me lehtësisht të aksesueshme.
Zhvillimet e pritshme
-Stoku total i Qendrave tregtare ka arritur në 202,000 m2. Tirana ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, shifër që dëshmon ngopjen e tregut. Aktorë të fushës së ndërtimit pohojnë se tregu rrezikon të pësojë goditje, ndërsa burime nga Qendrat Tregtare kryesore flasin me nota pozitive për shtimin e konkurrencës, gjë që sipas tyre përmirëson tregun.
– Për vitin 2018 është parashikuar që qendra e parë në Shqipëri, Qendra Tregtare Univers të dyfishoje kapacitetin qiradhënës duke krijuar mundësinë për shumë marka të jenë prezente në këtë qendër, edhe për qytetaret të pozicionuar ne pjesën Veri-Perëndimore të Tiranës. Vlera e investimit do të jetë 12 milion euro.
-Tregu i shitjeve me pakicë është i konsoliduar. Përveç ndryshimit të stokut të QTU, nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar, ndaj Colliers International parashikon që tregu të jetë i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele.
-Në vitin 2018 do të vijojë të jetë në fuqi ligji i cili përcakton se blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro. Sipas përfaqësuesve të dyqaneve të rrugëve tregtare, ata pritet të kenë aktivitet pozitiv, duke qenë se një pjesë e mirë e produkteve të veshjeve por sidomos produktet elektronike etj. tejkalojnë vlerën e lejuar të blerjeve.
Flet Julian Mane, Zv.president i Balfin Grup
“2018 pritet pozitive”
Si ka qenë ecuria e shitjeve me pakicë në 2017? Cilët sektorë panë rritje?
Ecuria e shitjeve me pakicë për grupin Balfin në vitin 2017 ka qenë mjaft pozitivë. Rritjen me të madhe e ka pasur sektori i produkteve ushqimore, në të cilin rrjeti i supermarketeve Spar është rritur ndjeshëm. Ajo që është pozitive në këtë sektor është që po forcohet konkurrenca dhe kjo i bën mire tregut në tërësi. Për sa i përket elektroshtëpiakeve rritja me e madhe ka ardhur prej shitjeve të mira të telefonave celulare. Edhe pse tregu i celularëve mbetet nga më informalët ne vend, konsumatori është i prirur që të zgjedhë rrjetet e besueshme që operojnë në këtë fushë, ku padyshim zgjedhja e parë e konsumatorëve ngelet kompania Neptun dhe rrjeti i ri i dedikuar i celularëve i quajtur Smart Point.
Zhvillime interesante ka në fushën e tregtimit të veshjeve, ku prezenca tashmë prej disa vitesh e rrjeteve ndërkombëtare si Zara, Mango, Cortefiel, Geox apo LC Waikiki po kontribuojnë ndjeshëm ne përmirësimin e kulturës së blerjes në këtë sektor.
Në kushtet e aksionit antiinformalitet, a u reflektua një përmirësim në këtë sektor?
Unë i vlerësoj përpjekjet serioze të qeverisë për të përmirësuar sadopak klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe sigurisht lufta ndaj informalitetit është drejtimi i duhur për të arritur këtë qëllim. Sigurisht kjo është diçka që do të kërkojë kohë por formalizimi i ekonomisë është e vetmja rrugë për zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe krijimit të kushteve të barabarta për të kryer biznes. Efektet e para kanë filluar të ndihen dhe nëse angazhimi i qeverise do të vazhdoje të jete këmbëngulës në këtë drejtim shumë shpejt rezultatet do të jenë akoma më të mira.
Cilët ishin vështirësitë kryesore të sektorit këtë vit?
Vështirësitë kryesore të vitit 2017 për sa i përket shitjeve me pakicë kanë ardhur kryesisht nga një proces i tejzgjatur elektoral i cili fatkeqësisht ne një ekonomi të vogël si e jona ka mjaft ndikim. Kjo ka të beje me ndikimin e klimës parazgjedhore dhe të procesit ne vetvete tek sjellja konsumatore.
Pasiguria reflektohet tek konsumatorët dhe ne situate të tilla shkakton një tkurrje të shpenzimit dhe rrjedhimisht të ardhura me të ulëta për biznesin. Natyrisht dhe informaliteti në ekonomi ka patur efektin e vet në ecurinë e shitjeve për vitin 2017.
Si pritet viti 2018? Çfarë planesh investimi keni?
Viti 2018 shpresoj qe të jetë i suksesshëm si për shitjet me pakice ashtu edhe për ekonominë shqiptare. Ne parashikojmë qe të kemi rritje të ndjeshme të shitjeve ne të gjithë sektorët ku operojmë, kjo për shkak edhe të zgjerimit të rrjeteve të dyqaneve me pakice të grupit Balfin. Në lidhje me investimet ajo qe vlen për tu përmendur është zgjerimi i numrit të dyqaneve të supermarketeve Spar, hapja e dyqaneve të reja të rrjetit Smart Point i cili është një projekt i ri i Balfin Group që tregton telefona celulare dhe shërbime e aksesore të lidhur me to.
Vlen për t’u përmendur se brenda vitit 2018 do të përfundojë edhe rinovimi me një vlerë prej 12 milion eurosh i Qendrës Tregtare Univers (QTU) e cila është qendra e pare tregtare në Shqipëri.
Balfin gjithashtu brenda vitit tjetër do të sjellë një format siç është ai i “Retail Park” i cili është një koncept qe funksionon mjaft mire ne vendet e Ballkanit dhe Europe dhe që i përshtatet mjaft mirë qyteteve të Shqipërisë jashtë Tiranës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.