Nëse ky nuk do të ishte një vit elektoral, atëherë ritmet e rritjes së tregut të çimentos nuk do të ndryshonin shumë në krahasim me vitin 2016.
Ky është parashikimi i drejtuesve të një prej prodhuesve më të rëndësishëm të tregut të çimentos në Shqipëri, Antea Cement.
Georgios Georgas, menaxheri tregtar dhe i rrjetit të furnizimit pranë kësaj kompanie, thotë se që nga viti 2009, tregu i çimentos në Shqipëri ka pësuar rënie me rreth 50%. Në këtë shifër nuk ka ndikuar vetëm tregu i banesave, por edhe faktorë të tjerë si paqartësia e titujve të pronësisë, mungesa e planeve vendore të zhvillimit, mungesa e projekteve të mëdha serioze që lidhen me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve etj. Sipas tij, qeveria ka paraqitur projekte, por ende nuk janë materializuar dhe që do të mund t’i jepnin një impuls tregut vendas të prodhimit. Ndikim në rënien e tregut ka dhënë edhe ulja e të ardhurave që shqiptarët e diasporës sjellin në atdhe, të ndikuar kryesisht edhe nga kriza ekonomike e financiare në Greqi dhe Itali. Më pak para në qarkullim ndikuar në një kërkesë më të ulët për këtë kategori lëndësh të para.
Në lidhje me projektin TAP, z. Georgas shprehet se në tregun e çimentos nuk ka pasur ndikim, duke qenë se bëhet fjalë për një projekt që për ekonominë do të ketë efekt në periudhë më afatgjatë, por jo me bazë vjetore. Në anën tjetër, edhe rruga Tiranë – Elbasan nuk ka dhënë ndikim gjatë vitit 2016, duke qenë se punimet rinisën vetëm pak kohë më parë.
Sipas tij, në këto kushte, prodhimi për tregun vendas orientohet vetëm sipas kërkesës, duke bërë që fabrika të mos punojë me kapacitetin e saj të plotë, që në total llogaritet në rreth 1.3 milionë tonë në vit.
E në kushtet kur sektori i ndërtimit është i mbingopur, prodhuesit e lëndëve të para do të duhet të gjejnë rrugët për të mbijetuar.
Georgios Georgas, i Antea Cement, thotë se më shumë se për një sektor ndërtimi në krizë, do të duhet të flitet për një treg që po korrektohet. “Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por një sjellje që është vënë re edhe në tregjet e tjera, kryesisht ato të rajonit. Në vend ka mungesë zhvillimi të projekteve të mëdha infrastrukturore nga qeveria. Projektet kryesisht zhvillohen në rajonin Tiranë – Durrës, duke bërë që të ketë një shpërndarje jo të drejtë në rajonet e tjera të vendit”, thotë z. Georgas.
Sa i përket aktivitetit të kompanisë, ai thotë se shitjet në tregun e brendshëm janë diktuar në varësi të kërkesës.
Eksporti është orientuar kryesisht drejt Italisë dhe vendeve të Afrikës së Veriut dhe në sasi të vogla në Malin e Zi.
Sipas drejtuesve të kompanisë, po shihen mundësitë për t’u angazhuar me ndërtimin e projektit TAP, në furnizimin me çimento, duke qenë se 2017-a do të jetë një vit kulmor. Ndërsa në lidhje me Rrugën e Arbërit, kompania tha se nuk ka një gjë konkrete për angazhimin në të.
Por, një nga ‘thembrat e Akilit’ për ecurinë e këtij sektori në Shqipëri mbetet padyshim mungesa e infrastrukturës, qoftë ajo rrugore apo detare. Pasja e një infrastrukture moderne, thotë z. Georgas, do të ndikonte në rritjen e eksporteve dhe në futjen e tregjeve që sot kanë potencial të madh, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Afrikës së Veriut.
Gjendja e rrugëve dhe ajo e Portit të Durrësit, ku mungojnë kapacitetet për përpunimin e anijeve të tonazhit të lartë na bëjnë të mos jemi konkurrues në krahasim me vendet e tjera. Aksesi i vështirë rrit kostot e transportit dhe si rrjedhim bën që çmimet me të cilat shkohet drejt tregjeve të tjera të mos jenë konkurruese. Ndërsa nuk mund të flitet për mundësi përmes transportit hekurudhor, i cili është pothuajse inekzistent.
Përmirësimi i infrastrukturës do të sillte ndryshim thelbësor në tregun e çimentos në Shqipëri, duke bërë atë më konkurrues. Ndryshim do të kishte edhe në politikën e çmimeve, të cilat aktualisht janë më të ulëta në krahasim me vendet e rajonit.
Për z. Georgas, viti 2017 është elektoral dhe mund të ketë ndonjë zhvillim sa iu përket investimeve që do të ndërmerren me paratë e buxhetit të shtetit, por në mungesë të zgjedhjeve, performanca nuk do të ndryshonte shumë nga ajo e 2016-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.