Rritja e shpejtë e xhiros së universiteteve në vitet 2008-2011 dhe frenimi në dy vitet e fundit. Nga kthimet e larta në 40-60% deri te humbjet…
Nga Ornela Liperi
Modeli i biznesit i arsimit privat universitar rezultoi i suksesshëm për një periudhë të shkurtër, pas vitit 2005, kur nisi lulezimi i tyre, sidomos për dy universitete masive, Albanian University (ish-UFO) dhe Kristal. Të dy këto institucione shënuan rritje të shpejtë të xhiros në vitet 2009-2011.
Albanian University (licenca e të cilit u pezullua së fundmi) është universiteti jopublik më i madh në vend, që pa një rritje dyshifrore në periudhën 2008-2011, për të arritur në 1.28 miliardë lekë, apo 9.2 milionë euro, me një normë fitimi rekord prej 37% në vitin 2011. Më pas kompania pa një tkurrje relativisht të lehtë të të ardhurave.
I dyti në garën e diplomave ishte Kristal (të cilit iu hoq licenca), i cili gjithashtu pa një trefishim të të ardhurave në 2011-n, në 4.4 milionë euro, ndërsa institucioni në gjithë këto vite ka deklaruar fitime minimale ose shpesh humbje. Edhe Kristal raporton rënie të qarkullimit vjetor në vitin e mëpasshëm, megjithëse tkurrja nuk është shumë e lartë (minus 3%), duke pasur parasysh që universiteti u pezullua përkohësisht atë vit, pas skandalit të dhënies së diplomave te të huajt.
University of New York Tirana (që “shpëtoi” me një vërejtje), paraqitet me një aktivitet më të qëndrueshëm, teksa ka qenë më i segmentuar dhe më selektiv, megjithatë rënia për këtë institucion u konstatua në 2013, kur të ardhurat e tij u tkurrën me 3.2% me bazë vjetore, në 2.8 milionë euro.
Universiteti Europian i Tiranës -UET (edhe ai në listën e të paralajmëruarve) që prej vitit 2012 rezulton si shkolla e lartë jopublike e dytë më e madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor. UET është nga të paktat universitete që kanë arritur të regjistrojë rritje në vitin 2013 (+10% në 4.9 milionë euro), me një normë fitimi (para taksave) prej 9%.
Universitetet e tjera janë relativisht të vogla, me një xhiro vjetore më të ulët se 2 milionë euro.
Deri në 2012-n, disa universitete raportuan norma të larta fitimi, që arrinin deri në gati 60% (Luarasi në vitin 2008). Albanian University (ish-UFO) dhe Justiniani I ishin të tjera institucione me norma të larta fitimi.
Albanian University e vijon këtë prirje, duke raportuar një normë fitimi (para taksave) prej 32% në 2013-n, ndërsa Justiniani I (tashmë i pezulluar) kishte një marzh minimal fitimi prej 5% në 2013-n.
Luarasi nuk arriti ta marrë veten nga problemet e brendshme, pas vitit 2011, duke rezultuar me një xhiro minimale prej 0.6 milionë eurosh në 2013-n (nga 2 milionë euro në 2011-n) dhe duke raportuar humbje për të dytin vit radhazi.
Të mbyllurat, biznes prej gati 10 milionë eurosh
Universitetet kryesore, të cilave iu hoq licenca së fundmi nga qeveria, realizuan një xhiro vjetore prej rreth 10 milionë eurosh në vitin 2012, sipas të dhënave të bilanceve të tyre. Peshën kryesore e mbante Kristal, me gati gjysmën e kësaj shume.
I dyti renditet Vitrina, me një xhiro prej gati 1.8 milionë eurosh në 2012, për të rënë me 47% në 2013-n.
Edhe universitetet e tjera në këtë kategori e kishin nisur tashmë rënien, që duket se vetëm u përshpejtua nga vendimi i qeverisë (shiko tabelën: Të dhëna financiare të Universiteteve më të mëdha që iu është hequr licenca).
Të pezulluarit, qarkullim më shumë se 15 milionë euro në 2013-n
Listën e të pezulluarve e kryeson Albanian University, me një xhiro vjetore prej 9.2 milionë eurosh, i ndjekur nga Aldent, me një qarkullim prej 0.75 milionë eurosh për vitin 2013.
Universitetet e tjera janë relativisht të vogla dhe kanë deklaruar të ardhura më të ulëta se 500 mijë euro vitin e kaluar.
Universitetet private, një treg total prej rreth 40 milionë eurosh
Vlerësohet, – në bazë të bilanceve të publikuara nga subjektet kryesore – që tregu i shkollave të larta jo publike ka qarkulluar në vitin 2013 rreth 40 milionë euro, me një rënie prej rreth 6%, për shkak të tkurrjes së universiteteve kryesore.
Vetëm UFO, Kristal, UET dhe University of New York Tirana (katër më të mëdhenjtë) kishin një qarkullim vjetor prej rreth 20 milionë eurosh, duke zënë gjysmën e këtij tregu.
Sipas numrit të studentëve, më i madhi në vend është Kristal, i ndjekur nga Albanian University, Vitrina (që renditet i pesti në bazë të xhiros për shkak të çmimeve të ulëta që ofron), UET, Zoja e Këshillit të Mirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.