Tregu i retail-it në Shqipëri pritet të shënojë ecuri pozitive gjatë këtij viti, pasi ka lënë tashmë një periudhë të vështirë, vitin 2013.
Drejtuesit e kompanisë ndërkombëtare të real-estate, Colliers International, presin ndryshime pozitive në tregun e retail me hyrjen në treg të Inditex Group, prodhuesi i Zara, Bershka, Stradivarius, Pull&Bear dhe Massimo Dutti.
Dyqanet e kësaj kompanie do të zënë një sipërfaqe prej mbi 5,000 m² në qendrën tregtare TEG. Një tjetër impakt pozitiv pritet të japë edhe zgjerimi i mëtejshëm i hipermarketit Carrefour.
“Ajo që ne vërejmë është rritja e kërkesës për ambiente zyrash, por me qira me çmime mesatare dhe të vendosura në qendra biznesi”, thotë për revistën “Monitor”, drejtorja e Colliers për Shqipërinë, Stela Dhami.
Ekspertët vërejnë interes në rritje të korporatave për të konsoliduar hapësirat komerciale në një hapësirë të vetme, kjo shumë e rëndësishme, sidomos për bizneset e call center dhe bankave.
Bizneset e call center janë në zhvillim të shpejtë në vend si pasojë e kostos së ulët të fuqisë punëtore këtu dhe njohurive të mira të gjuhës italiane.
“Një tjetër fakt që ne kemi vënë re dhe që presim të vijojë në këtë vit është kërkesa mesatare për hapësira industriale me gjithë shtimin e stokut të këtyre hapësirave në treg. Ka gjithashtu kërkesë në rritje për apartamente banimi të cilësisë së mirë rreth qendrës, sidomos në komplekse që ofrojnë shumë shërbime”, thotë znj. Dhami.
Pritshmëritë në botë
“Në të gjithë botën, ne parashikojmë që investitorët të jenë në kërkim për t’u zhvilluar në tregjet e huaja, ku investitorët europianë do të përqendrohen në Gjermani, Poloni, Spanjë dhe Irlandë, ndërsa investitorët kinezë do të lëvizin në Europë dhe në Amerikë”, tha DK Conway, ekonomisti kryesor në Colliers International.
Me kapërcimin e krizës së borxheve në Europë, kërkesa do të rimëkëmbet në Mbretërinë e Bashkuar, Itali, Gjermani dhe Spanjë. Si rezultat, besimi në mesin e investitorëve në Mbretërinë e Bashkuar do të rritet në vitin 2014.
Parashikimi
-Përmirësimi i situatës ekonomike në Eurozonë dhe rikthimi i interesit të investitorëve për të investuar në Europë
-Përmirësime në infrastrukturë, në Lindjen e Mesme, që pritet të rrisin investimet
-Rritje e tregut të zyrave në Azi
-Rritje të interesave në Amerikë dhe të çmimeve të shtëpive, por rritje e vogël ekonomike
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.