Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka vendosur të shtrëngojë kushtet për personat që miratohen apo licencohen për të ushtruar veprimtarinë e agjentit në sigurime. Ndryshimet e fundit në rregulloren e vitit 2015 që kanë në fokus pikërisht këtë aktivitet sanksionojnë se tek kriteret për miratimin e agjentit në sigurime duhet të garantohet edhe pjesa që ai nuk është i dënuar me vendim të formës së prerë. Konkretisht në nenin 3 të rregullores ku përcaktohen kriteret pas arsimimit, kualifikimeve profesionale në fushën e sigurimeve ka ndryshuar pika e tretë e cila shprehimisht thotë se agjenti “Nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për ndonjë vepër penale. Ndaj tij nuk ka në proces çështje penale në Prokurori apo Gjykatë.”
Sakaq në nenin 4 ku nënvizohet dokumentacioni që duhet të dorëzohet pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për tu miratuar apo licencuar si agjent në sigurime. Ky dokumentacion përfshin veç të tjerave edhe CV, diplomën e shkollës, dokumente që vërtetojnë kualifikimin kurse shtesa e fundit e bërë në rregullore kërkon edhe e vërtetime nga Prokuroria e Gjykata se ndaj tij nuk ka në proces çështje penale.
Një pikë tjetër e ndryshuar nga ana e AMF është ajo për kontratën që kompania e sigurimit duhet të nënshkruaje me agjentin si dhe kontrata e qirasë për ambientin.
“Përveç dokumentacionit të mësipërm, shoqëria e sigurimit depoziton një kopje të kontratës me aplikantin për kryerjen e veprimtarisë së agjentit, si dhe kopje të noterizuara të kontratës së qerasë, apo të certifikatës së pronësisë të mjedisit ku do të ushtrohet veprimtaria e agjentit” thuhet në pikën 3 të nenit 3 të rregullores së ndryshuar.
Në fund AMF ka përcaktuar edhe mënyrën sesi do të bëhet kontrolli për përmbushjen e kushteve ku përveçse është specifikuar drejtoria që do të monitorojë këtë pjesë edhe vizitat në terren.
“Monitorimi i përmbushjes së kërkesave bëhet nga Sektori i Mbikëqyrjes së Ndërmjetësve në Departamentin e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve nëpërmjet inspektimeve në vend dhe/ose off site” thuhet në nenin 12 në fund të pikës 1.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Numri i agjentit në regjistrin e agjentëve si vendoset