Tregu i arsimit të lartë në Shqipëri është liberalizuar aq shumë gjatë viteve të fundit sa rreziku i produkteve skarco tashmë është me prezent dhe më i mundshëm. Sot numërohen gati 60 universitete private (duke llogaritur që një universitet ka degë dhe në rrethe), nga të cilët 40 vetëm në Tiranë, sipas të dhënave më të fundit zyrtare, ku për vitin akademik 2009/2010 studionin rreth 21 mijë studentë. Kjo shifër përbën gati 20% të totalit të studentëve në vend për atë vit akademik, nga 5% që ishte pesha në vitin akademik 2006/2007.
Natyrshëm, ky shtim i universiteteve ka rritur dhe konkurrencën mes këtyre institucioneve të edukimit të lartë. Parimisht nga konkurrenca pritet të dalin produkte më të mira, një teori kjo e vërtetuar për pjesën më të madhe të tregjeve, sidomos të atyre që ofrojnë mallra e shërbime të konsumit të përditshëm. Por a po ndodh e njëjta gjë dhe me tregun e edukimit të lartë dhe a duhet të lihej të liberalizohej me kaq shpejtësi dhe në një farë mënyre jashtë një kontrolli të rreptë?!
Ndryshe nga bizneset, që ofrojnë një produkt të konsumit të përditshëm, universitetet nuk i shërbejnë vetëm pritshmërive të individëve, që shkollohen në këto auditorë, por cekin më gjerë: ato shtrojnë rrugën drejt së ardhmes së një kombi, pasi arsimi kthehet për një komb në avantazhin më të madh për të rritur aftësinë konkurruese. Por fatkeqësisht ka pasur raste që institucionet e larta arsimore private kanë marrë një licencë pa plotësuar kushtet (të cilat kanë premtuar se do t´i përmbushin gjatë rrugës), apo dhe kanë shërbyer si furnizues në treg të diplomave të pamerituara (mund të merrje një diplomë dhe vetëm duke paguar pa pasur nevojë ta ndiqje rregullisht shkollën), duke shtrembëruar konkurrencën në tregun e punës dhe duke e detyruar këtë të fundit të bëjë një vetë-seleksionim të këtyre institucioneve.
Është e vërtetë që sot universitetet po përqendrohen dukshëm te promovimi i cilësisë dhe diplomave të merituara (disa po përpiqen me forcë të ndryshojnë imazhin e të kaluarës), por ende sot në “tregun” e universiteteve ka amulli.
Së pari ende kandidatët për studentë në këto universitete kanë një skedë të dukshme të diferencuar të cilësisë së produkteve të ofruar. Askush sot nuk e di se cili universitet është më i mirë dhe cili më pak i mirë, kush ofron më shumë dhe kush më pak (rankimi i fundit nuk arriti të japë një përgjigje të qartë të kësaj dileme). Së dyti, ende nuk dihet se cila diplomë e këtyre universiteteve është më e vlefshme se tjetra, se cila kërkohet më shumë në tregun e punës dhe cila më pak. Së treti, nuk ka një analizë të qartë që do të përputhte nevojat e tregut të punës me edukimin e kërkuar (ka një inflacion juristësh e ekonomistësh dhe vetëm vitin e fundit po zhvillohet disi arsimi teknik).
Në krye të editorialit u shprehëm se ky është tregu i universiteteve, por që nuk duhet trajtuar si i tillë. Ndaj, edhe sikur të jetë treg, ai është sensitiv. Për këtë arsye agjencitë qeveritare duhet të luajnë rolin e rregullatorit dhe mbikëqyrësit të këtij tregu. Së dyti jo vetëm qeveritë, por vetë universitetet duhet të ndjekin nevojat e tregut të punës, në mënyrë që të diplomuarit, edhe pse mund të kenë cilësi, të mos mbeten të papunë, sepse në këtë kundërt do të rezultonte fatkeqësisht produkt skarco. Sot tregu i universiteteve plotëson më shumë kushtin e tregut që prodhon diploma dhe pak dije.