“Tregu informal problemi kryesor”

02/10/2018 4:46 PM 0 komente

Flet Presidenti i Megatek, Dionis Teqja

 

Z. Dionis Teqja, President i Megatek, në një intervistë për “Monitor”, pohon se në fillim ishte shumë e vështirë të operoje në sektorin e “bëje vetë”, pasi konsumatorët shqiptarë nuk kanë qenë të mësuar me filozofinë që produkti merret vetë, montohet vetë. Më pak kultura e konsumatorëve filloi të ndryshonte. Ai pohon se sfidë e momentit, e trashëguar që herët, mbetet tregu informal…

Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj ndër vite?

Megatek daton herët në tregun shqiptar, që me hapjen e tij në dhjetor 2009. Fillimet kanë qenë sfiduese, për shkak të krizës së atyre viteve, por në vijim ka pasur një rritje organike të qëndrueshme. Tashmë Megatek është një biznes i konsoliduar në Shqipëri dhe rajon. Ritmet e rritjes po vijojnë të jenë pozitive, çka na bën të synojmë shtrirjen jo vetëm në Europë, por edhe në Azi. Në tregun vendas, rritja shënohet rreth + 29% deri në +32% nga viti në vit.

Si ka ndryshuar tregu i DIY pas mbylljes së Praktiker dhe La Prealpina?

Megatek e ndërtoi formatin e biznesit duke mos u bazuar në tregun lokal, por ndërtoi një model biznesi që përqafon atë të tregut europian dhe amerikan, sidomos me ofrimin e gamës së shumëllojshme të produkteve bëje vetë. Pra, një hapësirë e konsiderueshme ku konsumatori gjen çdo gjë, në një vizitë të vetme. Formati ynë i biznesit u mbështet në kompanitë më të suksesshme të këtyre vendeve, jemi përpjekur të përshtasim stilin dhe portofolin me gamën e produkteve të cilat sigurisht i kemi përzgjedhur me shumë kujdes, duke u fokusuar te shija e konsumatorëve shqiptarë dhe ajo e tregut mesdhetar (Itali, Greqi, Spanjë) për t’ju afruar kërkesës së konsumatorit.

Mendojmë se ajo çfarë na ndihmoi të ecim me hapa të mirë biznesi ishte ruajtja e diversifikimit në portofolin e produkteve dhe çmimi konkurrues. Gjatë 9 viteve të tij të operimit, Megatek ka evoluar në terma të biznesit, është përshtatur dhe rritur, duke u larguar nga Megatek i ditës së parë. Gjatë këtyre 9 viteve, shumë kompani të njohura europiane që operojnë në të njëjtin sektor dështuan. Ndryshimet që sot vëmë re janë në shërbimin shumë cilësor për klientin, rritjen e ndjeshme të cilësisë dhe dizajnit të produkteve, si dhe në rritjen e shumëllojshmërisë së markave më të njohura të tregut botëror.

A ka ndryshuar mendësia e shqiptarëve në funksion të përqafimit të këtij sektori të tregut?

Ka qenë shumë e vështirë të operoje në një sektor të tillë, pasi konsumatorët shqiptarë nuk kanë qenë të mësuar me filozofinë që produkti merret vetë, montohet vetë. Me kalimin e viteve, për një pjesë të produkteve kemi ofruar montimin e tyre nga stafi ynë, i cili është trajnuar shumë mirë. Sot ka një ndryshim të madh në përqasjen e konsumatorit, ata janë më të qartë në mënyrën se si blihet, se si montohet dhe në mënyrën se si kërkojnë mbështetje më profesionale nga stafi inxhiniero-teknik i Megatek.

Cilat janë produktet më të preferuara (të shitura)?

Të gjithë departamentet kanë ecuri të mirë, në bazë të portofolit të diversifikuar të produkteve. Çdo departament ka përfshirë edhe sektorin sezonal, i cili ofron, sipas stinës apo muajit, produkte specifike. Në rastin konkret kopshtaria në stinën e pranverës; në sezonin veror, artikujt e plazhit; në sezonin e kthimit në shkollë mobilimin dhe artikujt e nevojshëm për nxënësit, studentët dhe zyrat për bizneset; gjatë sezonit të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri, ku çdo biznes apo familje gjatë nëntor – dhjetor dekoron ambientet e tyre për t’i bërë ato më festive.

Çfarë vështirësish ka të operosh në tregun shqiptar?

Elementi që has më tepër vështirësi një biznes i mirëfilltë në Shqipëri, sidomos korporatat, është niveli i lartë i informalitetit. Edhe në sektorin që ne operojmë, bizneset informale janë një “konkurrent jo i ndershëm” dhe sigurisht më pak cilësor. Ne po përpiqemi ta fitojmë këtë betejë, duke punuar me normë të ulët fitimi dhe produkte cilësore të garantuara nga markat më të mira ndërkombëtare.

Duke marrë në konsideratë edhe aktivitetin tuaj në rajon dhe më gjerë, çfarë ndryshimesh ka me tregun shqiptar?

Është i thjeshtë fakti që, në tregun europian, Megatek bën tre herë më shumë xhiro se sa në tregun shqiptar pa u dashur të shpenzojë kaq shumë energji. Tregu i zhvilluar europian është më i konsoliduar dhe konsumatorët janë të edukuar në mënyrën se si bëjnë ‘shopping’. Në këto vende, informaliteti është më i ulët dhe bizneset janë të mirëstrukturuara. Në tregun europian nuk ekziston gjobëvënia apo rivlerësimi në mënyrë të kundërligjshme i taksës nga punonjës të administratave doganore dhe tatimore.

Në këtë mënyrë, bizneset janë më të fokusuara te zhvillimi i biznesit dhe hapja e vendeve të reja të punës se sa stresi që i krijohet biznesit në Shqipëri dhe humbja e kohës duke u marrë me institucionet e ndryshme të administratës shtetërore. Këto janë disa nga ndryshimet që ka tregu i strukturuar europian apo aziatik, me tregun e vështirë shqiptar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of