Flet Dietmar Reiner, drejtori menaxhues i kompanisë “Energji Ashta”
Si e vlerësoni tregun energjetik në Shqipëri? Cilat janë problemet kryesore dhe si mund të zgjidhen ato?
Ne mund t’ju japim vetëm mendimin tonë mbi tregun shqiptar të energjisë (elektricitetit). Ky sektor po përballet ende me vështirësi, kryesisht për shkak të humbjeve të mëdha në sektorin e shpërndarjes dhe problemeve pas privatizimit të kompanisë shpërndarëse. Kjo u shkakton shumë vështirësi të gjithë lojtarëve në treg. Çështja kryesore është niveli i ulët i likuiditetit të sistemit, pasi vetëm 50% e energjisë së injektuar në rrjet i paguhet operatorit të sistemit të shpërndarjes. Të gjithë prodhuesit e energjisë, qofshin privatë apo shtetërorë, vuajnë nga mospagimi. Qeveria duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar situatën. Situata aktuale në Shqipëri është një miksim i një liberalizimi të nisur dhe të dominuar ende nga kompani shtetërore. Ashtu sikurse në sektorin e telekomunikacionit apo sektorë të ngjashëm, marrësi i një shërbimi duhet të paguajë një çmim konkurrues, të përcaktuar nga tregu. Përmirësimi i sistemit të faturimit dhe mbledhja e pagesave në sistemin e shpërndarjes është kriteri më i rëndësishëm për të tejkaluar krizën e sektorit të energjisë.
A është tregu shqiptar i gatshëm për t’u realizuar dhe çfarë duhet të ketë parasysh qeveria shqiptare?
Shqipëria e ka nisur prej disa vitesh procesin e liberalizimit të tregut të energjisë me shpërbërjen e monopolit shtetëror, por fatkeqësisht ky proces ka ngecur dhe tani gjendet në një krizë të thellë. Që tregu të liberalizohet ka nevojë për një përmasë të caktuar për të siguruar konkurrencë të mjaftueshme. Tregu shqiptar me 3 milionë banorët e vet është shumë i vogël. Shqipëria duhet të krijojë linja interkonjeksioni me shtetet fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Italia (linja e tensionit të lartë me Malin e Zi ekziston). Këto linja duhet t’u ofrohen në mënyrë të hapur në një sistem ankandi elektronik tregtuesve të energjisë për të lejuar rrjedhje të lirë të këtij shërbimi dhe për të lejuar edhe akses në tregje të tjera. Këto masa do të lejojnë krijimin e një tregu më të madh energjie në Ballkan duke rritur volume tregtare, si dhe duke mundësuar përcaktimin e çmimeve nga tregu, të painfluencuara nga lojtarët vendas. Barra financiare mbi prodhuesit e pavarur të energjisë brenda vendit është shumë e madhe dhe e vështirë për t’u parashikuar. Për sa kohë kjo situatë nuk po përmirësohet për qeverinë do të jetë e vështirë ta bëjë tërheqës tregun për investime të reja.
Çfarë pritet të sjellë liberalizimi i tregut për ju si operator privat?
Energji Ashta ka një marrëveshje 15-vjeçare për shitjen e energjisë te KESH-i, me efekt prej datës 28.03.2013. Energji Ashta është e angazhuar ndaj këtij partneri kontraktues, ndaj nuk mund të marrë pjesë në tregun e lirë duke u bazuar në marrëveshjen kontraktuale ekzistuese.
Me liberalizimin, a do të mund të dalë Shqipëria në një treg më të gjerë?
Shqipëria mund të përfitojë nga një treg më i madh energjie vetëm nëse ka linja interkonjeksioni me të gjitha shtetet fqinje dhe nëse këto kapacitete ndërkufitare janë të aksesueshme nga të gjithë pjesëmarrësit në mënyrë të barabartë. Operatorët privatë dhe shtetërorë duhet të kenë të njëjtat të drejta dhe detyrime në një treg të liberalizuar. Një sistem modern ankandi i bazuar në një softuer duhet të implementohet për t’i dhënë akses në treg edhe tregtuesve ndërkombëtarë. Prania më e madhe e pjesëmarrësve do të rrisë transparencën dhe konkurrencën.
Si kanë ndikuar reshjet në prodhimin e energjisë, a janë rritur kuotat mbi pritshmërinë?
Momentalisht prodhimi është ende ndjeshëm nën mesataren vjetore. Sidoqoftë reshjet e javëve të shkuara kanë përmirësuar ndjeshëm pritshmëritë e prodhimit për periudhën e verës, pasi rezervuarët në rrjedhën e sipërme të lumit Drin janë mbushur.
Reiner: Tregu shqiptar me 3 milionë banorët e vet është shumë i vogël. Shqipëria duhet të krijojë linja interkonjeksioni me shtetet fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Italia (linja e tensionit të lartë me Malin e Zi ekziston). Këto linja duhet t’u ofrohen në mënyrë të hapur në një sistem ankandi elektronik tregtuesve të energjisë për të lejuar rrjedhje të lirë të këtij shërbimi dhe për të lejuar edhe akses në tregje të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.