Intervista/ Flet administratori i Landeslease, Dorin Maraku
Tregu i qirasë financiare po njeh rritje të lehtë nga viti në vit, pas riformatimeve që iu nënshtrua në fazat paraprake të tij, si dhe nën efektin e post-krizës. Kontributin kryesor sot po e jep segmenti i mjeteve të reja, ndërkohë që asetet e tjera mbeten pak të eksploruara.
Administratori i Landeslease, Dorin Maraku, tha për “Monitor” se sfidë mbetet edukimi i konsumatorit mbi tregun e qirasë financiare, ndërkohë që themelore mbetet zgjidhja e disa ngërçeve që ka ky treg, në mënyrë që të kemi përmirësim të ecurisë.
Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?
Ecuria e tregut të qirasë financiare (leasing) gjatë 2017-s ka qenë relativisht pozitive krahasuar me tre vitet e fundit, duke shënuar rritje të lehtë, e ndikuar kryesisht nga financimi i mjeteve të reja, të cilat vijojnë të përbëjnë burimin kryesor të këtij tregu. Pritshmëritë për fundvitin, duke analizuar trendin aktual, mbeten gjithashtu pozitive, sa u përket disbursimeve të reja, pasi pritet të shënohet një rrije me 10% e këtij tregu në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërkohë që portofolat e secilit prej aktorëve në treg është e vështirë të analizohen, si rezultat i informacionit të pakët në këtë drejtim, por edhe si pasojë e amortizimit të shpejtë të portofolave që derivon nga produkti i leasing.
Në një pamje të gjerë duhet thënë se edhe këtu reflektohet një rritje e lehtë, trend i cili në mos të përmirësohet, mund të ruhet i njëjtë edhe për fundvitin. Duke qenë i lidhur ngushtë me tregun e automjeteve, tregu i leasing vijon të vuajë pasojat e numrit të ulët të shitjeve të makinave të reja nga koncesionarët, pasi numri i makinave të vjetra vijon të mbetet ende i lartë, kjo e krahasuar edhe me vende të tjera të rajonit. Mungesa apo moszhvillimi i tregjeve të tjera të aseteve tipike për leasing si pajisje, makineri, etj., bën që ky treg të mos njohë zhvillimin e duhur e për pasojë, të mbetet i varur në pak lloje asetesh.
Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësitë që mund të ofrohen?
Padyshim që një ndër sfidat kryesore mbetet presioni i konsumatorit për të zgjedhur produkte me çmimin më të lirë, të cilat ofrohen nga sektorë të tjerë financiarë, si p.sh., bankat, çka ndikon negativisht në zhvillimin e sektorit të leasing në përgjithësi. Mungesa e tregjeve të ndërlidhura me sektorin e leasing, si ai i pajisjeve të cilat kanë përdorim të gjerë në prodhim, mjekësi, etj., përbën gjithashtu një dobësi, duke mos krijuar kushtet e nevojshme për zhvillim të mëtejshëm të të dy sektorëve.
Gjithashtu, konsumatori individ është gjithmonë e më pak prezent në këtë treg, si pasojë e mungesës së edukimit në këtë drejtim e për rrjedhojë, mosnjohje të avantazheve të sektorit dhe produktit në veçanti, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike të tyre gjatë viteve të fundit, të cilat kanë bërë që individi të orientohet më së shumti tek asetet e përdorura dhe me kosto afatshkurtër më të ulët, pa marrë në konsideratë kostot në terma afatgjatë që lidhen me asetin e përdorur, të cilat patjetër që janë më të larta.
Në vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?
Ritmet e ulëta të zhvillimit në sektorë të ndryshëm, të cilat përdorin këto mjete pune për aktivitetin e tyre, kanë bërë që ndërmarrjet të shfrytëzojnë më mirë kapacitetet e tyre në asete ekzistuese, faktor i cili i ndërlidhur me faktin e mosnjohjes së shumë prej ndërmarrjeve të avantazheve që sjell produkti i leasing, kanë sjellë ulje të kërkesës së tyre për këto mjete. Gjithashtu duhet evidentuar se risku që mbartin sektorë të caktuar i ka bërë që të jenë më pak atraktivë dhe të kenë vëmendje më të ulët nga aktorët e leasing e për rrjedhojë promovim më të ulët të produktit të leasing kundrejt tyre.
A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje te blerja e mjeteve të reja?
Duke qenë tregje të ndërlidhura, rritja e flukseve të shitjes në sektorin e automjeteve të reja ndikon pozitivisht në sektorin e leasing, i cili duhet thënë se ka kapacitete për të mbuluar kërkesë konsumatore edhe më të lartë se ajo aktuale. Nga ana tjetër, kjo ndërlidhje mund të sjellë edhe efekte negative, edhe pse pritshmëritë duhet thënë se janë të moderuara në këtë aspekt, prandaj gjetja e burimeve të tjera ku sektori i leasing mund të investohet, mbetet i rëndësishëm, pasi përveç zhvillimit reciprok të sektorëve do të krijonte diversifikim edhe më të madh të portofolave dhe pse jo, edhe zgjatje të afateve të amortizimit të tyre.
A ka ngërçe ligjore ose burokraci që duhet të rishikohen për ta përmirësuar tregun, të paktën nga ajo që vëreni ju në punën tuaj ditë pas dite?
Ndër problematikat kryesore mbetet rimbursimi i TVSH-së, i cili nga momenti i aplikimit e deri në rimbursim të fondeve merr një kohë të gjatë për aktorët e leasing. Për të përballuar këtë hapësirë të gjatë kohore, aktorët detyrohen të gjejnë burime alternative fondesh/likuiditeti, të cilat shoqërohen me një kosto të caktuar, duke sjellë shtrenjtim të produktit e për rrjedhojë, ulje të atraktivitetit të tij krahasuar me produkte të ngjashme, të cilat ofrohen nga bankat në vend.
Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?
Aplikimi i filtrave të mirëstrukturuar në analizën e klientëve dhe mundësive për financim, por edhe ndjekja e tyre në vijimësi të marrëdhënies ka bërë që Landeslease të regjistrojë një nivel të ulët të kreditorëve të këqij, pra një performancë të mirë të portofolit të saj. Ndër të tjera, ndërgjegjësimi i klientëve në këtë drejtim dhe aplikimi i procedurave më të thjeshta në kuadër të rikuperimit të asetit mendoj se kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e këtij raporti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.