Industria e mobilierisë po përjeton një ekspansion krahasuar me vite më parë, falë përparimeve teknologjike, zhvendosjes së kërkesave të konsumatorëve dhe rritjes së konkurrencës. Mirëpo, panorama nuk është e njëjtë për të gjithë. Ndërsa bizneset e mëdha ‘ankohen’ për rritjen e importeve të mobilieve, aktorët e vegjël të tregut tkurren nga konkurrenca e pandershme
Nga Deada Hyka
Në një botë ku tendencat ndryshojnë shpejt, konsumatorët në të gjitha tregjet po zhvendosin modelet e tyre të blerjes larg produkteve të standardizuara dhe të gatshme, në favor të prodhimeve shumë të personalizuara ose plotësisht të besueshme, që shprehin stilet e tyre individuale dhe unike.
Kjo tendencë e re po përqafohet në Shqipëri, me ritme më të ngadalta se kudo në botë, por po shihet fryma e re në sektorin e mobilierisë. Ndërtimi, shtimi i hapësirës për zyra, investimi në pronë imobiliare për rishitje, të gjitha këto kanë ndikuar në zhvillimin e tregut. Ndërsa flasim për rreth 1500 kompani të licencuara në të gjithë Shqipërinë, edhe importet e produkteve të mobilerisë kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Po çmimet? Sipas aktorëve të tregut, shqiptarët duan të bëjnë pazar, por janë të shumtë ata që e mobilojnë shtëpinë nga zero, “pa iu dridhur dora”.
Sipas menaxherit të mobilierisë Roal, arredimi i shtëpisë kërkon të gjithë gamën e produkteve. Ndaj dhe kompanitë janë shtuar, si dhe kanë zgjeruar produktet që ofrojnë, në mënyrë që konsumatorët të gjejnë dhe të plotësohen për nevojat e tyre. Ai shton se në mobilierinë e tij ofrohen të gjitha produktet nga aksesorët më të imtë të mobilierisë; lënda e parë e prodhimit; parketet; mobiliet me porosi; mobiliet e gatshme për ta përmbyllur me shërbimin e dizenjimit total të shtëpive e ambienteve të ndryshme
Ndërsa menaxheri i mobilierisë Ronad thotë se vitet e fundit, partneriteti me arkitektët e ka bërë më të lehtë punën e tyre dhe ka sjellë një tjetër frymë moderniteti te shqiptarët. Sipas kësaj logjike, shton ai, shtëpia merr një formë të kompletuar, por nuk i përjashton rastet e porosive me një produkt, sipas nevojave. Ai shton se, në këtë sektor ka çmime për të gjithë. Shtimi i numrit të mobilierive në vend ka çuar në një përpjekje për rënie të çmimit të produkteve. Çmimi ka rënie për sa kohë që ka materiale të ndryshme sipas buxhetit të konsumatorit dhe të tjera kompani pohojnë se reduktimi ndodh edhe nga konkurrenca e pandershme.
Aktorët e tregut pohojnë se, kërkesa është në rritje për prodhuesit, të cilëve u specifikohen produkte unike të një mobilieje me porosi që askush tjetër nuk i ka. Sipas tyre, tregu i mobilierisë vitet e fundit ka ndryshuar nga dy tendenca të mëdha, interneti dhe blerjet online.
Prirja e parë është efekti i jashtëm që një brez i ri influencues ka në ndryshimin e shijes së konsumit dhe tendencave të stilit. Ndryshe nga epoka para internetit ku tendencat e konsumit lindin nga filmi, televizioni, gazetat apo revistat, influencuesit më të mëdhenj sot gjenden në platformat e rrjeteve sociale – nga blogerët e YouTube që shfaqin videot e tyre të fundit të blerjeve, të cilat nxisin zili dhe fotografitë e personazheve të ndryshme publikë të ngarkuara në Instagram.
Falë aftësisë së përbashkët të platformave të rrjeteve sociale, konsumatorët po ndjekin këta ndikues, po adoptojnë prirje të reja dhe drejtime stilesh ndryshe nga më parë. Ashtu sikurse ka konsumatorë që luajnë vetë rolin e hulumtuesit dhe shkojnë pranë një mobilierie me plan shumë të qartë të kërkesës që kanë për mobilim.
Numri i mobilierive në vend
Sipas statistikave në vendin tonë, të bërë të ditura gjatë Panairit të Mobilierisë këtë vit, mendohet se ushtrojnë aktivitetin rreth 1470 kompani, me mbi 7000 të punësuar. Por, aktorët e tregut pohojnë se shifrat janë më të larta se kaq. Referuar shifrave të Albanian Construction Portal, numri i tyre shkon mbi 100, vetëm në Tiranë e Durrës (të licencuara). Bizneset kryesore të kontaktuara nga “Monitor” pohojnë se në vitet e bllokimit të lejeve të ndërtimit pati një ngërç, ku një pjesë e mirë e bizneseve falimentuan, ndërsa tre vitet e fundit pati sërish zgjerim, nga ku është shumë e lehtë të pohosh tregu është mbingopur, në të gjithë hallkat e sektorit.
Ecuria e sektorit të mobilierisë në Shqipëri ka qenë në rritje vitet e fundit, pasi pësoi tkurrje në vitin 2013 nga kriza. Por, përfaqësues nga mobilieri Klevi në Tiranë thonë që aktiviteti i prodhimit të mobilieve ka qenë stabël vitet e fundit.
Menaxheri i Klevi Mobileri argumentoi për “Monitor” se shkak është bërë kryesisht rritja e importeve nga jashtë, që i ka nxitur ata të shkojnë drejt diversifikimit të produkteve që ofrojnë, si kolltukë, divane, aksesorë mobiliesh etj.
Sipas të dhënave nga Dogana, importet e mobilieve u rritën me 1.5 herë nga viti 2013 në 2017-n. Në vlerë, mobiliet e importuara ishin 7.4 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, importet e mobilieve panë rritje 10%. Sipas aktorëve të tregut, rritja është nxitur kryesisht për shkak të rritjes së ndërtimeve. Ekspertët e tregut pohojnë se shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë vitet e fundit shkon bashkë me rritjen e kërkesës për mobilimin e apartamenteve të shitura.
Ndërtimi nxit kërkesat për mobilie
Sektori i ndërtimit po jeton ditë të mira, për shkak të numrit të madh të lejeve që po jepen në qytetet kryesore për të ndërtuar. Sipas të dhënave të INSTAT në 6-mujorin e parë të vitit, numri i lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 498, me një rritje prej 65% në krahasim me 6-mujorin e vitit të kaluar. Rritja më e madhe shihet të jetë në Bashkinë e Tiranës, ku u dhanë gjithsej 164 leje në 6-mujorin e parë, me një rritje 61% në raport me vitin e kaluar. Ato zunë 33% të numrit të përgjithshëm të lejeve të dhëna në të gjithë territorin e vendit. Vetëm në tremujorin e dytë 2018 janë miratuar gjithsej 270 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 197 leje të miratuara në 3-mujorin e dytë 2017, duke shënuar rritje prej 37,1%.
Sipas INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në 3-mujorin e dytë 2018, është rreth 292.895 metër katrorë, nga rreth 229.387 metër katrorë miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar rritje prej 27,7%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e dytë 2018, është 11.4 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë, miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar rënie prej 19,1%. Sektori i ndërtimit i është rikthyer ciklit rritës në dy vitet e fundit, si rrjedhojë e rigjallërimit të lejeve të ndërtimit.
Në vitin 2017, në të gjithë vendin janë dhënë 819 leje ndërtimi, me rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë.
Sipas menaxherit të mobilierisë ABA, dy vitet e fundit në Tiranë kanë pasur rritje të numrit të porosive, që sipas tyre vinin kryesisht nga familje apo çifte të reja që sapo kishin blerë një apartament. Sipas tij, ka pasur zona të caktuara në kryeqytet ku porositë kanë shënuar bum dhe që vite më parë, nuk kanë qenë zona të banuara. Shembulli që menaxheri i ABA jep për “Monitor” është zona që njihet si ish-Aviacioni, ku ndërtimet e shumta kanë nxitur porositë për mobilie.
Zyrat
Arredimi i zyrave dhe lokaleve, në përgjithësi, sipas aktorëve në treg mbështetet në bizneset vendase të prodhimit të mobilierive, duke qenë se punimi i përshtatet kërkesës së klientëve, ndërsa mobiliet e importuara vijnë sipas një modeli standard. Tendenca i ka dhënë hov nxitjes së sektorit vendas, ku një pjesë e madhe e mobilierive në vend janë të orientuar drejt produkteve specifikisht për zyra dhe kompani të ndryshme.
Imobiliaret
Me shtimin e ndërtimit dhe rritjen e transaksioneve të banesave, vjen dhe nevoja për mobilim. Aktorët e sektorit imobiliar në vend tregojnë se kanë raste që blerja e apartamenteve realizohet për përdorim nga klienti, ka edhe raste që blerja bëhet vetëm për arsye investimi.
Në rastin konkret, blihen apartamente, kryesisht nga profesionistë si arkitektë, të cilët mobilojnë shtëpitë dhe e rishesin, si formë investimi. Kjo tendencë, kryesisht që përfshin apartamente të vogla, nxit zhvillimin e prodhimit të mobilierive, të cilat kryesisht porositen nga bizneset vendase, të personalizuara.
Konkurrenca e pandershme
Menaxheri i Kompanisë Shaga pohon për “Monitor” se në sektorin e mobilierisë ka nevojë emergjente për të shtuar kontrollin, pasi informaliteti është shumë i lartë. Sipas tij, individët punojnë në kushte minimaliste dhe konkurrojnë në treg me çmime tepër të ulëta, shpeshherë edhe me produkte jocilësore. Të gjithë bizneset me vite përvojë në këtë sektor në Shqipëri, përveç informalitetit, kanë përballë dy problematika të mëdha – me konkurrencën dhe me zhvlerësimin e punës së prodhuesit.
“Po shtohet konkurrenca pa kritere, të cilat nuk i përmbushin kushtet për të qenë në treg. Me zhvlerësim të punës së prodhuesit kuptohet tendenca për ulje të vazhdueshme të çmimeve të tregut, gjë që nënkupton rënien drastike të nivelit të fitimeve. Puna e prodhuesit shqiptar zhvlerësohet nga produktet e importit, shqiptarët ende nuk e dinë diferencën, përkundrazi, shikojnë vetëm çmimin”, – thotë menaxheri i Shaga.
Martesat
Statistikat e INSTAT tregojnë se deri në vitin 2003 kishte mesatarisht 25 mijë martesa në vit, me periudha kur ai i kalonte edhe 28 mijë. Pas kësaj periudhe, numri i tyre ka qenë mesatarisht 21-23 mijë martesa në vit. Ndonëse është një numër në rënie, martesat janë një ndër faktorët që nxisin zhvillimin e tregut të mobilierisë. Përfaqësues të mobilierive të shumta në kryeqytet tregojnë se është bërë tashmë traditë, që një çift që martohet, ka nevojë minimalisht për kompletimin e dhomës së tyre të gjumit. Kërkesat shtohen kur çiftet formojnë familje dhe blejnë shtëpi, ashtu sikurse i lindin nevoja të reja me lindjen e fëmijëve: duke nisur nga krevati për një të porsalindur, deri te kompletimi i dhomës së gjumit për fëmijët.
Diversifikim i sektorit të mobilierisë
Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për mobiliet për familje, portofoli i produkteve që bizneset në këtë sektor ofrojnë janë të shumëllojshme: kompani që prodhojnë mobilieri për shtëpi, mobilieri për zyra, për hapësira publike si hotele, bar-kafe, restorante, mobilieri dhe dekoracione për kopshte, por dhe kompani që ofrojnë dhe makineri e pajisje për përpunimin e drurit dhe derivatëve të tij, lëndë të parë dhe pajisje shtesë si aksesorë, ndriçim apo elektro-shtëpiake.
Tregu botëror
Tregu botëror i mobilierisë pritet të shënojë rritje me 3.53% gjatë periudhës 2018-2022. Një nga faktorët që nxit rritjen në këtë treg është kërkesa në rritje për mobilie në dhoma gjumi shumëfunksionale. Ngushtimi i vendeve të banimit dhe kostot e larta të pasurive të paluajtshme kanë rritur kërkesën për mobilie dhoma gjumi shumëfunksionale në të gjithë botën. Për më tepër, me sistemin e arsimimit rezidencial që po zhvillohet në kolegje, shkolla dhe universitete, kërkesa për mobilie për dhoma gjumi për shumë qëllime, portative dhe bashkëpunuese, do të rritet në vitet në vijim
Sipas raportit, të TechNavio të publikuar këtë vit një nxitës që ndikon në këtë treg është futja produkteve Premium, për shkak të rritjes së standardit të jetesës. Rritja ekonomike dhe rritja e të ardhurave të familjes janë disa nga faktorët që inkurajojnë përdoruesit të shtojnë mallra
duke përfshirë mobiliet, nga ana tjetër, duke rritur kërkesën për mobilie në dhoma gjumi në vitet e fundit. Më tej, raporti thotë se një nga parametrat që pengon rritjen e këtij tregu është cikli i gjatë i zëvendësimit, i përfshirë në produktet e industrisë së mobilieve. Shpenzimet më të larta fillestare dhe ciklet e zëvendësimit të gjatë përfundimisht ndikojnë në rritjen vjetore, duke dekurajuar më tej blerjen e përsëritur të mobilieve.
Shifra
Sipas shifrave të vëna në dispozicion nga Statista, të ardhurat në segmentin mobilie & veshje shtëpie mendohet të arrijnë 187,631 milionë dollarë në vitin 2018. Të ardhurat pritet të tregojnë një normë vjetore të rritjes (2018-2022) prej 11.9%, duke rezultuar në një vëllim tregu prej 294.196 milionë dollarë deri në vitin 2022. Shtimi i kërkesave për mobilie mendohet të arrijë 11.7% në 2018 dhe pritet të arrijë 14.9% në vitin 2022.
Të ardhurat mesatare për përdorues aktualisht kapin shumën 312.64 dollarë në botë në një krahasim global, shumica e të ardhurave gjenerohet në Kinë (68,629 milionë dollarë në vitin 2018).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.