Tregu i sigurimeve, fondet e investimit dhe pensionet, AMF “llogari” para Komisionit të Ekonomisë

09/05/2018 3:22 PM 0 komente

Zhvillimet në tregun e sigurimeve, pensionet private, fondet e investimeve ishin në fokusin e raportimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) para Komisionit për Ekonominë dhe Financat lidhur me aktivitetin e institucionit në vitin 2017.

Kryetari  i Bordit të AMF Pajtim Melani bëri një përmbledhje të ecurisë së përgjithshme të tregjeve në shifra dhe vendimet kryesore të Bordit në funksion të mbikëqyrjes dhe rregullimit të tregjeve financiare. “Tregjet financiare nën mbikëqyrjen dhe rregullimin e AMF gjatë vitit 2017 shënuan rritjen më të madhe vjeore krahasuar me tregjet e tjera dhe deri disa herë më të lartë se rritja ekonomike e PBB-së për vitin 2017. Nga 5.3 për qind që është rritur tregu i sigurimeve, 11.14% është rritja vjetore e fondeve të investimeve dhe 31 % është rritja e e fondeve të pensioneve private” tha Melani.

Ndër të tjera ai është ndalur në zhvillime të rëndësishme që lidhen me licencimin e shoqërisë së parë me kapital privat “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE”, hartimin e strategjisë pesë vjeçare për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje si dhe zgjidhjen e situatës me Fondin e Kompensimit që ishte future në një ngërç problematik prej vitesh.

Hartimi i strategjisë 5-vjeçare të zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe rritja e besimit të konsumatorit/investitorëve te tregjet financiare 2017–2020 për rritjen e edukimit financiar për zhvillimin e tregjeve dhe mbrojtjen konsumatore, ishin disa nga deklarimet e kryetarit te Bordit para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë.

Drejtori Ekzekutiv i AMF, Ervin Koçi tha se për vitin e kaluar ndër prioritetet e institucionit kanë qenë rekomandimet e dhëna nga Kuvendi si dhe i institucioneve partnere ndërkombëtare për rikthimin në normalitet funksionimin e institucionit, krijimin e një marrëdhënie bashkëpunuese e transparente midis strukturës ekzekutive dhe bordit si dhe forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të autoritetit.

“Në funksion të forcimit të kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe në zbatim të rekomandimeve të konsulentëve të BB, Bordi i Autoritetit miratoi strukturën e re organizative, si një domosdoshmëri për t’iu përgjigjur dinamikës së zhvillimit të tregjeve financiare jo-banka. Një risi e strukturës është krijimi i strukturave të dedikuara sipas tregjeve nën mbikëqyrje dhe mbrojtjes konsumatore. Raportet e fundit të Bankës Botërore dhe misionit të FMN-së kanë vlerësuar ndryshimet strukturore dhe rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe funksionimin normal të institucionit dhe të Bordit. Gjithashtu progres – raporti i fundit KE që propozoi hapjen e negociatave ka vlerësuar disa arritjet të institucionit” tha Koçi.

Ai bëri me dije se AMF ka pasur një qasje më afër konsumatorit dhe zgjidhjes së ankesave. Koçi u shpreh se po merren masa konkrete për të disiplinuar problematikat që shfaqen në tregjet nën mbikëqyrje kryesisht në atë të sigurimeve. Për këtë aktualisht është bërë gati drafti “Për sigurimin e detyrueshëm” I cili tashmë është dërguar pranë Financave për të marrë një miratim paraprak.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz