Ndonëse në bursat ndërkombëtare, monedha europiane preku sot nivelin më të ulët ët vitit, ajo mbetet e fortë në tregun shqiptar…
Monedha e gjelbër ka shënuar sërish rritje në ditën e sotme, duke u këmbyer me 106.1 lekë, 0.26 lekë më shumë në raport me të premten e javës së kaluar, një rekord i ri ky i këtij viti. Të dhënat janë sipas kursit zyrtar të këmbimit që publikohet çdo ditë nga Banka e Shqipërisë.
Ndërsa euro nuk ka ndryshuar në tregun vendas, duke u këmbyer me 139.44 lekë.
Mbiçmimi i dollarit në tregjet ndërkombëtare po reflektohet në tregun e brendshëm kryesisht me forcimin e monedhës amerikane, ndërsa euro po i reziston uljes.
Në tregjet ndërkomëbëtare, euro u këmbye sot me nivelin më të ulët të një viti ndaj dollarit, teksa shenjat se ekonomia evropiane po ecën më dobët se ajo e SHBA-ve kanë dëmtuar kërkesën në vendet e monedhës së përbashkët.
Euro arriti gjatë ditës së sotme deri në $1.3119, niveli më ulët që nga 6 shtatori. Euro ka rënë për shtatë javët e fundit, periudha më e gjatë me rënie që nga dhjetori 1999.