Humbjet në rrjetin e shpërndarjes u ulën në 26.2 për qind në fund të marsit duke rezultuar 1.46 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije se reduktimi i nivelit të humbjeve teknike dhe jo teknike, erdhi si rezultat i investimeve të kryera në rrjetin elektrik por edhe mirëkordinimit të punës në terren për kontrollet dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.
“Totali i Arkëtimeve ka pësuar një rritje në masën 4.6% krahasuar me një vit më parë ndërsa numri i abonentëve të rinj është shtuar me 2,3%. Në 3-mujorin e parë, të ardhurat nga arkëtimet janë 18.3 miliardë lekë me një përmirësim prej 816 milionë Lekë krahasuar me vitin e kaluar” raportoi OSHEE.
Nga ana tjetër tregues të tillë që lidhen me borxhin duket se kanë ardhur në përmirësim. “Borxhi i keq principal për fatura 2007-2014 është 44,3 miliard lek në fund Mars 2019, nga 67,8 miliard që ishte në fund të vitit 2014. Kjo nënkupton reduktim në masën 1,1% nga fundi i vitit 2018 ose 34,7% nga fundviti 2014. Ky tregues është përmirësuar në saj të ndjekjes së debitorëve nëpërmjet proceseve të vazhdueshme ashtu sikurse edhe riaktivizimit të aktmarrëveshjeve” sipas OSHEE.
Operatori njoftoi se në periudhën Janar-Mars 2019 është regjistruar edhe një rënie e numrit të ankesave për faturim në masën 19,8% krahasuar me një vit më parë çka dëshmon për rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim. Mesatarja e ankesave mujore në raport me numrin total të faturave të lëshuara është në nivelin e më pak se 0,6%.
Pavarësisht përmirësimit të treguesve krahasuar me një vit më parë, në raport me pritshëmritë për ecurinë e pergjithshme sipas projektit të rimëkëmbjes me Bankën Botërore, treguesit e energjisë kanë shfaqur diferenca. Kjo sidomos e lidhur me humbjet të cilat mbeten ende të larta nëse i referohemi parashikimit fillestar që në fund të vitit 2018 parashikonte që keto te fundit të kishin arritur 18 për qind kurse në fund të 2019 te jene në 14 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.