Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 82.076, nga të cilat 41.310 u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 40.766 me ndihmë ekonomike të plotë, sipas të dhënave të INSTAT.
Numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të katërt 2016 është rritur me 2,2 % krahasuar me tremujorin e tretë 2016.
Qarku i Elbasanit ka numrin më te madh të familjeve ne skemën e ndihmës ekonomike (20,7 %) të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi) të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike.
Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30,22 %) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 50,3 % e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë.
Në fillim të këtij viti hyri në fuqi një vendim i cili përcakton kriteret e reja dhe masën e ndihmën ekonomike. Ndihma ekonomike, për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë, për një periudhë jo më shumë se 5 vjet.
Përllogaritja e masës së plotë të ndihmës ekonomike, për familjet e përzgjedhura në bazë të formulës së pikëzimit u bë sipas strukturës së familjes, por nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj. Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar. Për bashkëshortët në proces zgjidhjeje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort, do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes.
Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur është, si më poshtë: a) trinjakë 3 000 lekë, për çdo fëmijë; b) katërnjakë 4 000 lekë, për çdo fëmijë; c) pesënjakë 5 000 lekë, për çdo fëmijë. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në mbarimin e arsimit bazë, por jo më shumë se 18 vjeç. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 lekë në muaj.
Për familjet në nevojë, kryetari i familjes, së bashku me bashkëshorten, kur ka një të tillë, kërkojnë të aplikojnë pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në njësinë administrative, ku kanë vendbanimin duke paraqitur, si më poshtë: a) Kopjen e kartës së identitetit të aplikantëve. Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme/ vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Kadastrës, apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.