Në tre muajt e parë të këtij viti, numri i shtetasve të huaj të cilët kanë vizutuar Shqipërinë u rrit me rreth 7.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave, INSTAT, publikoi të dhënat e lëvizjeve brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Sipas të dhënave, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj në muajin mars 2017 ishte 584,780 ose rreth 5.3% më i lartë. Ritmi i rritjes ka qenë më i lartë sa u përket shtetasve të huaj, 243.462 krahasuar me mars 2016, ky numër është rritur me 11.2%.
Ndërsa si tremujor, kjo shifër është rritur 7.1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Burimi: INSTAT
Sipas INSTAT, shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit mars 2017 janë 633.894 duke shënuar një rritje me 10,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit mars 2017 është 377.793. Krahasuar me muajin Mars 2016 ky numër është rritur 5,8 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në tremujorin e parë 2017 është rritur 1,7%, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qëllimi kryesor i udhëtimeve mbetet aspekti personal, duke u ndjekur nga ai për pushime. Sipas INSTAT, numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në muajin mars 2017, rezulton 66.589, ndërsa në mars 2016 ky numër ishte 25.273.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në mars 2017 është 237.995 dhe përbëjnë 97,8 % të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me mars 2016 , numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur 11,2%. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 2,2 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 12,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT duket se ka pasur rritje të turistëve për trajtime shëndetësore.
Hyrjet e shtetasve të huaj, në rrugë tokësore, zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 80,7 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore dhe detare zënë respektivisht 15,0 % dhe 4,3%.
INSTAT thotë se numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin mars rezulton nga Kosova me 33,4%, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 16,5%, Greqia me 13,7%, Mali i Zi me 13,1 %, etj.
Burimi:INSTAT
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.