A po e humbet Kina luftën tregtare kundër Amerikës? Një treg i dobët i aksioneve kineze i jep përparësi Amerikës, të paktën duke ia rritur besimin
Kur Donald Trump postoi në fillim të muajit gusht në rrjetin social Twitter se tarifat po jepnin rezultate të menjëhershme, media amerikane u vu menjëherë në veprim për të testuar një pretendim të tillë, shkruan The Economist.
Ndërsa në Kinë, media u tregua më e kujdesshme. Asnjë gazetë vendase nuk raportoi postimin e z. Trump. Një nga pretendimet e tij, ndër shumë të tjera se aksionet kineze kishin rënë me 27% në katër muajt e fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një ekzagjerim.
Por tek e fundit, pse do të duhej që një prej gazetave të mirënjohurave vendase ta theksonin këtë fakt? E vërteta është se aksionet kineze, edhe pse nuk kanë rënë në shifrat e deklaruara nga z. Trump, ato kanë rënë ndjeshëm, gjë të cilën zyrtarët nuk dëshirojnë kurrsesi ta theksojnë. Dhe ky është një prej fakteve të shumta të çuditshme për Kinën, teksa lufta e saj tregtare me Amerikën përshkallëzohet.
Jeni ka rënë me 8% kundrejt dollarit që prej muajit prill, duke shkuar pranë nivelit të tij më të ulët në më shumë se një vit.
Një suficit tregtar i tkurrur prodhoi një deficit të llogarisë korrente në gjysmën e parë të vitit 2018, hendeku i parë i Kinës në të paktën dy dekadat e fundit. Për më tepër, rritja e Kinës po ngadalësohet në një kohë kur ekonomia e Amerikës po rritet në ritmin më të shpejtë që prej vitit 2014.
Nuk është aspak çudi që z. Trump beson me bindje të plotë se ai është në rrugën e duhur dhe se investitorët kinezë janë të shqetësuar nga kjo situatë. Deri kohët e fundit, zyrtarët dhe drejtuesit kinezë besonin në deklaratat e tyre për supremaci në drejtim të teknologjisë. Edhe disa këshilltarë kishin deklaruar, edhe pse privatisht, se ishin të bindur se z. Trump mund të qetësohej për sa i përket deklaratave në lidhje me rritjen e importeve nga Amerika. Një marrëveshje që pritet të nënshkruhej midis Amerikës dhe Kinës, ku kjo e fundit do të blinte më shumë gaz nga Amerika, u anulua në qershor.
Zyrtarët kinezë janë të vetëdijshëm për dobësitë e tyre dhe nëse Amerika do t’i kishte zbatuar sanksionet e saj për shitjen e gjysmëpërçuesve në ZTE, gjiganti kinez i Telekomit mund të kishte falimentuar. Por ata që kanë një prirje për t’i parë gjërat me negativitet dhe mbi të gjitha që kanë mentalitet komplotues, gjithmonë do t’i shikojnë situatat nga një këndvështrim më i errët. Sipas këtyre të fundit, amerikanët nuk duan të arrijnë nënshkrimin e një marrëveshje. Ata duan thjesht të na shkatërrojnë, shprehet një menaxher i fondeve kineze.
Asimetria në luftën tregtare është një tjetër fakt i pakëndshëm. Duke qenë se Amerika blen shumë më tepër nga Kina sesa kjo e fundit, atëherë Amerika ka më shumë hapësirë për të vendosur tarifa. Ky mosbalancim, i diskutuar gjatë në teori, ka mundësi që të vihet në zbatim brenda një kohe të shkurtër.
Z. Trump ka udhëzuar ekipin e tij që të marrë në konsideratë vendosjen e tarifës prej 25% mbi importet kineze me vlerë prej rreth 200 miliardë dollarësh, duke filluar nga muaji shtator i këtij viti.
Në kundërpërgjigje, Kina deklaroi se do të vendoste tarifa mbi importet e mallrave amerikane që arrinin një vlerë rreth 60 miliardë dollarë. Kina ka edhe armë të tjera që mund t’i përdorë në dispozicion. Kjo mund të prishë operacionet fitimprurëse kineze të bizneseve amerikane, nga Apple në Starbucks. Por kjo do të kishte padyshim edhe pasoja të tjera.
Deklarimet e rreme (për shembull shkeljet në sektorin e shëndetësisë) do të përforcojë kritikën e jashtme të ndërhyrjes së qeverisë në ekonominë e Kinës. Dhe natyra e një ndërhyrjeje të tillë, ndryshe nga tarifat, është se ajo nuk do të shpallet paraprakisht. Kjo periudhë në të cilën mund të fillojë lufta tregtare Kinë-Amerikë, është e papërshtatshme për Kinën. Gjatë dy viteve të fundit, qeveria ka bërë një fushatë për të ulur nivelin e borxhit.
Së fundmi, kjo gjë ka filluar të ndihet, me një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes së kredisë. Zyrtarët mund të zgjedhin të braktisin qëndrimin e tyre shtrëngues për të luftuar trazirat tregtare, gjë që mund t’u japë fund përfitimeve nga “deleveraging”.
Kjo shpjegon edhe kufizimin e tyre deri tani. Në një takim të Byrosë Politike më 31 korrik, liderët e Kinës vunë në dukje se një prej prioriteteve ishte mbështetja e rritjes ekonomike, por edhe zotimi për të vazhduar përpjekjet për të kontrolluar borxhin. Investitorët, që kishin shpresuar për më shumë masa lehtësuese, u zhgënjyen. Pra, ka vërtet arsye për të qenë të shqetësuar për rritjen ekonomike të Kinës.
Por tregjet mund të jenë tepër pesimiste. Javët e fundit, politikëbërësit kanë arritur në konkluzioin se ata po e pranojnë se lufta tregtare është e vërtetë dhe se duhet të fillojnë sa më parë që të mbrojnë ekonominë.
Në Kinë, zyrtarët ia kanë lehtësuar punën qyteteve në marrjen e fondeve për projektet e infrastrukturës. Një këshilltar i qeverisë thotë se po diskutohet për një stimul më të madh, që ka gjasa të përqendrohet në promovimin e konsumit dhe jo të investimeve.
Sfondi ekonomik i luftës tregtare mund të ndryshojë gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që Kina është e prirë drejt lehtësimit, rritja e kreditimit duhet të rritet. Amerika nga ana tjetër, mund të jetë pranë nivelit më të lartë të rritjes.
Louis Kuijs nga Oxford Economics, një firmë kërkimore, thotë se divergjenca në bursat e tyre mund të ndikojë në rritjen e besimit në Amerikë dhe në uljen e besimit në Kinë. Megjithatë, pa pasur ende një rezolutë të kësaj lufte tregtare, konkluzione të tilla janë disi të ekzagjeruara, përfundon z. Kuijs.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.