Bambi George nuk mund të mos ishte e lumtur, kur kompania e saj u zhvendos nga një ambient i vogël në një ndërtesë më të madhe.
Ambientet e mëparshme të Valorem – një kompani teknologjike me bazë në Kansas City, Misuri, kishin shumë pak ndriçim natyral dhe muret ishin gri. Ambientet e reja ishin krejt ndryshe – mure në ngjyrë të gjelbër të gëzuar, të verdhë e blu, dhe gjithë hapësira përshkohej nga një ndriçim natyral.
Ndërkohë që është një vend më tërheqës për të punuar, George gjithashtu mendon se kjo është bërë për të krijuar një ambient më kreativ dhe produktiv. “Jo vetëm për shkak të hapësirës, njerëzit tanë po vijnë me ide gjithnjë e më të çmendura dhe inovative” – thotë George, zëvendëspresidente e kompanisë.
Një numër në rritje studimesh thonë se ndriçimi, ngjyra e mureve, madje edhe lartësia e tavanit, kanë ndikim të madh në mënyrën tonë të të menduarit. Ndërkohë që hapësirat e mëdha mund të jenë një mënyrë ekonomike për kompanitë, ku mund të punojnë më shumë njerëz në më pak hapësirë, këto ambiente pune mund të reduktojnë kreativitetin tonë.
Ngjyrat
Një ndër mënyrat më të thjeshta për të nxitur kreativitetin është lyerja e mureve me ngjyrën e duhur – thotë Sally Augustin, psikologe e dizajnit të mjedisit. Kompania e saj me bazë në Ilinois Design with Science, ndihmon bizneset të përfshijnë kërkimin në hapësirat e tyre.
Ngjyra e gjelbër është lidhur drejtpërdrejt me kreativitetin; ngjyra të tjera të ndezura si e verdha dhe bluja gjithashtu mund të rrisin kreativitetin.
Mund të ketë dy arsye për këtë efekt – thotë Augustin. Së pari, ngjyrat e ngrohta, si për shembull e gjelbra dhe bluja – janë më pak stimuluese se sa ngjyrat e ndezura. E gjelbra na kujton gjithashtu natyrën, ajo krijon ndjesi çlodhjeje – thotë psikologia.
Nëse ka një ngjyrë që duhet shmangur, është e kuqja. Ndërkohë që ajo ndikon në rritjen e energjisë, është e lidhur edhe me një performancë analitike negative dhe me emocione agresive.
Ndriçimi
Edhe ndriçimi është po aq i rëndësishëm në nxitjen e kreativitetit – thotë Augustin. Arritja e ekuilibrit të duhur është e rëndësishme për të ruajtur humorin e mirë brenda ambientit të punës. Nëse ambienti është shumë i errët, punonjësit do të ndihen të përgjumur, nëse ambienti ka shumë ndriçim mund të rrisë ankthin tek punonjësit.
Sipas ekspertëve – niveli ideal i ndriçimit në një ambient pune duhet të jetë rreth 500 lux.
Megjithatë, ndriçimi më i mirë është ai natyral – thotë Augustin, – i cili është vërtetuar se përmirëson humorin tonë, na bën të flemë më mirë dhe të jemi më produktivë.
Ndriçimi artificial, ngrohtësia dhe ngjyrat, të gjitha ndikojnë – thotë psikologia. Në hapësira bashkëpunuese, ne duhet të mendojmë në mënyrë krijuese – thotë ajo, duke shtuar se një ngjyrë e ngrohtë do të ishte ideale. Nëse na duhet të përqendrohemi ose të mendojmë në mënyrë analitike, këshillohet ngjyra blu.
Një studim tjetër nga Cornell University arriti në përfundimin se ndriçimi indirekt kishte një ndikim më të madh në kënaqësinë dhe produktivitetin e punonjësve në zyrë se sa llambat parabolike që përdoren në pjesën më të madhe në ambientet e punës.
Lartësia
Ndoshta më befasuesja është hapësira sipër kokave tona. Një studim i vitit 2007 analizoi se si lartësia e tavanit ndikon në procesin e të menduarit të njerëzve. Përfundimi ishte se tavane më të lartë nxisnin më shumë të menduarin kreativ, ndërsa tavanet më të ulët ndihmonin njerëzit të përfundonin më shumë punë praktike.
“Lartësia e tavanit nxit tipe të ndryshme konceptesh dhe mendimesh” – thotë Joan Meyers-Levy, autor i studimit. “Këto koncepte ndikojnë më pas në mënyrën se si ju e përpunoni informacionin. – Një tavan i lartë të jep idenë e lirisë ose mungesës së kufijve. Nëse tavani është i ulët aktivizohen koncepte shtrëngimi dhe izolimi” – thotë ajo.
Kjo nuk është një fushë e re kërkimi. Studimi citon punën e bërë në vitin 1966 të Edward Hall, i cili e zbatoi teorinë e tij në vendet e kultit. Ai vuri në dukje se “kishat, të cilat janë të vogla dhe të përmbajtura, ka më shumë të ngjarë të përcjellin ndjesinë e kufizimit dhe izolimit. Ndërsa katedralet frymëzuese të përcjellin ndjesinë e lirisë dhe të hapura ndaj universit”.
Vënia në praktikë
Duke vënë në praktikë gjithë elementet e fshehura të dizajnit do të thotë të zhvillosh një shumëllojshmëri hapësirash në zyrë – në mënyrë që punonjësit mund të gjejnë privatësinë që kërkojnë por gjithashtu të punojnë në hapësira kreative dhe mendimi analitik – thotë Sargent.
Për shembull, një kompani mund të dojë të ketë një dhomë me tavane të larta – e përshtatshme dhe e rekomandueshme për punë kreative dhe një dhomë tjetër, me tavane mund të ulëta, e këshillueshme për punë më praktike, që nuk kërkojnë kreativitet – thotë George.
Në kompaninë Valorem, hapësirat janë të ndryshme, në varësi të tipit të punës. Ata nuk kanë shkuar aq larg sa të krijojnë pika me lartësi të ndryshme tavani por disa ambiente janë krijuar si hapësira bashkëpunuese, të tjera për një punë që kërkon më shumë përqendrim. Ngjyrat e mureve në disa dhoma janë të ndryshme, në mënyrë që të evokojnë gjendje të ndryshme – thotë George.
Sigurisht, hapësira në punë nuk është i vetmi faktor që ndikon te kreativiteti – kolegët, drejtuesit, dhe pasioni ynë për punën – të gjithë këto ndikojnë. Por detajet rreth e qark mund të jenë një faktor në rritjen e kreativitetit. Për gjithë ata që punojnë në hapësira të zymta, duke vënë ndonjë vazo me lule apo fotografi me ngjyra mund të ndihmojë në rritjen e kreativitetit – thotë Sargent.
“Gjithçka ka të bëjë me krijimin e hapësirave të larmishme – thotë Sargent. – Ne duam të krijojmë mjedise që të rrisin potencialin për të pasur sukses”.
*Bryan Borzykowski
Burimi: BBC