Në janar të 2017-s, kombi më i fuqishëm në planet do të ketë një lider të ri, pas një fushate intensive dhe të shtrenjtë, por si funksionojnë zgjedhjet presidenciale në Amerikë?
Kur amerikanët zgjedhin presidentin, nuk zgjedhin vetëm kreun e shtetit, por edhe kreun e qeverisë dhe komandantin e qeverisë të ushtrisë më të madhe në botë.
Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump fituan qartë në 2016 dhe ishin kandidaturat zyrtare të dala nga konventat e partive të tyre në korrik.
Ata gjithashtu kanë prezantuar zgjedhjet e tyre për zëvendëspresident, senatorin Tim Kaine për zonjën Clinton dhe guvernatorin e Indianas, Mike Pence, për republikanët.
Donald Trump dhe Hillary Clinton kanë shpalosur vizionin e tyre në lidhje me ekonominë e Shteteve të Bashkuara, dhe nuk bën habi që ata janë shumë të ndryshëm.
Trump po fokusohet më tepër në shkurtimin e taksave, eliminimin e rregullave (ligjeve) dhe dhënien fund të marrëdhënieve tregtare.
Clinton, nga ana tjetër, kërkon që të rrisë taksat ndaj shtresës së pasur, të rrisë shpenzimet për trajnimet e punës dhe të ulë taksat për kompanitë që punësojnë më shumë amerikanë.
Këtu janë disa nga drejtimet që ata ndryshojnë…
Taksat, shkurtimet dhe shpenzimet
Trump-i është në favor të uljes së taksave për të gjithë dhe reduktimin e niveleve të taksimit nga shtatë në tre. Ai do të ulë normën e lartë të taksimit në 33% nga 39.6%.
Clinton do të mbajë të njëjtat taksa për pjesën më të madhe të amerikanëve, por do të shtojë një nivel të ri për ata me të ardhura më të larta. Të ardhurat prej saj do të shkojnë për të financuar programet e edukimit falas për studentë që vijnë nga familje të shtresës së mesme dhe të varfër.
Fushata e saj po bën thirrje për taksa më të larta mbi të pasurit, për njerëzit që fitojnë më shumë së 5 milionë dollarë.
Të dy kandidatët kanë propozuar që të mbyllen shtigjet tatimore që favorizojnë kryesisht të pasurit.
Trump-i propozon përjashtim të ndihmës ndaj përkujdesjes së fëmijëve që mbulon kostot mesatare, ndërsa Clinton propozon kufizimin e numrit të taksapaguesve që pretendojnë përjashtim deri në 28%.
Përjashtimi nga taksat lejon që njerëzit të zbresin disa nga të ardhurat e tatueshme, duke ulur nivelin (fashën) në të cilën bëjnë pjesë. Në mënyrë tipike favorizojnë të pasurit që marrin më shumë, ndërkohë që 43% e amerikanëve, të cilët aktualisht nuk paguajnë mbi të ardhurat, nuk do të preken nga ndryshimi.
Trump gjithashtu propozoi eliminimin e taksës mbi pronën apo “taksën e vdekjes” plotësisht. Taksa aplikohet kur një pjesëtar i familjes e kalon vlerën prej 5.45 milionë dollarësh si individ ose 10.9 milionë dollarë si një çift i martuar.
Kandidati republikan tha se ai do të pakësojë normën e taksës mbi korporatat në 15% nga norma aktuale prej 35%, një nga më të lartat në botë.
Fushata e Trump-it tha se plani do të pakësojë sasinë e të ardhurave që qeveria mbledh me 4.4 trilionë dollarë në një dekadë. Ndërsa programi i zonjës Clinton do t’i shtonte të ardhurat me 1.1 trilion dollarë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
Asnjë prej kandidatëve nuk ka propozuar ulje të rëndësishme për shpenzimet në programet e pensionit dhe kujdesit shëndetësor. Ky financim i nevojshëm është i pritshëm në dekadën që do të vijë, por mbetet ende e paqartë se nga do të vijnë paratë pa u rritur taksat.
Marrëveshje të reja tregtare
Trump-i ka bërë më të mirën për të theksuar pakënaqësitë rreth marrëveshjeve tregtare.
Propozimet e tij ekonomike sugjerojnë rinegocimin, duke përdorur negociatorë që do të kenë për qëllim “të fitojë për Amerikën”. Ai nuk është shprehur se çfarë nënkupton “me fitore”, por ka premtuar se do të qëndrojë larg marrëveshjeve, siç është marrëveshja e tregtisë së lirë së vendeve të Amerikës së Veriut (NAFTA), nëse nuk arrihet një marrëveshje e mirë.
Ai gjithashtu ka premtuar se do të jetë i ashpër me vendet që dhunojnë marrëveshjet e tregtisë, duke aplikuar tarifa të reja dhe se do t’i ndjekë këto çështje në OBT. Veçanërisht ka thënë se do të etiketojë Kinën si “një manipulator të monedhës”.
Tarifat
Trump-i ka kërkuar tarifim 35% për të mirat nga Meksika dhe 45% për ato që vijnë nga Kina.
Kjo do të thotë se një televizor 100 dollarë nga Meksika do të kushtojë 135 dollarë.
Kjo do t’i nxisë konsumatorët amerikanë që të blejnë më shumë produkte të prodhuara në Amerikë, por do të nxisë edhe Meksikën që të vendosë një taksë importi te të mirat amerikane, duke e bërë të vështirë për kompanitë amerikane që t’i shesin mallrat e tyre jashtë. Meksika blen 267.2 miliardë dollarë në të mirat e prodhuara në Amerikë, duke qenë vendi i dytë më i madh i eksporteve për Shtetet e Bashkuara.
Clinton tha se këto tarifa do të çojnë në një luftë tregtare duke e bërë të vështirë për Shtetet e Bashkuara që të konkurrojnë në rang global. Ajo ka qenë e luhatur në deklaratat e saj. Fillimisht ajo e mbështeti Partneritetin Trans-Paqësor, por më vonë tha gjatë fushatës së saj se nuk mendonte se ishte marrëveshja e duhur për Amerikën.
Plani i saj fokusohet më shumë në rritjen e prodhimit në SHBA duke ofruar stimuj fiskalë për kompanitë që ndërtojnë në vend. Ndërsa ka kritikuar disa nga marrëveshjet tregtare, ajo nuk ka përjashtuar mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të reja nëse do të zgjidhet.
Trump mbi tregtinë
Do të rinegocijojë marrëveshjet në favor të SHBA-së.
Do t’i zgjidhë ato në rast se nuk arrihet një marrëveshje e mirë.
Do të shtojë tarifa mbi disa prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, përfshirë Meksikën dhe Kinën.
Clinton mbi tregtinë
Ndryshoi mendim mbi TPP, për të cilën ka ndihmuar në negocim.
Në 2007, kritikoi marrëveshjet e tregtisë me Korenë e Jugut, më pas e mbështeti si sekretare e Shtetit.
Ka mbështetur NAFTA-n, por herë pas here ka qenë kritike ndaj saj.
Kush po punëson?
Të dy kandidatët kanë premtuar se mundësojnë hapjen e më shumë vendeve të punës, edhe pse papunësia është në shifra shumë të ulëta prej 4.9% që nga fillimi i vitit.
Plani i punësimit i Trump fokusohet tek inkurajimi i hapjes së bizneseve në SHBA. Ai sugjeron se investimet në infrastrukturë, zvogëlimi i deficitit tregtar, ulja e taksave dhe heqja e rregullave (ligjeve) do ta bëjnë më të lehtë për kompanitë që të punësojnë.
Trump është fokusuar më shumë në rritjen e vendeve të punës në industrinë përpunuese, numri i së cilës ka rënë me 5 milionë që nga viti 2000. Një pjesë e kësaj rënieje ka ndodhur për shkak të përmirësimeve në teknologji dhe jo prej nënkontraktimeve.
Ai ka premtuar se do të krijojë 25 milionë vende pune në 10 vjet dhe se do të arrijë një rritje ekonomike me 3.5%. Rritja e PBB-së ishte 2.4% në 2015.
Politika e Clinton në lidhje me rritjen e numrit të vendeve të punës është pak më shumë specifike. Ajo ka bërë fushatë për të shtuar trajnimet, që pjesërisht janë të paguara nga të ardhurat nga taksat e amerikanëve të pasur. Ajo ka deklaruar rritje të shpenzimeve në infrastrukturë dhe investime në energjetikë për të rritur numrin e të punësuarve në këto sektor.
Pak hapësirë për marrëveshje
Pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre në shumë fusha, ka disa gjëra për të cilat të dy kandidatët po bëjnë fushatë.
-Dhënies fund transferimit të korporatave amerikane jashtë vendit për t’iu shmangur taksave.
-Eliminimi i taksës mbi interesat e mbartura, një taksë nga e cila më së shumti përfitojnë investitorët në kompanitë “offshore”
-Kundërshtimi i Partneritetit Trans-Paqësor
-Trump nuk ka trajtuar mënyrën se si do të paguajë për këto shkurtime, veçse ka deklaruar se do të nxisë ekonominë dhe do të rrisë bazën e tatueshme.
-Clinton ka thënë se pjesa më e madhe e shpenzimeve që planifikon do të mbulohet nga rritja e taksave, por është ende e paqartë nëse shifrat përputhen.
Kush mund të zgjidhet President?
Për të qenë President duhet që të kesh lindur në Amerikë, të jesh të paktën 35 vjeç, si dhe të kesh jetuar në Amerikë për 14 vjet. Duket e lehtë, apo jo?
Në realitet, çdo president i zgjedhur që nga 1933 ka qenë guvernator, senator, apo Gjeneral në ushtri. Të gjitha këto para se ta ketë çuar ndër mend se do të jeni i nominuari i partisë.
Në zgjedhjet e 2016, në fazën e parë ishin 10 guvernatorë apo ish guvernatorë dhe 10 senatorë.
Vëtëm një prej tyre u nominua që të përfaqësojë Partinë Republikane dhe një për Partinë Demokrate në zgjedhjet presidenciale.
Pas një serie zgjedhjesh të mbajtura në çdo shtet, që nga muaji shkurt, vendoset se cili do të jetë kandidati zyrtar për zgjedhjet presidenciale të partisë.
Secili fitues ka grumbulluar një numër votash të delegatëve, anëtar partie me fuqinë për të votuar në konventën e partisë që mbahet në korrik, ku kandidatët janë zyrtarisht të konfirmuar.
Sa më shumë shtete fiton një kandidat, aq më shumë delegatë do të ketë pas vetes për t’i mbështetur në konventë.
Pikat e nxehta të fushatës
Polemika të shumta janë krijuar që nga momenti kur Donald Trump filloi fushatën e tij me përshkrimin ndaj emigrantëve meksikanë si “përdhunues dhe kriminelë”. Kandidatura e tij rrallë nuk ka kaluar pa shkaktuar trazira. Atij i është dashur të mbrohet në lidhje me refuzimin e tij për të treguar pagesat e taksave dhe hamendësimet se ai nuk ka paguar asnjë taksë mbi të ardhurat për 18 vitet e fundit, shtuar kësaj dhe pikëpyetjet në lidhje me fondacionin e tij të bamirësisë.
Edhe Hillary Clinton ka pasur momentet jo të mira. Dëmi ndaj imazhit të saj, i shkaktuar nga çështja e publikimit të email-eve të saj private ka qenë i madh, si dhe janë ngritur dyshime në lidhje me dhurimet e huaja të bëra për Fondacionin Klinton.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.