Kush janë njerëzit që këshillojnë Kryeministrin për çështjet më të rëndësishme të vendit, sikurse janë ata të ekonomisë?! Çfarë curriculumesh kanë dhe a janë persona që kanë prodhuar sukses real? Momentet më të rëndësishme të karrierës së tyre profesionale.Të shkëlqyer”. Ndërsa paraqiste punonjësit e tij, një të dielë pushimi për të tjerët, por tashmë ditë të zakonshme pune për vete, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përdori më së shumti përcaktorin e mësipërm për të treguar cilësinë e këshilltarëve të tij. Nuk e di nëse është i përdorur me të drejtë apo jo, nëse kemi të bëjmë me një kompliment apo realitet, me ekzagjerim apo me realizëm, por ajo që mund të thuhet me saktësi është se sikur ti duhej të lexonte në publik CV-të e këshilltarëve ekonomikë të tij, atëherë me siguri kjo punë do ti merrte z. Berisha disa orë kohë. Pasi kualifikimet dhe përvojat e punës së atyre, që tashmë përbëjnë “trurin” ekonomik të Kryeministrit, janë shumë të pasura me ngjarje dhe fakte, të cilat me siguri e përligjin përcaktorin “të shkëlqyer”, që Berisha përdor së shpeshti. Dhe ky duket se është një ogur i mirë për mënyrën se si mund të ecin punët në të ardhmen, aq më tepër kur bëhet fjalë për sektorin më të rëndësishëm të vendit. Koston e të gjitha dështimeve në politikë e paguan ekonomia dhe në një masë të madhe perspektiva ekonomike e vendit është e lidhur me cilësinë e punonjësve të ngushtë të Kryeministrit të Shqipërisë. Megjithatë, kush janë konkretisht njerëzit që këshillojnë Kryeministrin për problemet ekonomike? Cilat janë momentet më të rëndësishme të karrierës së tyre profesionale, nëpërmjet të cilave përligjet një ofiq kaq i lartë sikurse është ai i këshilluesit të kreut të ekzekutivit?! Petraq MiloShumë vetë mund të jenë ndjerë të habitur, kur emri i Petraq Milos mbërriti në veshin e tyre si anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave, institucion ky i ngritur nga Partia Demokratike përpara zgjedhjeve elektorale. E më pas si këshilltar i Kryeministrit për Financat Publike. Ndoshta edhe me të drejtë. Pasi dinamika e jetës dhe e punës është e tillë që harrohesh nëse nuk je i pranishëm fizikisht dhe aktivisht në vend. I njohur emri dhe fytyra e Petraq Milos ka rezultuar gjatë kësaj kohe vetëm për një pjesë të punonjësve të Ministrisë së Financave, në të cilin ai ka punuar si drejtor i Departamentit të Çmimeve dhe Pagave, si drejtor i Analizave Makroekonomike dhe Parashikimeve, si dhe drejtor i Departamentit të Buxhetit. Në vitin 1994, karriera profesionale e Milos në Shqipëri ndërpritet përkohësisht për tiu përkushtuar për dy vite me radhë masterit në fushën e Administrimit Publik dhe mbrojtjes së doktoraturës në Avuvergne University CERDI, Clermond- Ferrand, Francë. Dhe fill pas mbrojtjes së tyre, si për të provuar se ka një lidhje harmonike midis cilësisë profesionale të individit dhe shpërblimit që merr nëpërmjet avancimit në hierarki, merr udhë një karrierë brilante e Milos nëpër institucione prestigjioze ndërkombëtare. Fillimisht atje ku u specializua, në Qendrën për Kërkim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (CERDI), në Clermond-Ferrand, ku në harkun kohor 1996-1999 u mor me studimin e Deficiteve buxhetore dhe efektet e tyre në makroekonomi në vende të tilla si Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania. Më pas e lë Francën për të shkuar në Britani, në Maxwuell Stamp Oficces si konsulent i financave publike.Në fund të vitit 1999, Petraq Milo kontraktohet nga Agjencia Franceze e Zhvillimit si këshilltar financiar për dy projekte të rëndësishme sikurse ishin “Projekti për Zhvillimin e Bujqësisë” në Prishtinë dhe Projekti i Spitalit Kirurgjikal të Tiranës.Në vitin 2000 përvoja profesionale e Milos pasurohet me ngjarje të tjera, të cilat mund të përbëjnë ndoshta edhe kulmet e karrierës së tij, si dhe dëshmitë kryesore të faktit se Petraq Milo bën pjesë padyshim te njerëzit që kanë prodhuar sukses real. Për 5 vjet kryen detyra shumë të rëndësishme në Kosovë, si zëvendësdrejtor dhe drejtor i Buxhetit, drejtor i Politikave Këshilldhënëse, drejtor i Zyrës Fiskale në UNMIK. Ata që kanë marrë pjesë në një delegacion të ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano, gjatë vizitës së fundit të tij në Kosovë tregojnë në trajtën e përshtypjeve për një respekt maksimal të drejtuesve të UNMIK-ut, kundrejt z. Milo. Ndaj, duke iu referuar shkollimit dhe kualifikimit të tij, përvojës profesionale, njohjes së tri gjuhëve të huaja, mund të dilet fare mirë në konkluzionin se këshilltar më të mirë sesa Petraq Milo, Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të gjente. Fati i tij është se nevoja për këshilltar korrespondoi me “lodhjen” e Milos nëpër Botë dhe dëshirën e tij për të ardhur e zhvilluar aktivitetin tashmë në Shqipëri. Selami Xhepa E kundërta mund të thuhet për Selami Xhepën. Pra, nëse emri i Petraq Milos mund të ketë rezultuar fillimisht për mjaft persona i panjohur, ky përfundim nuk vlen në rastin e Selami Xhepës. Pasi Xhepa që nga momenti i diplomimit në Universitetin e Tiranës për Ekonomi dhe atë të Veronës në Itali, si dhe pas përfundimit të një sërë kualifikimesh në Irlandë, Itali, SHBA etj., ka ushtruar sistematikisht aktivitetin e tij profesional në Shqipëri. Karriera e tij nuk njeh shkëputje, ai asnjëherë nuk ka tentuar të kërkojë një fat më të mirë jashtë vendit. Ndaj, duke qenë fizikisht dhe profesionalisht në Shqipëri, Selami Xhepa mund të klasifikohet ndër personat me vazhdimësi, me memorie të fortë profesionale dhe si i tillë ai renditet ndër personat më kompetentë në çështjet ekonomike në Shqipëri. Ndonjëherë edukimi shkollor dhe kualifikimi janë të pamjaftueshëm nëse realiteti mbi të cilin duhet të operosh, nuk njihet. Xhepa i ka të dyja cilësitë e domosdoshme për të premtuar të jetë një këshilltar i mirë. Ka edhe kualifikimin e duhur, zotëron mirë teorinë ekonomike, pasi për 4 vjet me radhë ka qenë pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, por nga ana tjetër, njeh mirë edhe difektet që ka manifestuar ekonomia shqiptare gjatë këtyre viteve. Pasi, profesionin e ekonomistit e ka ushtruar nëpërmjet një sërë detyrash të rëndësishme, sikurse janë ato të drejtorit të Qendrës së Nxitjes së Investimeve të Huaja apo shefit të Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Selami Xhepa ka pasur rastin të maturohet akoma më shumë si ekonomist kërkues gjatë punës si shef kërkimesh në Qendrën Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare, punë të cilin e ka kryer deri në vitin 2005. Më pas ai ishte përballë dilemës për të përtërirë kontratën që i skadonte apo të përfillte ofertën e bërë nga Kryeministri i Shqipërisë për të qenë këshilltar i tij për problemet ekonomike. Diçka është e sigurt: Doktori i ekonomisë Xhepa mund ta ndihmojë shumë Kryeministrin në orientimin e tij rreth problemeve kryesore të ekonomisë, radhës dhe mënyrave të zgjidhjes së tyre. Pasi i ka të gjitha cilësitë e duhura për këtë funksion. Bardhi KadilliFaktikisht mund të konsiderohet ndër këshilltarët më të rëndësishëm të Berishës. Të tillë nuk e bën ndonjë përgatitje profesionale e jashtëzakonshme, as edhe ndonjë marrëdhënie e veçantë e Kryeministrit me të, e dallueshme nga këshilltarët e tjerë. Si për paradoks, është e keqja e madhe që ka pushtuar vendin, korrupsioni, pra domosdoshmëria e çmontimit të tij, ajo që e transformon këshilltarin për çështjet e korrupsionit ndër më të rëndësishmit e Doktorit. Madje në kushte normale, nuk do të ishte e nevojshme të ekzistonte një post i tillë. Mirëpo përfshirja e z. Kadilli në punonjësit e afërt të Berishës me këtë cilësi, tregon edhe vetëdijen e Kryeministrit shqiptar rreth rrezikshmërisë së korrupsionit si plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare, vetëdije kjo e manifestuar edhe përgjatë 8 viteve të tij në opozitë. Alternativa kryesore, nëpërmjet së cilës Partia Demokratike erdhi në pushtet, është pikërisht antikorrupsioni, ndaj përballimi i kësaj sfide paraqitet si një luftë që duhet fituar. Kadilli premton të jetë i qartë rreth mënyrave që do të pastrojnë klimën korruptive të vendit, pasi edhe bazat e tij profesionale përmbledhin afro 4 vite jetë dhe punë të shpenzuar vetëm për këtë qëllim. I angazhuar që në vitin 2000 në një projekt kundër korrupsionit, financuar nga USAID, ish-drejtori i Koalicionit Shqiptar kundër Korrupsionit, Bardhi Kadilli ka mundur të krijojë në mendjen e tij një vizion të qartë rreth shkallës së përhapjes së sëmundjes, mënyrave si konkretizohet korrupsioni, shtigjeve ligjore që shfrytëzohen për korrupsion, sektorëve më të prekur nga kjo sëmundje, si dhe hapave që duhet të merren, fillimisht për ta reduktuar atë, e më pas për ta minimizuar. Detyra është shumë e vështirë, por nëse realizohet me sukses, është e sigurt se ky sukses do të përbëjë një çast lavdie në karrierën e Kadillit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.