Sektori i turizmit do të mbështetet me projekte nga USAID dhe qeveria suedeze. Në prezantimin e projektit “Sida”, ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tha se
turizmi është një nga sektorët prioritarë dhe qeveria Rama në dy vitet që kanë kaluar është fokusuar në përmirësimin e kuadrit legjislativ dhe në përmirësimin e infrastrukturës turistike në funksion të rritjes së numrit të turistëve dhe të rritjes së të ardhurave kombëtare nga ky sektor.
“Programi i lançuar nga USAID dhe “Sida” është në vetvete një ide jashtëzakonisht inovative për të mbështetur pikërisht aty tek rrënjët e zhvillimit të turizmit, tek idetë e mira, tek idetë për ekoturizmin apo për projekte për zgjerimin e operacioneve aktuale që mund të ketë në të gjithë Shqipërinë. Është shumë interesantë të theksojmë edhe atë që theksoi drejtori Xhonson, turizmi ka një efekt multiplifikator jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të madh. Për një të punësuar për dhomë, indirekt ka dy të punësuar të tjerë jashtë operacioneve turistike, në mbështetje të operacioneve turistike. Pra, mbështetja për punësimin është gati trefishe, një dollarë për tre dollarë. Është shumë e rëndësishme për sektorin privat apo për organizata jo fitimprurëse në të gjithë Shqipërinë që ta kapin kapin dhe ta përdorin këtë oportunitet për të sjellë ide kreative për ekoturizëm, për turizmin kulturor, për turizmin historik dhe për turizmin kulinar që janë në fakt të gjithë elementë të veçantë unikë që afron Shqipëria sot”, tha Ahmetaj.
Sipas tij ligji i ri i turizmit që hyn në fuqi në dy-tre javët që vijnë do të jetë një platformë e mirë për sektorin privat dhe për operatorët në sektorin turistik, që të strukturojnë dhe që të promovohen në operacionet e tyre në zhvillimin turistik. Numrat e turizmit në vitet e fundit kanë njohur rritje të konsiderueshme.
“Vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti, pa numëruar muajt kryesorë të stinës, korrikun dhe gushtin, wshtw rritur me 17 për qind numri i vizitorwve dhe të ardhurat janë rritur 6 për qind, pra një rritje shumë e konsiderueshme. Fakti i këtij viti tregoi se midis sfidave të shumta kemi dy sfida tejet të rëndësishme. Sfida është e parë është të ruajmë natyrën sepse mund të kemi një tentim që në zhvillimin turistik të shkatërrojmë pikërisht atë që është baza e rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe turizmit, natyra shqiptare. Sfida e dytë është të rrisim kapacitet turistike dhe cilësinë e shërbimit në mënyrë që zinxhiri i numrave të vijë gjithnjë duke u rritur. Ky program i lançuar sot i adreson në mënyrën e vetë të drejtpërdrejtë të dyja këto sfida. Shifra prej 6 milionë dollarësh e ofruar me bujari nga populli amerikan dhe ai suedez, nga qeveria amerikane dhe ajo suedeze, nuk është aspak pak. Por, fuqinë nuk e ka tek shifra. Fuqinë e ka tek ai reaksion pozitiv zinxhir që unë besoj do të krijojë në të gjithë Shqipërinë, qoftë me trajnimet, qoftë me idetë inovative, qoftë me mbështetjen për sektorin privat”, tha ministri Ahmetaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.