Agjencia Kombëtare e Turizmit do të ketë më shumë kompetenca në lidhje me promovimin dhe aktivitete të tjera. Mënyra e re e organizimit tashmë ka hyrë në fuqi. Drejtori i kësaj agjencie Ardit Çollaku thotë për “Monitor” se falë organizimit të ri do t’i jepet më shumë hapësirë promovimit të turizmit, për të cilin qeveria ka gati edhe planin e masave.
Për vitin 2016, buxheti i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është rreth 20% më i lartë në krahasim me një vit më parë, duke u llogaritur në rreth 100 milionë lekë. Masat që po merren aktualisht, synojnë ta shndërrojnë atë në një sektor konkurrues në rajon, përballë vendeve me traditë në këtë drejtim, siç janë Mali i Zi, Kroacia, Greqia, apo Italia.
Kjo mënyrë e re e organizimit të AKT-së do t’i shërbejë edhe zbatimit të ligjit, i cili ka si qëllim ta kthejë turizmin në një sektor të drejtpërdrejtë prioritar të zhvillimit ekomomik, të mbështesë zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik, si dhe të tërheqë investitorë vendas dhe të huaj.
Nga ana tjetër AKT-së i jepet e drejta edhe për menaxhimin e të ardhurave që realizohen në bazë të marrëveshjeve të qirasë për sipërfaqet e dhëna në përdorim për zhvillimin e turizmit dhe tëmarrëveshjeve ekzistuese të qirasë të lidhura me subjektet “person i stimuluar”. Ky është një term që u përfshi me ligjin e ri të Turizmit.
Nga ana tjetër, kreu i AKT-së do të ketë të drejtë që të propozojë ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e turizmit. Në vendim thuhet se AKT-ja : “Në kuadër të promovimit të modeleve tëshërbimeve të turizmit në vend, krijon dhe zhvillon një markë cilësie me qëllim bërjen të njohur të produkteve e të shërbimeve turistike të ofruara, si dhe forcimin e besimit të konsuma-torëve ndaj cilësisë së shërbimeve turistike të ofruara dhe të operatorëve që i ofrojnë ato”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.