Turizëm apo HEC-e në Valbonë janë dy mundësi investimi që po shkojnë në front të kundërt me njëra-tjetrën. Turizmi ka avantazh vetëm natyrën e bukur dhe banorët e zonës, që pa asnjë mbështetje, ia kanë dalë të tërheqin turistë nga e gjithë bota dhe të shndërrojnë Valbonën si marketingun më të mirë për Shqipërinë jashtë vendit.
Në anën tjetër, HEC-et kanë pasur në krah gjithmonë qeveritë si para 2013-s dhe qeverinë e tanishme, interesat e të cilave për të fituar kanë prevaluar mbi të gjitha interesat publike.
Me gjithë këto zhvillime, po të vësh në peshore se cili sjell më shumë të ardhura në ekonominë e Valbonës, turizmi apo HEC-et, bilanci flet për nga turizmi.
Sipas kalkulimit të të dhënave zyrtare, ekonomia e vendit përfiton nga vizitorët në Valbonë rreth 23 milionë euro në vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ditë-qëndrimi mesatar për një turist në Shqipëri është pesë ditë, ndërsa shpenzimet mesatare janë 76 euro në ditë. Sipas të dhënave nga Bashkia e Tropojës, vitin e kaluar, pika turistike e Valbonës është vizituar nga së paku 60 mijë turistë. Më së paku, fitimi vjetor nga vizitorët e Valbonës i kalon të 20 milionë euro në ekonomi teksa numri i turistëve është duke u rritur me 20% nga viti në vit dhe gjithashtu edhe kapacitetet e akomodimit.
Teksa përfitimet kalojnë disa milionë euro, e rëndësishme është se ato lidhen me faktin se shpërndahen në shumë familje. Zoti Selimaj, i cili ka një bujtinë në qendër të zonës, thotë se me biznesin e tij e kanë të lidhur jetesën edhe rreth 50 familje të Tropojës. Secila bujtinë në Tropojë furnizon me të ardhura dhjetëra familje të tjera. Valbona është dora e zgjatur për banorët e qytetit verilindor, që është pjesë e qarkut më të varfër në vend. Turizmi në zonë ka nxitur mbarështimin e bagëtive autoktonë. Lopët e vendit, dhitë dhe delet racë e moçme janë një biznes me fitim. Tregu është i garantuar, madje me çmim të lartë. Rritja e numrit të vizitorëve nga dita në ditë po nxit lulëzimin e fermave blegtorale. Banorët e atjeshëm kanë nisur të jetojnë mirë dhe po u përshtaten kërkesave të turizmit për të rritur fitimet.
Turistët vijnë për natyrën e bukur, por edhe për ushqimin e shijshëm, thotë Hajredini. Për shkak të turizmit ka marrë hov zhvillimi i bletarisë dhe blegtorisë, por edhe shërbimeve të transportit. Në hyrje të Valbonës në Dragobi, vjet nisi punën një fermë me 300 dhi, i zoti i saj është rikthyer për të nisur jetën në vendin e tij të lindjes. Të tjerët që nuk kanë pasur mundësi të hapin bujtina, janë angazhuar në zinxhirin mbështetës, si bujqësia, blegtoria dhe shërbimet. Marangozët e vjetër, po rikthejnë profesionet. Lokalet janë me orendi artizanale. Tavolinat e rrumbullakëta në formë sofre i prodhon një nga vendasit. Sektori i transportit në zonë po zhvillohet gjithashtu për shkak të turizmit malor. Dy tragete bëjnë linjën e rregullt për transportin e turistëve përmes liqenit të Fierzës që është një atraksion më vete.
Por potencialet e zhvillimit të zonës janë shumë më të mëdha, pasi shërbimet e turizmit janë ende në fillesa dhe kanë hapësira për maturim.
Nëse do të ndërtoheshin HEC-et dhe do të hiqej dorë nga turizmi, bilanci i përfitimit ekonomik do të ishte shumë i ulët. Të tre kontratat parashikohet që në maksimumin e tyre të prodhojnë 327 milionë kilovatorë në vit energji elektrike, me një vlerë të përafërt tregu me çmimet e sotme jo më shumë se 30 milionë euro. Por biznesi i HEC-eve do të punësonte shumë herë më pak persona se turizmi dhe të ardhurat e fituara do të përqendroheshin në dorën e vetëm tre bizneseve. Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, prodhimi i HEC-eve në Valbonë nuk ndikon as në 1% të shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend.
Ismail Beka, përfaqësues i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ, i orientuar në mbështetja e turizmit rural në Shqipëri, tha se padyshim, nëse do të gjykonim nga përfitueshmëria ekonomike, turizmi ka prioritet në Valbonë.
Zona është marketuar në tregjet ndërkombëtare dhe është pjesë e 10 operatorëve të mëdhenj globalë në turin e Mal i Zi-Theth-Valbonë-Çerem. Në dekadën e fundit, Thethi dhe Valbona kanë fituar status të veçantë në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit për turizmin e natyrës së virgjër.
I bazuar në shërbimet e turizmit familjar, përfitimet zgjerohen në shumë persona. Beka, si një ekspert i hershëm i turizmit familjar, pohoi se institucionet publike në vend, nëse do të kishin vënë në punë logjikën ekonomike, padyshim që do të kishin zhvilluar dhe investuar në turizmin familjar, për të cilin kërkesa globale është në rritje gjithnjë e më shumë. Ai tha se ndërtimi i HEC-eve do ta minojë këtë lloj turizmi, pasi shumë nga vizitorët vijnë edhe për shkak të veçantisë së lumit Valbona.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.