Edimburgu, Oslo, Stokholmi, Helsinki, Kopenhagën, Talin dhe Varshava janë shtatë destinacione alternative përkundër pushimeve klasike me det e diell, të cilat kohët e fundit janë shndërruar në një tendencë…
SKOCI: NJË FUNDJAVË NË EDIMBURG
Edimburgu është një nga qytetet më intriguese dhe të rafinuara në Europë. Kozmopolit dhe në zhvillim të vazhdueshëm, kryeqyteti i Skocisë ndahet mes Old Town, që shtrihet në një kodër me origjinë vullkanike, me strukturën tipike mesjetare dhe New Town, pjesa e shekullit XVIII, që spikat për shtëpitë gjeorgjiane dhe kopshtet e bukura.
Nuk duhet ta humbni në Old Town, një shëtitje në Royal Mile, rruga rreth 1 milje e gjatë që lidh Kështjellën me Holyrood Palace, përgjatë së cilës ndodhen edhe ndërtesa të tjera të rëndësishme, ndër të cilat katedralja e st. Giles. Edimburgut të pasur me histori dhe kulturë, mes pallateve historike dhe muzeve, i shtohet edhe pjesa mondane me pub-e, shumë prej të cilave me muzikë live, e pastaj restorantet, ku mund të shijoni peshkun e sapokapur në rrjetë dhe diskotekat.
Ju nuk mund të largoheni nga Edimburgu pa shijuar një ndër birrat e zeza dhe një ndër uiskit e mrekullueshëm të këtyre anëve, me një traditë të gjatë.
NORVEGJIA: ÇFARË TË SHIHNI NË NJË FUNDJAVË NË OSLO
E gjendur mes detit dhe kodrave, Oslo është një ndër qytetet më të gjelbra në botë. Oslo është nominuar Kryeqyteti i Gjelbër i Europës për vitin 2019 dhe është një shembull i virtytshëm në reduktimin e ndotjes dhe ruajtjes së hapësirave natyrore.
Në Oslo është mjaft i rëndësishëm sistemi muzeor i qytetit, një ndër muzetë më të njohur është Munch, me vepra të ndryshme të Edvard Munch, ndër të cilat një ndër katër versionet e pikturës së famshme “Britma”. Po ashtu ju këshillojmë të vizitoni Muzeun e Anijeve Vikinge dhe atë Fram, kushtuar anijeve që kanë bërë tre nga eksplorimet më të mëdha polare. Nuk mund ta humbisni edhe një vizitë në Galerinë Kombëtare të Oslos me koleksionin më të madh të artit në Norvegji.
Falë një rrjeti efikas të transportit publik ju mund të arrini lehtësisht në qendrën historike të qytetit, të cilën mund ta eksploroni në këmbë apo me biçikletë. E vendosur në veri të Kështjellës së shekullit të 14 të Akershus, në të cilën janë varrosur monarkë të shumtë norvegjezë, në Karl Johans Gate, zemra e qytetit ka rrugën kryesore ku ndodhen ndërtesa të ndryshme historike, ndër të cilat Pallati Mbretëror i shekullit 18, universiteti, Parlamenti dhe Teatri Kombëtar.
STOKHOLMI, MREKULLIA SUEDEZE
Kryeqyteti i Suedisë shtrihet në 14 ishuj, ku natyra është protagonistja më e madhe. Parqe, pyje, lumenj përbëjnë tablonë e një peizazhi që të lë pa frymë dhe magjepsës. Stokholmi meriton një vizitë në qendrën e tij historiko-kulturore. Ju nuk mund të lini pa vizituar kurrsesi Qytetin e Vjetër, i ndërtuar mes shekujve 19 dhe 20, dikur një lagje e varfër, sot një perlë autentike e qytetit, me restorante, galeri, dyqane me suvenirë, kafeteri dhe muze të rëndësishëm, ndër të cilat ai Nobel, në brendësi të Muzeut Kombëtar të Ekonomisë.
Për të mos u humbur edhe një shëtitje në rrjetin e metrosë së qytetit, për të parë skulpturat, grafitet, mozaikët dhe pikturat që artistë të ndryshme kanë realizuar në pjesën më të madhe të stacioneve të tij. Ngjalat, salmonët dhe merlucët përbëjnë kuzhinën e pasur me bazë peshku të kryeqytetit suedez, të cilët gatuhen në të gjitha mënyrat. Sa i përket mishit, varion nga mishi i viçit te mishi i derrit dhe pastaj te kuzhina me kafshë pylli.
FINLANDA, NË ZBULIM TË HELSINKIT
Pikërisht në lagjen Kallio, në lindje të zemrës së kryeqytetit finlandez, jeta e Helsinkit është më elektrizuese. Dikur një zonë me qytetarë të klasës punëtore, sot në të ka bare, restorante dhe kafeteri të këndshme. Pjesa moderne e kryeqytetit finlandez është zona metropolitane më në veri të botës dhe seli e shtatë universiteteve. Me pamje nga Deti Baltik, ajo u themelua në vitin 1550 me urdhër të mbretit të Suedisë, Gustav Vasa dhe ngrihet mbi një gadishull dhe shtatë gadishuj dhe ishuj më të vegjël.
E karakterizuar nga i ashtuquajturi stili nordik, arkitektura e Helsinkit është e larmishme. Ju këshillojmë të shikoni ndërtesat që datojnë në fillim të shekullit 20 në lagjet Kruununhaka dhe Punavuori, me detaje që kanë si burim frymëzimi natyrën. Nuk duhet ta humbni një vizitë në Market Square, Kauppatori, pranë të cilit është edhe Sheshi i Senatit dhe qendra turistike e qytetit, me pamje nga Deti Baltik, nga ku nisen varkat për në ishujt aty pranë.
DANIMARKA: NJË FUNDJAVË NË KOPENHAGËN
E lidhur që nga viti 2011 me qytetin suedez Malmö nëpërmjet Oresund Bridge, thuajse 16 kilometra, Kopenhagën është një qytet të cilin mund ta shëtisni me biçikletë, por edhe me anije.
Përgjatë kanaleve ndodhet Nyhavn, porti i vjetër piktoresk i Kopenhagën, zemra e turizmit kulturor, i pasur me kafe dhe bare, si dhe pikënisje e varkave në pika të ndryshme të qytetit. Këtu jetoi edhe shkrimtari i famshëm Hans Christian Andersen, i njohur për përrallat e tij. Ndër simbolet e qytetit është statuja Sirenës së Vogël, në hyrje të portit, personazh i një prej përrallave më të njohura të Andersen.
ESTONIA: NË TALIN, MBRETËRESHA E BALTIKUT
Një ndërthurje interesante arkitekturore, Talin është sigurisht një ndër kryeqytetet në veri të Europës më intrigues. Talin dallon me trashëgiminë e pasur historike të Qytetit të Vjetër, i quajtur Vanalinn, nga pjesa moderne, me qendra tregtare e qiejgërvishtës. Qyteti i Vjetër, i vendosur mes mureve, ndërtesave fetare dhe ndërtesave historike është një Pasuri e çmuar e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit të UNESCO-s. Në majë të kodrës Toompea, një ndër zonat më të bukura panoramike të qytetit, ju do të shihni pjesën moderne të qytetit me pamje nga deti.
Ju nuk duhet ta humbni një vizitë në katedralen ruse ortodokse Alexander Nevskij, në sheshin e Kështjellës, por edhe një vizitë në Raekoja Plats, sheshi i Bashkisë, me Kishën e Shën Nikollës, Shpirtit të Shenjtë dhe Shën Olaf.
POLONIA: NJË FUNDJAVË NË VARSHAVË, “PARISI i VERIUT”
Mes shekujve 18 dhe 19, Varshava njihej si Parisi i Veriut, me arkitekturën klasike e cila u shkatërrua thuajse plotësisht në Luftën e Dytë Botërore dhe e rindërtuar me besnikëri pas luftës. Me kaq besnikëri, saqë Qyteti i Vjetër, zemra e padiskutueshme e kryeqytetit polak është shpallur Trashëgimi e UNESCO-s, dhe mrekullon këdo që e viziton për herë të parë.
E pasur me restorante kafe dhe me artistë të shumtë nëpër rrugë, zona e vjetër e ka zemrën në sheshin e Kështjellës Mbretërore, ku nisen nëpërmjet rrugëve Piëna dhe Sëitijanska, drejt Rynek Starego Miasta, sheshi piktoresk, njëherë e një kohë e përdorur për panaire, pranë së cilës ndodhet katedralja e Shën Gjonit dhe Kisha e Shën Marisë.
Burimi: Corriere della Sera