Sezonit të pushimeve duket se i ka ardhur fundi. Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Kukës ka bërë publike hyrje-daljet nga pika e kalimit kufitar Morin-Vermicë, kryesorja që lidh Kosovën me Shqipërinë.
Mësohet se gjatë sezonit turistik të këtij viti (qershor, korrik, gusht), sipas statistikave të Policisë Kufitare kanë hyrë nga Kosova në Shqipëri rreth 760 mijë shtetas me rreth 222.360 automjete.
Për promovimin e turizmit shqiptaar në Kosovë rol ka luajtur edhe ambasada. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi dhe stafi i tij së fundmi i ka prezantuar trupit diplomatik të akredituar në Kosovë bukuritë dhe mikëpritjen e shqiptarëve.
Pas dy udhëtimeve mbresëlënëse në Luginën e Valbonës dhe në Theth me ambasadorët e akredituar në Kosovë, ambasada organizoi një tjetër udhëtim interesant me traget për të shijuar bukuritë natyrore të liqenit të Komanit me disa ambasadorë të akredituar në Kosovë. Ambasadorët shijuan ushqimet tradicionale të përgatitura me produkte bio të zonës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.